Kreu i degës së PD Britani e Madhe, Naim Hasani: Votoni nr.9 dhe kandidatët e PD. Basha kryeministër në 2025!

Kanë mbetur dhe 10 ditë nga 14 maji dita kur shqiptarët do të iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive në vend. Partia Demokratike në këto zgjedhje si asnjëherë tjetër ka hyrë nën agresion nga tre brinjët e trekëndëshit të Bermundës të cilat duan ta trashëgojnë dhe ruajnë pushtetin siç kanë bërë këto 32 vite. E ndërsa pritet që shqiptarët të votojnë jo të lirë, një personazh i rëndësishëm politik, mjaft aktiv në jetën publike dhe politike në Shqipëri ka një mesazh të rëndësishëm për shqiptarët për zgjedhjet lokale. Ai është i bindur që Shqipëria do të përparojë, të jetë pjesë e familjes së madhe europiane, vetëm nëse shihet drejt së ardhmes, vetëm nëse do jemi krah SHBA dhe Britanisë së Madhe.
Quhet Naim Hasani. Eshtë një intelektual, emër i njohur i diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe jo vetëm, si avokat profesionist, por prej vitit 2014 është edhe kryetar i degës së PD Britani e Madhe.
Zoti Hasani informohet çdo ditë më atë çfarë ndodh në Shqipëri si dhe jeton edhe në Londër me hallet e shqiptarëve dhe përballet me to duke sfiduar autoritete britanike dhe i ndihmuar sa mundet në nevojat e tyre, veçanërisht kohët e fundit kur janë me dhjetra mijëra bashkëatdhetarët tanë që kanë mbërritur në Angli edhe me gomone! Zoti Hasani është një prej demokratëve dhe drejtuesve të kësaj force politike që ka qenë koherent në qëndrimin e tij në debatin e tij politik, krah Lulzim Bashës dhe qëndrimeve të PD zyrtare dhe drejtuesit të komanduar z.Alibeaj. Naim Hasani e ka bindje absolute që PD nuk fiton pushtet duke qenë në konflikt me ndërkombëtarët e veçanërisht aleatët e vyer të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Preshevë të Serbisë!
Zoti Hasani mendon që PD duhet të ringrihet fuqishëm si një forcë e vërtetë antikomuniste dhe euroatlantike. Në një intervistë për startnews.al, ai flet për qëndrimin e tij krah linjës zyrtare të PD krah SHBA dhe Britanisë së Madhe si dhe ka dhe një koment për atë çfarë pret nga PD pa harruar të komentojë as 14 majin.
Zoti Hasani, si drejtues i degës së PD Britani e Madhe e keni zhvilluar aktivitetin politik nën lidershipin e Lulzim Bashës. Edhe pas humbjes në zgjedhjet e 2021 sërish nuk keni ndryshuar qëndrim madje keni qenë aktiv në mbrojtjen e PD edhe pas pezullimit të Sali Berishës nga Grupi Parlamentar. Përse një vendim i tillë?
Së pari doja të theksoja faktin që, qëndrimi im dhe veprimtaria krah PD ka qenë prej themelimit të saj. Veçanërisht këtë kontribut e kam dhënë këtu ku banoj dhe jetoj në Londër e sidomos pas besimit që bashkëatdhetarët tanë më dhanë masivisht duke më zgjedhur kryetar të degës së PD Britani e Madhe. Ishte ky një vlerësim shumë i madh për mua, por ndërkohë dhe një detyrim po aq i madh. Ka qenë një kënaqësi për mua kontributi i dhënë për PD. E kam bërë me kënaqësinë më të madhe dhe pa menduar asnjë lloj përfitimi politik. E kam bërë në opozitë dhe jo siç rëndom ndodh që i bashkohen forcës sonë politike kur është në pushtet. Një arsye më shumë që pranova të jem aktiv si drejtues politik i PD në Britani të Madhe ka qenë dhe fakti sepse i kam besuar dhe vazhdoj t’i besoj lidershipit të Lulzim Bashës si një njeri vizionar, me një mentalitet perëndimor dhe i vetmi që mund të ndante Shqipërinë nga tranzicioni dhe ta integronte në familjen europiane!
Qëndrimi im pro vendimit të Bashës sa i përket pezullimit të Sali Berishës ka qenë korrekt për faktin sepse nuk mundet asnjë demokrat të lejojë futjen në një përplasje me aleatin më të vyer të shqiptarëve SHBA, një vend që ka dhënë shumë për çështjen shqiptare dhe i falemi dhe detyrohemi për ekzistencën tonë. Ndodhi që edhe shteti ku unë jetoj dhe banoj, Britania e Madhe ndërmori të njëjtin vendim për Berishën duke e shpallur non grata. Asgjë personale nuk kam me ish liderin e partisë, por mendoj që PD nuk mundet të forcohet, ngrihet fuqishëm dhe vijë në pushtet duke qenë në përplasje të hapur me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE.
Cili është komenti juaj për zhvillimet politike në PD? Zoti Berisha prej pezullimit nga grupi parlamentar ka vazhduar aktivitetin politik, ndërsa zoti Basha pas zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit të vitit të kaluar dha dorëheqjen?
