Kosova s’ka qen

Edison YPI

Më pat marrë malli për perrinë e Sharrit, hyjninë e Istogut, eleganten e Prizrenit. Anipse e korruptuar dhe e islamizuar, po digjesha për hiret, nazet e Saj, me ja bo ca komplimenta, ca ledhatime, me e kap për qafe, me e puth në faqe. Mezi po duroja me ja heq Kosovës të gjitha rrobat. Dorpërdore me Kosovën cullak dhe flokët që ja merr era, me shetit nga Kaçaniku në Leposaviq, nga Deçani në Kamenicë. Nuk u nisa në Kosovë se më mori malli për imamët rrogëtarë pëllitës, as për ministrat hajduta. U nisa në Kosovë për qef. Kur kisha bërë disa kilometra drejt Prizrenit, nuk po u besoja syve; Ku janë qentë e shtypur me zorrë përjashta nga rrotat e makinave si në autostradat e Shqipërisë? Këtu makina ka, pse s’ka edhe qen të shtypur nga rrotat? Ku po e çon breshka e progresit këtë vend me makina dhe rrota, por pa pellgje gjaku qensh të shtypur? Deri në Kukës pashë të paktën dhjetë qen të shpartallum nga rrotat e makinave. Shqipëria është plot me qen, makina, rrota. Në Tiranë vetëm rrotull shtëpisë time janë nja shtatë a tetë që kanë qënë spiunë dhe tani mbahen për demokratë të dorës së parë. Mijëra të tjerë me kryt nga hëna kuisin nëpër zyra e nëpër rrëza, pranë restoranteve, nëpër sheshe, ca zgjuar duke marrë frymë me zor, të tjerë kutullaç duke fjetur, duke dremitur, duke u krruajtur. I habitur nga kjo asimetri numerike qensh të shtypur nga rrotat, ndala në Suharekë. Rrotull kasapit të Suharekës, asnjë qen. Ky konstatim u bë sebep të më shtohet interesimi për me mësu më tepër për qentë e Kosovës të cilët mungonin edhe aty ku gjithmonë janë prezent, në thertore. Ku janë, si janë, çfarë hanë, çfarë lëpijnë vallë qentë kosovarë? Në një Restorant pa qen te dera dhe as brenda, mik i hershëm nga Dobërdalani po ha e pi me dikend me mustaqe të trasha si degustator birre dhe një tjetër me një seriozitet epik në surrat sikur sapo ka dalë nga një ep. Ne kosovarët, tha miku nga Dobërdalani, nuk kemi pyje të prerë, nuk kemi kamarierë që të shajnë nga mami po u hyre në restorant, nuk kemi qen zorraxhinj nëpër rrugë e nëpër kazana. Autostrada nuk është për ty. Kalo nga Budakova. Bëra si tha miku. Duke u ngjitur në drejtim të Bjeshkës, para Budakovës, një kalimtar që s’dukej si qen më qartësoi; Kemi kryesisht qen stani me e rujt bagëtinë mos me e ça ujku. Nuk mundesh me i pa qent e stanit se janë larg në bjeshkë. Në katund kemi qen seriozë, qen gjahu. Për qen kockash, qen rrugësh, qen plehrash, nuk bëhet fjalë. Budakova është një ballkon natyror prejnga mundesh me pa gjysmën e Kosovës pa qen dhe një copë shqipërie që po ta shohësh me dylbi është plot me qen. Disa budakovarë të rinj në verandën e një lokali; Kemi shpia, kemi kerra, kemi UÇK, kemi emigracion, kemi pare. Kemi dhe një kerr të policisë serbe që deshte me na shkel si kerrat e Shqipnis shkelin qent. Atë kerr kriminel, ne budakovarët trima e dogjëm gjatë luftës. Qenin e djegur e kemi vu anës rrugës si muzeum në natyrë. Qen si ata që thua zotrote nuk kemi. I shmangem me kujdes ftesës insistuese të budakovarëve për me ndejt për drekë e darkë me mish e pilaf e muhabet, dhe bëj tutje. Tabelat e panumurta të rrugëve nuk kanë emra qensh, emra atentatorësh halabakë, si rrugët e Shqipërisë. Kanë emra luftëtarësh të UÇK. Katunde mahnitëse njëri më i bukur se tjetri, fusha të mbjella, panorama pyjesh dhe shkëmbinjsh në të majtë e të djathtë rrëshqasin si në dy filma që çfaqen njëkohësisht për secilin sy. Shtëpitë, kopështet, arat, gjithçka e skalitur, gjithçka si e vizatume me kompjuter. Por, çudi e madhe, asnjë qen. Asnjë qen edhe pranë apo brenda disa restoranteve në vende turistike ku kamarierët përgjigjen me mirsjellje për gjithçka i pyet. Kalimtari, çuni i minimarketit, shoferi i furgonit, një çoban, një fëmijë me çantë shpine, çika që pret autobuzin, për çfarë i pyet të gjithë pa përjashtim të përgjigjen si njerëz, jo si qen. Diku në një burim në majë të malit që u qujtke “Kroi i Mbretit”, kosovarë e kosovaresha kanë ndal makinat, po pijnë ujë, po freskohen e po çlodhen duke kqyrur pamjen sy-lumturuese. Pranë burimit duke lëpi mbeturinat, duke u krrujt a duke flejt, asnjë qen. Më tutje, ku mbaron bjeshka dhe fillon fusha, kompleksin modern të banjave nuk e ka ndërtu një qen për qentë por një njeri për njerzit.

Artikulli paraprakVendimi skandaloz i Kolegjit: I 19-ti në listë është para të 17-tit
Artikulli tjetërProblemi jeni Ju, zoti Kryeministër!