Analiza e riskut me 82 mijë biznese të vogla

Sektori i analizës së riskut në Tatime ka shoshitur të dhënat për rreth 82,000 tatimpagues të regjistruar si biznes i vogël pa TVSH. Ky proces i zhvilluar nga Drejtoria e Analizës së Riskut në Tatime ka gjeneruar nga sistemi të gjithë transaksionet e “Blerjeve” në të gjithë librat e shitjeve të tatimpaguesve në nivel kombëtar. Gjatë verifikimeve të ndjekura nga çdo DRT, gjatë vitit 2016 janë ndryshuar përgjegjësitë tatimore si më poshtë: 1,770 subjekte të biznesit të vogël pa TVSH, janë regjistruar biznes i vogël me TVSH; 218 subjekte të biznesit të vogël pa TVSH, janë regjistruar për TVSH-në dhe Tatimin mbi Fitimin; 1,101 subjekte të biznesit të vogël me TVSH janë regjistruar për Tatim mbi Fitimin. Gjatë muajit tetor 2016, tatimet analizuan performancën sektoriale me qëllim identifikimin e sektorëve me risk. Nga drejtoritë rajonale të tatimeve, sektorët më të rrezikuar për shmangie fiskale ishin tregtia me pakicë me 15.5%, tregtia me shumicë më 15.60%, hotelet dhe restorantet me 2.07%, profesionet e lira me 5.8%, ndërtimet publike me 8% dhe agrikultura me 0.4%. Ndërsa në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj, tregtia me shumicë është sektori me më risk për evazion me 17% në pikët totale të riskut. Ndërtimet në sektorin publik janë evazorët më të mëdhenj pas sektorit të tregtisë në bizneset e mëdha. I treti në radhë vjen sektori i tregtisë së karburantit ndër bizneset e mëdha me 6%, më pas në renditje vjen sektori i shërbimeve financiare dhe veçanërisht tregu i sigurimeve. Nga tatimpaguesit e mëdhenj, analiza e riskut nxjerr si evazorë industrinë e plastikës, qelqit, tullave dhe të kimikeve. Në bazë të këtyre evidentimeve, tatimet kanë nisur kontrollet këtë vit. Aksioni ka nisur me profesionet e lira, të cilat tashmë janë informuar dhe janë në fokus të hetimit tatimor për evazion.

Artikulli paraprakKosovë, thellohet defiçiti tregtar
Artikulli tjetërPërkeqësohen treguesit e popullsisë në tremujorin e katërt 2016