Kosovë, thellohet defiçiti tregtar

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt 2017. Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 2.7% në muajin shkurt 2017, në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2016, në vlerë prej 174,1 milionë euro, krahasuar me deficitin 169,6 milionë euro në vitin 2016. Eksporti mbulon importin me 12.0%. Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2017 kishte vlerën 23,6 milionë euro, ndërsa importi 197,8 milionë euro, ku është një rënie prej (-1.6%) për eksport dhe një rritje prej 2.2% për import, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 37.1% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.7% e përbëjnë produktet minerale; 10.7% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 9.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.3% e përbëjnë produktet bimore; 4.3% e përbën lëkura dhe artikuj prej saj; 4.4% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.9% të importit e përbëjnë produktet minerale; 13.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.7% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.2% e përbëjnë mjetet e transportit; 8.3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.9% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.3% e përbëjnë produktet bimore; dhe 5.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre etj. Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6,1 milionë euro, ose rreth 25.7% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-11.8%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (5.9%), Holanda (4.1%), Britania e Madhe (3.8%), Austria (2.5%) dhe Bullgaria (2.5%).Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 84,2 milionë euro, ose 42.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1.0%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.4%), Italia (5.2%), Greqia (3.5%), Polonia (2.7%) etj.
Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s, në muajin shkurt 2017, arritën në 10,1 milionë euro, ose 42.9% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 24.6%. Ndërsa, partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (16.3%), Maqedonia (12.6%), Serbia (7.8%), dhe Mali i Zi (4.0%). Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin shkurt 2017, arritën në 60,5 milionë Euro, ose 30.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 19.4%. Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (18.1%), Shqipëria (5.2%) Maqedonia (4.6%), dhe B&H (2.5%).  Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 7,4 milionë euro, ose 31.3%. Kurse, si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: India (11.9%) dhe Zvicra (7.8%). Ndërkaq, importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 52,9 milionë euro, ose 26.8%. Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Kina (8.4%) dhe Turqia (8.4%).

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërAnaliza e riskut me 82 mijë biznese të vogla