KPK dëbon nga sistemi prokurorin Kulluri: Pasuri e pajustifikuar, kontakte me persona të dënuar…

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot të shkarkojë nga detyra prokurorin e Krimeve të Rënda, Përparim Kulluri. Ajo ç’ka e penalizoi Kullurin ishin kontaktet me një person të dënuar në Greqi për trafik droge dhe dyshimet për fiktivitet në deklarime për përfitimin e një shpronësimi. Kulluri mohoi akuzat dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtar Lulzim Hamitaj, vendosi për shkarkimin e tij.

Problemi me pasurinë

Relatorja e çështjes Brunilda Bekteshi vuri në dukje se Kulluri ishte hetuar në të tri kriteret. KPK kishte gjetur pa probleme blerjen e një apartamenti në Tiranë me një kredi të butë në vitin 2006 për 6.5 milion lekë, nga të cilat 1 milion lekë nuk ishin paguar ende dhe pasuria nuk rezultonte e regjistruar.

Pa probleme në dukje ishte edhe blerja e një makine për 2.4 milion lekë. Por relatorja tha se 1.8 milionë lekë të përdorura për këtë pasuri dhe rreth 6 milion të përdorura për të blerë obligacione nga banka, ishin në dukje me probleme në burim.

Bekteshi tha se burimi për këtë pasuri ishin të ardhurat e marra nga shpronësimi i një dyqani në Orikum, në total 7.8 milion lekë. Sipas relatores një ekspertizë financiare e kërkuar nga Kulluri, kishte referuar një sipërfaqe më të madhe të dyqanit nga ajo e deklaruar prej prokurorit në deklarimet periodike, duke bërë të “dukej sikur ai kishte bërë deklarim fiktiv për të rritur vlerën e dëmshpërblimit”.

Sipas Bekteshit godina ishte deklaruar 32 metra katrorë, ndërsa rezultonte në kërkesën për shpronësim si 65 metra katrorë. Ajo po ashtu vuri në dukje se vlera e objektit deklaruar nga prokurori ishte 600 mijë lekë, ndërsa dëmshpërblimi disa herë më i madh.

Kulluri e kundërshtoi këtë pretendim. Ai pranoi se deklarimi në deklaratën periodike të sipërfaqes 32 metra katrorë, nga 65 që ishte realisht, ishte një pasaktësi, ndërsa tha se ekspertiza ishte bërë prej prindërve të tij, por nuk kishte pasur efekt, pasi vendimi për shpronësimin ishte marrë në gjykatë dhe se kjo e fundit kishte bërë një ekspertizë të vetën, shkruan BIRN.

Kulluri po ashtu vuri në dyshim hetimin e KPK, duke shtruar disa pyetje. Në fund të seancës relatorja Bekteshi iu përgjigj duke vënë në dukje detaje të tjera të hetimit. Bekteshi kundërshtoi pretendimin e Kullurit se bashkia e Orikumit kishte refuzuar dëmshpërblimin.

“Bashkia nuk e ka refuzuar dëmshpërblimin, por ka thënë se kërkesa ishte për një objekt tjetër dhe nuk i përgjigjej realitetit”, tha relatorja duke shtuar se po vinte në dukje parimin e “barazisë së armëve” në seancë.

Kulluri tha në seancë se këto dyshime mbështeteshin mbi ekspertizën e porositur nga prindërit. Ai tha se kishte pranuar që kjo ekspertizë kishte pasaktësi si për kohën e ndërtimit ashtu edhe për sipërfaqen. Ai tha se në gjykatë, kur kjo ishte vënë në dukje gjatë shqyrtimit të padisë së tij ndaj bashkisë, i kishte kërkuar mbrojtësit të tij që të kërkonte nga gjykata ekspert të pavarur, të cilët kishin përcaktuar më pas vlerën. Ai këmbënguli se nga akti i pasaktë i ekspertimit nuk kishte pasur pasoja.

