Kosovë, vlera e kursimeve të qytetarëve arrin në 3 miliardë euro

Vlera e kursimeve apo depozitave të klientëve në dhjetë bankat komerciale në Kosovë deri në mars të këtij viti ka arritur në 2.9 miliardë euro, ka bërë të ditur Banka Qendrore e Kosovës. Nga kjo shumë, më shumë se 2.1 miliardë euro janë para të kursyera nga ekonomitë familjare, që përbëjnë rreth 72 për qind të totalit të depozitave dhe që pasohet nga korporatat jo financiare me mbi 500 milionë euro. Sipas shënimeve zyrtare, 95 për qind e depozitave janë në vlerën valutore të euros, por qytetarët e Kosovës mjete të kursyera kanë edhe në valuta të tjera shuma e të cilave arrin në 133 milionë. Mbajtja e parave në bankat komerciale nga ekonomitë familjare, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike në Kosovë tregon një pasiguri për të investuar, por edhe një besueshmëri dhe qëndrueshmërinë tek bankat komerciale që veprojnë në Kosovë. Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se depozitat në Kosovë çdo vit shënojnë rritje dhe kjo rritje i ka ndodhur Kosovës edhe gjatë krizës së thellë ekonomike, që kaploi një pjesë të Evropës. “Nëse analizojmë këtë fenomen të kursimeve kaq të mëdha del se një amvisëri në Kosovë ka depozitat më të mëdha sesa depozitat e një amvisërie në shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor. Arsyet janë të ndryshme. Nuk besoj që është elementi i traditës apo kulturës për të kursyer, por më tepër është një pasiguri e qytetarëve për t’i shpenzuar ato para. Një element që ndikon në shtimin e depozitave është siguria mjaft e lartë e sistemit bankar në Kosovë”, thotë Bektashi. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore rritja vjetore e depozitave është 8.5 për qind, derisa norma e interesit në depozita për ekonomi familjare është 0.9 për qind dhe për ndërmarrje 1.2 për qind. Rreth 24 për qind e totalit të depozitave janë të afatizuar. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Milazim Abazi, njohës i sistemit bankar, thotë se normat e interesit në kredi janë shumë të ulëta. “Norma e interesit në kursime janë më të ulëtat në rajon dhe në Evropë. Bankat do të duhej të ndërmarrin iniciativa që qytetarët të kursejnë edhe më shumë në banka. Bankat nuk kanë ku të japin kredi, pasi që edhe bizneset janë të lodhura nga kreditë e larta dhe bankat nuk dinë se çka të bëjnë me depozitat. Po ashtu qytetarët nuk kanë guxim të investojnë pasi që nuk kanë edhe përkrahje nga shteti”, thotë Abazi. Për ekspertë të çështjeve është mjaft shqetësuese që për shkak të një ambienti biznesor jo të sigurt, ekonomitë familjare nuk investojnë dhe mbajnë të ngrira paratë e që në ekonomi paratë, të cilat nuk janë në qarkullim nuk sjellin ndonjë zhvillim. Kosova brenda vitesh, thuhet nga ekspertë të fushës, nuk ka arritur që të krijojë një ekonomi më të zhvilluar, duke u radhitur kështu në mesin e vendeve më të varfra në rajonin e Ballkanit me nivel të lartë të papunësisë, që arrin në mbi 27 për qind dhe me një numër të madh të qytetarëve të saj që jetojnë në varfëri të skajshme.

Artikulli paraprakAferat mafioze e korruptive të lobuesit të Ramës, Harry
Artikulli tjetërEuro nuk arrin të marrë veten në tregun vendas