Kreu i MI5: Priten sulme terroriste në Britani

“The Guardian”
MI5-a i ka rrënjët të ngulitura ende në Luftën e Parë Botërore. Në vitin 1909, shënjestrat ishin agjentë të dyshuar se punon për inteligjencën gjermane dhe fokusi ishte vendosur te gjermanët që jetonin në Britani. “Daily Mail”, si gjithmonë, duhet të lajmëronte për rreziqe duke këshilluar lexuesit: “Nëse kamerieri juaj është gjerman, refuzoni të shërbeheni nga ai”.
107 vite më pas, MI5 ka pasur 17 drejtues të përgjithshëm. Deri në vitin 1993, identitetet e tyre ishin sekrete shtetërore. Edhe pasi një emergjencë arrinte të bëhej e dukshme edhe në sytë e publikut, rregulli kryesor që ata e mbronin me jetë ishte: “Thuaj sa më pas të jetë e mundur dhe atë që je i detyruar ta thuash, thuaje në mënyrën më diskrete të mundshme”.
Askush nuk ka dhënë kurrë asnjë intervistë në gazetë, deri tani. Askush nuk imagjinonte që intervista të jepej për më tepër te “The Guardian”, gazeta që fitoi Çmimin Pulitzer për mbulimin e ngjarjes së Edward Snowden në vitin 2013 që inatosi aq shumë qeverinë britanike dhe atë amerikane, së bashku me agjencitë e inteligjencës dhe shkaktoi debate të mëdha në të gjithë botën për përgjimet në masë.
Andrew Parker, kreu aktual i MI5, në atë kohë foli me mllef rreth dëmit që Snowden po i bënte agjencive të inteligjencës dhe ndihmën që po i jepte armiqve tanë. Po tani, ka ndërruar mendim? Tani është ndërgjegjësuar se Snowden ishte një ngjarje që u zhvillua për të mirë?
“Absolutisht, jo”, tha ai. Por përse u zgjodh “The Guardian”? Përse u publikua kjo histori? “Nuk kam asnjë koment për këtë”, tha ai teksa kthente gotën e tij të ujit me nervozizëm. “Atë kohë fola gjatë për dëmin që iu bë punës së inteligjencës britanike dhe të vendeve të tjera aleate, për faktin se u nxorën në pah të gjitha praktikat dhe mënyrat se si operojmë, për t’ua dhënë armiqve tanë. Fshehtësia është diçka e domosdoshme në punën tonë, është diçka që nuk mund të rrezikohet.
Është e qartë se gazeta ‘Guardian’ ka interes në punën që bëjmë. Disa prej raportimeve janë të sakta, por të tjera jo. Unë po përpiqem të zgjeroj informacionin e dhënë sepse është shumë e rëndësishme që të kemi miratimin dhe pëlqimin e publikut për atë që bëjmë”.
I ulur në zyrën e presidentit të Royal Society, ku ishte ftuar për të mbajtur fjalim në konferencën vjetore të diversitetit, Parker, i cili ka dhënë shpesh fjalime dhe është shfaqur në programin “BBC Today”, ka një këndvështrim, i cili përqendrohet në tri zona kryesore kërcënimi. I pari është terrorizmi i frymëzuar nga bindjet islamike, një terror që ai e quan të vazhdueshëm dhe karakteristik të brezit. “Terrorizmi ndërkombëtar është forma më e rrezikshme që ka marrë kohët e fundit, bazuar në një ideologji të tjetërsuar, i cili sjell terrorizmin në rrugët tona dhe në pjesën më të madhe të botës së zhvilluar, përfshirë këtu Amerikën Veriore, Australinë dhe Turqinë”.
“Aktualisht, terrorizmi drejtohet nga Daesh ose ISIS (Shteti Islamik), por kemi edhe degën e Al-Kaedës. Kjo është diçka që duhet ta kuptojmë dhe duhet thënë. Është një kërcënim i vazhdueshëm dhe është sfida më e madhe e brezit me të cilën na është dashur të përballemi”.
Ai thotë se numri i komploteve terroriste është rritur jashtëzakonisht gjatë tri viteve të fundit dhe ka arritur në 12. “Distanca kohore ndërmjet të cilave janë kryer këto sulme terroriste është veçanërisht shqetësuese dhe e rrezikshme. Sulmet në këtë vend janë më të lartat që kam përjetuar ndonjëherë gjatë gjithë karrierës time dhe kam punuar tek MI5 për 33 vitet e fundit. Realiteti është që për shkak të investimeve të bëra në profesionet dhe shërbimet si i imi, Britania e Madhe mund të themi se ka një mbrojtje të mirë. Pritshmëria ime është që Britania do të arrijë të zbulojë dhe të ndalojë shumicën e përpjekjeve për sulme terroriste në këtë vend”.
Ai la pa dashje fjalën “shumicën” t’i rrëshkasë nga goja: “Do të ketë sulme terroriste në Britaninë e Madhe. Niveli i kërcënimit është shumë i madh, prandaj mendoj se ka shumë gjasa të presim një sulm terrorist”. Zona e dytë e kërcënimit për kreun e MI5-ës është terrorizmi në Irlandën Veriore – nga ata që ai i quan “republikanë disidentë të formave të ndryshme”. Vdekja e fundit e lidhur me terrorizmin ka ndodhur në muajin mars kur humbi jetën një oficer burgu.
Zona e tretë është kërcënimi i kamufluar i qeverive të huaja. Ai e ka përqendruar vëmendjen e tij tek Rusia, e cila thotë se është duke punuar në të gjithë Evropën dhe Britaninë e Madhe, duke përdorur mjete ushtarake, propagandën, spiunazhin, përmbysjet dhe sulmet kibernetike për të arritur qëllimet e politikës së jashtme që i ka vendosur vetes. “Është puna e MI5-ës që të frenojë këto lloj sipërmarrjesh”. Parker thotë se kërcënimi nga Rusia është real – pjesërisht për shkak se është kaq i diversifikuar. “E shikojmë në vende si Ukraina dhe në brutalitetet e tmerrshme të kryera në Siri”.
54-vjeçari Parker, e mban të fshehtë me fanatizëm prejardhjen e tij. Gjëja më e dukshme që kuptohet prej tij është gjatësia, 1,82 metra. Ai duhet të jetë pranuar në shërbim përpara se të miratonin rregullin që thotë se çdo mashkull ose femër që do të punojë për MI5-ën nuk duhet të jetë më i gjatë si 1,70 metra, të paktën jo për të shërbyer si oficerë vëzhgimi sepse do të dalloheshin më qartë brenda turmës. Rregullat thonë gjithashtu se agjentët nuk duhet të kenë asnjë tatuazh të dukshëm, për të njëjtën arsye, por Parker e kalon këtë provë.
Kur e pyesin, ai thotë se vjen nga Newcastle dhe se ka ndjekur shkollën e përgjithshme përpara se të diplomohej për shkenca natyrore në Universitetin e Cambridge-t. Kjo është hera e parë që ai flet për Newcastle dhe për edukimin e përgjithshëm.
Këto origjina kanë një kontrast të dukshëm me ato të shumicës së paraardhësve të tij, të cilët zakonisht kanë buruar nga shkollat më të mira publike. Kjo është arsyeja përse ai thotë se është shumë i interesuar tek diversiteti, sepse mendon se agjencia duhet të reflektojë vendin ku punon.

Artikulli paraprakClinton: Trump të zbulojë lidhjet me Rusinë
Artikulli tjetërGjoba fatale e qeverisë ndaj biznesit që po e çon në faliment