Kreu i Antimafias: Shqipëria biznes kolosal me drogën

Prokurori i Antimafies italiane, Franco Roberti ka dhënë sërish alarmin për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Vrasja e tmerrshme e katër personave në Foggia të Italisë, mes të cilëve gjendej edhe bosi i klanit të Manfredonias ka kthyer edhe njëherë vëmendjen nga kriminaliteti i madh që ka kapluar zonën e Puglias. Por këtë ngjarje që ka shkaktuar bujë të madhe përtej Adriatikut, prokurori i Antimafies italiane, Franco Roberti e ka lidhur edhe me trafikun e drogërave që vjen nga Shqipëria. “Sot, konflikti është ndezur rreth trafikut të drogës, sidomos të drogave të lehta që vijnë nga Shqipëria. Një biznes kolosal që ushqen oreksin e klaneve dhe që përfshin gjithë bregun Adriatik, nisur nga ai foxhian deri në Europë”, ka thënë ai pas krimit të tmershëm.
Kreu i Antimafies italiane, Franco Roberti që është një njohës i mirë i Shqipërisë ka kërkuar bashkëpunim më të fortë me autoritet shqiptare për gositjen e trafikut të drogës:
“Natyrisht duhet bërë më shumë, edhe në planin e bashkëpunimit ndërkombëtar për të ndaluar lumin e drogave të lehta që vijnë nga Shqipëria, sepse janë pikërisht ato që çojnë në shpërthimin e konflikteve. Ishim në Shqipëri muajin e kaluar për të kërkuar bashkëpumim, takuam në Romë ministrin e Brendshëm shqiptar që premtoi bashkëpunim më të madh. Duhet të fitojmë mbi omertanë dhe për ta bërë këtë duhet krijuar një kulturë e ligjshmërisë që në atë territor është ende periferik”, është shprehur Roberti.
Një njësi vrasësish e përbërë nga katër ose pesë persona u vunë të mërkurën në ndjekje të një makine ku ndodhej objektivi kryesor Mario Luciano Romito, 50 vjeç, i konsideruar si bosi i klanit të Manfredonias, në Gargano. Për vrasjen janë përdorur dy armë, Ak 47 dhe një armë gjahu, kalibri 12. Në fillim vrasësit kanë vrarë Romiton dhe kunatin, Matteo de Pajma që bënte shoferin, më pas janë vënë në ndjekje të një makine ku ndodheshin dy fshatarë që kishin qenë rastësisht dëshmitarë. Vëllezërit Luigi dhe Aurelio Luciani, 47 dhe 43 vjeç nuk ja dolën dot të largoheshin.
Ngjarja ka bërë bujë në Itali, sepse risjell në vëmendje skenat e Siçilisë së viteve ’80 – ’90, por në një rajon si Pulia, kriminaliteti i organizuar i të cilës, deri më tani nuk është konsideruar i të njëjtit nivel me atë të Siçilisë dhe Napolit, por droga shqiptare po ndryshon situatën në terren.
Kreu i Antimafies italiane, Franco Roberti ka deklaruar se shpërthimi i konflikteve mes grupimeve mafioze po vjen si rezultat i drogërave të lehta që mbërrijnë nga Shqipëria. Roberti flet për një biznes kolosal që ushqen oreksin e klaneve, ndërsa kërkon krijimin e një kulture të ligjshmërisë në Shqipëri, që sipas tij vazhdon të jetë periferike.
Kjo nuk është hera e parë që Franko Roberti flet për kriminalitetin shqiptar. Edhe në të shkuarën ai ka bërë deklarata të forta që kanë pështjelluar politikën vendase. Në vitin 2016 në kulmin e mbjelljes së plantacioneve me kanabis në të gjithë Shqipërinë, Roberti bëri deklaratën bombë se, “është trefishuar sasia e drogës që është kultivuar në Shqipëri!”. Po ashtu në një tjetër deklaratë të fortë po atë vit ai tha se, vitet e fundit autoritetet shqiptare e kanë ulur nivelin e tyre të bashkëpunimit me antimafian italiane.
R.POLISI

Artikulli paraprakSekuestrimi i 531 mijë USD, zbulohet skema si pastronte para vlonjati nga SHBA
Artikulli tjetër11 vatra të reja zjarri vetëm ditën e djeshme, situatë e rëndë në Gjirokastër