Kosovë, Mustafa: Gati për dialog me opozitën

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në një intervistë për Deutsche Wellen mbi debatin me opozitën për demarkacionin me Malin e Zi, dialogun me Serbinë, vazhdimin e mandatit të misionit EULEX dhe Gjykatën Speciale.
– Zoti Kryeministër, sa jeni i bindur se do të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, në parlamentin e Kosovës. Mund të themi se kjo çështje do të kalojë në parlament pa telashe, tashmë ajo është edhe kriter për liberalizimin e vizave?
Ne kemi qenë të befasuar me përfshirjen e çështjes së demarkacionit si kriter në liberalizimin e vizave, sepse një kriter i tillë nuk është aplikuar tek vendet e tjera. Mirëpo, megjithatë ne jemi falënderuar ndaj Komisionit Evropian për dhënjen e rekomandimit pozitiv, por tash duhet të punojmë edhe me deputetët e Kuvendit të Kosovës edhe me opinionin, sepse është politizuar çështja e demarkacionit, në mënyrë që kjo të kalojë në kuvend dhe të ratifikohet marrëveshja me Malin e Zi. E vërteta është se ne nuk e kemi asnjë kontest pronësor apo shtetëror me Malin e Zi, por kemi marrëdhënie të mira në të gjitha fushat dhe mendoj, se ky duhet të jetë argument kryesor që kjo çështje të kalohet. Për neve është me rëndësi që Mali i Zi është deklaruar se në çdo moment ata do të jenë në gjendje të diskutojnë çdo argumentim të ri, në qoftë se eventualisht do të ishte bërë ndonjë gabim në shënimin e vijës kufitare, mirëpo deri tash komisioni nuk ka konstatuar se është bërë ndonjë lëshim në shënimin e kësaj vije kufitare. Ka pasur vërejtje nga opozita, por ne do të mundohemi ta menaxhojmë këtë dhe të ratifikohet.
-Zoti Kryeministër ka zëra brenda koalicionit qeverisës, të cilët thonë se çështja e demarkacionit duhet diskutuar mirë para se të hyjë në parlament për ratifikim. Sa ekziston mundësia që marrëveshja e demarkacionit të mos ratifikohet në parlament, të mos arrihet tek dy të tretat e votave për ratifikim?
Rreziku ekziston gjithmonë, por për ne është me rëndësi që të punojmë në parlament, të punojmë me të gjitha komisionet e kuvendit të punojmë me të gjithë deputetët, sidomos me deputetët që gravitojnë nga pjesa e Dukagjinit, sepse ata janë me të ndieshëm me këtë çështje, sepse atje ka qenë një kufi administrativ që e ka nda atëherë krahinën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi, që ka qenë kufi i ngurtë shtetëror dhe natyrisht njerëzit i kanë shfrytëzuar ato hapësira qoftë për kullosa, qoftë për nevoja të tjera dhe kurrë nuk e kanë konsideruar që vija kufitare i ka ndarë ato, prandaj është vështirë t’u thuhet se ju nuk keni të drejtë të kaloni andej dhe t’i shfrytëzoni ato hapësira, edhe pse me marrëveshje ndërshtetërore mund të bëhet, por ne duhet të punojmë me njerëzit.
-Zoti Kryeministër, jeni të gatshëm të diskutoni me partitë opozitare para se çështja e demarkacionit të shkojë në parlament për ratifikim?
Gjithsesi, ne kemi qenë të gatshëm ta diskutojmë edhe kur ishte komisoni, jemi ulur në një tavolinë edhe me opozitën dhe me rëndësi është që pra që jemi ulur bashkë, ka pasur qëndrime kundër të opozitës, por ne jemi të gatshëm prapë që të ulemi dhe me mendje të ftohtë dhe të arsyeshme t’i bisedojmë të gjitha këto çështje dhe të gjejmë një zgjidhje të përbashkët.

Artikulli paraprakRama takim me Rroshin në Itali
Artikulli tjetërRusia shokon Anglinë në shtesë