Kam ndjekur me vëmendje çdo zhvillim politik brenda PD prej vendimit të kryetarit të PD për pezullimin e z.Berisha. Do të ishte mirë që ish lideri historik të mos e përfshinte partinë në këtë histori siç dhe premtoi, por e kundërta ndodhi. Shpreh keqardhjen për kursin e përplasjes në të cilën u futën demokratët nga kjo lëvizje, ku pjesa që nuk mendonin si z.Berisha u anatemuan, fyen, u sulmuan thua se ata nuk ishin bashkë deri më 9 shtator. Kjo që ndodhi mes demokratësh nuk ka ndodhur në Shqipëri as në përplasjet me kundërshtarët politik, socialistët. Për mua kjo është e pafalshme! Sa i përket aktivitetit politik të Berishës mendoj që kjo do ta çojë asgjëkundi. E para, për faktin që ai ka një konsum politik që vjen natyrshëm nga pushteti, së dyti sepse është një politikan në përplasje të hapur më SHBA, Britaninë e Madhe dhe sot ndodhet i izoluar dhe asnjë politikan perëndimor nuk e takon qofshin këta në pushtet apo në opozitë! Kursi në të cilën janë futur demokratët (pjesa e foltores), sa i përket përplasjes me amerikanët është për mua shumë shqetësuese. Si mundet që një forcë politike e mbështetur fuqishëm nga amerikanët për të ardhur në pushtet bashkë me z.Berisha, sot të futet në përplasje me ta. Kjo ka kosto elektorale iua garantoj dhe sinjali i parë është dhënë edhe në zgjedhjet 6 marsit. Në 6 bashki ku kishte zgjedhje, kujtojmë që Foltorja dhe LSI morën vetëm Shkodrën në një kontekst politik të caktuar dhe me keqardhje e them se sot këto rrethana kanë ndryshuar. Pra, prova është dhënë dhe me këtë mobilizim të mazhorancës duke përdorur çdo instrument për fitoren, e njëjta situatë e pritshme do të jetë. Pra, kur demokratët morën një rezultat jo të mirë më 6 mars, Lulzim Basha vendosi të largohet duke kërkuar të njëjtën gjë edhe nga Berisha që partia të futej në zgjedhje dhe të zgjidhej një lidership i ri dhe krah SHBA, PD të vinte në pushtet. Çfarë ndodhi? Basha tregoi përgjegjshmëri, mori përgjegjësinë, kurse Berisha jo! Atëherë për çfarë ka ndodhur kam një mendim: Berisha nuk do demokratët në pushtet, e do PD si kullë ku të mbrohet nga amerikanët, por kjo nuk ka për të ndodhur.
Si i shihni zhvillimet në PD pas 14 majit dhe a mendoni se duhet të rikthehet Lulzim Basha?
Kam pritur më kohë që PD të futet në një proces riorganizimi dhe nuk di arsyet përse nuk ka ndodhur. Kuptohet që kjo ka për të ndodhur dhe është paralajmëruar nga kryetari në detyrë Alibeaj pas zgjedhjeve lokale dhe mendoj që Partia Demokratike do të gjej forcë të ngrihet fuqishëm sepse ka burime njerëzore mjaftueshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë të kualifikuar dhe demokratët me zemër, ata që duan të kontribojnë dhe jo vetëm përfitojnë, që kjo forcë politike të jetë vërtet antikomuniste dhe euroatlantike.
Sa i përket Lulzim Bashës, mendoj se ai sikurse çdo demokrat ka të drejtën të garojë për lidership.
Zoti Basha ka treguar përgjegjshmëri me veprimet e tija ndaj demokratëve, ndaj për mua ai duhet të rikthehet garojë, fitojë dhe t’i prijë PD për ta sjellë në pushtet në vitin 2025 dhe besoj do të jetë kryeministër. Unë kam besim të plotë që Partia Demokratike do të jetë shumë shpejt një alternativë e vërtet qeverisëse, bindëse, europiane dhe do ta integrojë Shqipërinë në Bashkimin Europian. Eshtë e vetmja forcë politike, tashmë dhe e pastruar nga mëkatet 32 vjeçare, me një qasje të re ndaj aleatëve dhe me një kryetar dhe kryeministër si Lulzim Bashën që do të mundësojë një Shqipëri të zhvilluar duke përparuar me ndihmën e pakufishme të aleatëve tanë SHBA dhe Britani e Madhe si dhe BE.
Pas 10 ditësh, pra më 14 maj shqiptarët do të shkojnë në kutitë e votimit. Cili do ishte apeli juaj ndaj demokratëve votues por dhe shqiptarëve?
Për mua kjo është situatë më e pazakontë e votimeve në Shqipëri në këto 32 vite. Sikurse në 1990, PD gjendet sërish përballë ish-komunistëve dhe po reziston pë t’u ringritur fuqishëm. Trekëndëshi i Bermundës i politikës shqiptare është bërë bashkë për të ruajtur pushtetin që në më shumë se 3 dekada ia kalonin njëri-tjetrit më marrëveshje. I bëj thirrje çdo demokrati, çdo votuesi shqiptar që të votojnë PD si një forcë euroatlantike e shprehur qartë tashmë në qëndrimet e saja, antikomuniste, si të vetmen alternativë të besueshme për një Shqipëri Europiane. Demokratët nuk mund të votojnë një forcë të majtë, ndaj iu bëj thirrje: Votoni nr.9, votoni PD, votoni kandidatët e saj. Suksese!

Artikulli paraprakBejko vijon fushatën me takime në rrugën “Misto Mame”: Do të përgjysmojmë tarifat dhe taksat vendore
Artikulli tjetërSali Berisha paska qenë dje në Mamurras!