Opozita ruse, thirrje për bojkot të zgjedhjeve presidenciale

Udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny bëri thirrje për protesta në të gjithë Rusinë më 28 janar për të mbështetur një bojkot të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
Zoti Navalny e bëri thirrjen për protesta sot, të njëjtën ditë që Presidenti Vladimir Putin u regjistrua zyrtarisht si kandidat për t’u rizgjedhur.
Sondazhet tregojnë se zoti Putin ka të ngjarë të fitojë një mandat tjetër gjashtë-vjeçar në zgjedhjet e 18 marsit.
Zoti Navalny është ndaluar të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të një dënimi me burg që ai thotë se ishte i fabrikuar. Dënimi i tij është pezulluar.
Ai thotë se zoti Putin, i cili 17 vitet e fundit ka qenë ose president ose kryeministër, ka qenë në pushtet për një kohë tepër të gjatë. Sipas udhëheqësit të opozitës, popullariteti i zotit Putin ka ardhur kryesisht për shkak të mediave shtetërore të njëanshme dhe një sistemi zgjedhor që përjashton kundërshtarët legjitimë.
Zoti Putin, ish-oficer i KGB-së, kandidon në zgjedhje si i pavarur, vendim që disa vëzhgues besojnë se do ta rriste imazhin e tij si udhëheqës kombëtar në vend që të dilte në rolin e një figure politike partiake.
Aleatët e kanë lavdëruar presidentin Putin për rikthimin e krenarisë kombëtare dhe forcimin e pozitës së Rusisë si udhëheqëse globale me ndërhyrjet ushtarake në Siri dhe Ukrainë.

Kremlini: Navalny do të hetohet

Kremlini ka thënë se autoritetet do të hetojnë nëse lideri opozitar, Aleksei Navalny është duke shkelur ligjin duke bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare.
Navalnyt, i cili ka bërë fushatë për presidentin gjatë gjithë vitit, i është ndaluar edhe zyrtarisht kandidimi për president nga Komisioni Zgjedhor në Rusi.
Presidenti rus, Vladimir Putin është duke garuar për mandatin e tij të katërt dhe sipas sondazheve fitorja e tij është lehtë e parashikueshme.
Navalny ka njoftuar të mërkurën për një mori të marsheve në qytetet ruse për të protestuar rreth vendimit për të, që i ndalon kandidimin për president, në zgjedhjet e marsit më 2018.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Pekov u ka thënë gazetarëve se ai “nuk ka dyshim” se thirrjet e Navalnyt për protesta do të hetohen nga autoritetet për të kuptuar nëse ato janë joligjore.
Videoja e Navalnyt në YouTube, përmes së cilës bën thirrje për protesta nuk ka qenë e qasshme në Rusi, në mëngjesin e sotëm.

Artikulli paraprakSirena të reja kineze për Mandzukiç
Artikulli tjetërRusia paralajmëron SHBA që të mos ndërhyjnë në zgjedhjet presidenciale