Ndërkohë pyetjes nga kryesuesi Komici se sa kate kishte qenë ndërtesa dhe cila ishte sipërfaqja, ai iu përgjigj se bëhej fjalë për një ndërtesë 2-katëshe dhe secili kat ishte 65 metra katrorë. Kulluri cilësoi lapsus të Vendimit të Këshillit të Ministrave, se ai ishte shpronësuar për truall.

Kullurit po ashtu i kaloi barra e provës mbi burimin e të ardhurave për një makinë. Rezultonte se për këtë ai kishte përdorur 12 mijë euro nga shitja e një makine të vjetër, por sipas KPK kjo shitje kishte ndodhur pas pagesës së dy kësteve të para. “Duket se ka qenë në pamundësi financiare për të paguar dy këstet e para”, tha Bekteshi.

Kulluri kundërshtoi këtë duke pretenduar se makina ishte shitur më herët dhe se ai kishte marrë paratë nga një agjent për shitjen, i cili prej këtyre parave kishte mbajtur 5 mijë euro kapar për makinën e re. Ai tha se transferimi i pronësisë kishte ndodhur më vonë.

Lidhja me një person të dyshimtë

Relatorja Bekteshi ndërkohë vuri në dukje se Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar kishte sjellë raport negativ për Kullurin duke e cilësuar atë të papërshtatshëm. Raporti i cili ishte deklasifikuar vetëm pjesërisht ishte lexuar nga KPK dhe vëzhguesit ndërkombëtar.

Nga raporti rezultonte se Kulluri, kishte disa kontakte me një person me inicialet A.B dhe M.B. Personi në fjalë sipas Bekteshit ishte dënuar në Greqi për prodhim e tregtim narkotikësh. Ai po ashtu kishte qenë në gjykim në Shqipëri për vrasje dhe vrasje të mbetur në tentativë. Ai ishte proceduar edhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

Sipas Bekteshit numri i telefonit i Kullurit dhe numri i telefonit i A.B kishin pasur disa komunikime nga viti 2012 deri në vitin 2014. Bekteshi tha po ashtu se ai kishte pasur disa kontakte me këtë person dhe kishte përdorur për 7 kalime jashtë vendit makinën e këtij personi. Ajo tha se dukej se nuk ishte “deklaruar kontakti i papërshtatshëm” në formularin e vetëdeklarimit.

Kulluri nga ana e tij kundërshtoi gjetjet. Ai pranoi se njihte A.B, por tha se kjo njohje kishte ndodhur në vitet 90’ kur ishin studentë dhe se prej asaj kohe ai nuk e kishte takuar asnjëherë më atë person. Ai pretendoi se KPK nuk kishte vërtetuar pretendimin se ai kishte komunikuar në telefon me këtë person. “KPK nuk thotë sa herë kam komunikuar, apo cila është përmbajtja e bisedave”, tha Kulluri duke kundërshtuar këtë gjetje.

Sipas prokuorit ai nuk kishte pasur dijeni se makina që kishte përdorur ishte e A.B, pasi e kishte marrë atë nga pronari i një servisi, i cili i kishte thënë vetëm që ishte makina e një miku të tij që nuk kishte pasur mundësi të paguante për servisin. Ai pretendoi se në letra të makinës ishte emri M.B dhe se ai nuk kishte qenë në dijeni që A.B, kishte ndërruar emrin. Po ashtu ai tha se pronari i servisit e kishte blerë më pas makinën në fjalë.

Kulluri mohoi të kishte dijeni për aktivitetin kriminal të A.B qoftë në Greqi, qoftë për procedimet ndaj tij në Shqipëri. Ai po ashtu mohoi të kishte dijeni për lidhjet e të vëllait me këtë person.

Artikulli paraprakQeveria nuk ka lekë për rrogat! Mësuesve iu shtyhen pagat e Tetorit për në 15 Nëntor!
Artikulli tjetërBiznesmenët italianë letër kryeministrit Conte: Shqipëria e zhytur në korrupsion, jo ajo që reklamohet në media!