Kreu i Antimafias: Tonelata droge nga Shqipëria në Itali

Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane, Franko Roberti shpreh sërish shqetësim për trafikun e drogës nga Shqipëria. Në prezantimin e librit të tij “E kundërta e frikës”, në Romë, kreu i Antimafias italiane foli për tonelata ngarkesash që, sipas tij, mbërrijnë në brigjet e Pulias, kryesisht në Leçe dhe Bari nga Shqipëria dhe që transportohen me gomone.
“Është një dukuri shqetësuese. Ne kohët e fundit kemi qenë në Shqipëri, bashkë me prokurorët e Leçes, Barit e Katanxators, për t’u takuar me kolegët shqiptarë në Tiranë, për të nxitur bashkëpunim më të ngushtë dhe të kërkojmë hetime edhe në Shqipëri. Në fakt kemi parë se rastet e trafikut e drogës nga Shqipëria janë rritur ndjeshëm”, u shpreh Franko Roberti.
Franco Roberti deklaroi se, tonelata me kanabis po zbarkojnë gjithnjë e më tepër në rajonet e Puglias dhe Kalabrisë. “Kemi parë që trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Kalabrisë dhe Puglias është rritur ndjeshëm. Flasim për tonelata dhe pikërisht disa ditë para se të shkonim në Tiranë, është sekuestruar një ton drogë në Puglia. Në takim u diskutua për këtë çështje, nga ky zbulim, por prej kohësh kemi verifikuar se trafiqet janë rritur ndjeshëm”, tha Roberti.
Në Ministrinë e Brendshme nuk bëjnë komente mbi deklaratat e Robertit, por thanë se presin të kenë takime në javët në vazhdim me kreun e Antimafias italiane dhe me zyrtarë të tjerë në lidhje me shqetësimin e shfaqur nga ana e tyre.
Në shkurt të këtij viti, Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias së Italisë, Franko Roberti dhe prokurorë rajonalë të Leçes, Barit e Katanxaros, ishin në Tiranë, ku zhvilluan takime me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, si dhe me krerët e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme.
Gjatë takimit me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla në Tiranë, kreu i Antimafias italiane deklaroi se, me paratë e trafikut të drogës po financohen organizatat terroriste. Franko Roberti tha se, për të luftuar këtë fenomen dhe për të bashkëpunuar në kohë reale me Prokurorinë për Krime të Rënda, Antimafia italiane ka deleguar në Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri një gjyqtar magjistrat, i cili do të asistojë e ndihmojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe për të rritur bashkëpunimin mes prokurorive.
Trafiku i drogës drejt Italisë është shtuar së tepërmi sidomos në ditët e para të këtij viti. Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, janë rreth 11 ton kanabis sativa që janë transportuar nga Shqipëria në Puglia nëpërmjet detit dhe që janë kapur nga Guardia di Finanza. Ajo që e bën të frikshme këtë shifër është fakti, se gjatë gjithë vitit 2016, në Puglia janë trafikuar 20 ton, ndërsa vetëm në dy muajt e parë të këtij viti është sekuestruar më shumë se gjysma e kësaj sasie.
Pikërisht për këto arsye, për rritjen e trafikut të drogës ka nisur dhe është në vazhdim një hetim që po bëhet nga Guardia di Financa në Marittima, hetim që ka përfshirë edhe Zyrën e Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Ministrinë e Brendshme në Itali.

R.POLISI

Artikulli paraprakPartitë shqiptare ndahen për pushtetin e kryeparlamentarit
Artikulli tjetërOlsi Rama e Gaz Demi zhvatin pronat e ushtrisë për pallate