Kosova do të rishikojë marrëdhëniet me Serbinë

“New York Times”

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj tha të premten se vendi i tij i është kundërpërgjigjur fqinjëve të Serbisë e do ta përsërisë një gjë të tillë sërish, pasi një ish-kryeministër ishte arrestuar në Francë mbi një urdhër arresti të lëshuar nga Beogradi.
Arrestimi të mërkurën i Ramush Haradinajt, një komandant luftëtarësh shqiptarë gjatë luftës 1998-1999 kundër dhunës serbe dhe që për një kohë të shkurtër ka shërbyer edhe si kryeministër në 2004 dhe 2005 i ka ngritur tensionet mes dy fqinjëve ballkanikë.
Kosova u shkëput nga Serbia në vitin 2008. Të dy shtetet kërkojnë që t’i bëhen anëtarë të Bashkimit Europian, por Brukseli thotë se ato duhet të normalizojnë marrëdhëniet njëherë përpara se të vazhdohet me aplikimin. Partitë e opozitës në Kosovë kanë bërë thirrje që bisedimet nën mbikëqyrjen e BE të ndalojnë.
“Dje ne morëm masa reciproke me Nikoliç dhe ne do ta bëjmë një gjë të tillë sërish në të ardhmen”, ka thënë Hoxhaj reporterëve në Prishtinë. “Duhen rishikuar marrëdhëniet tona me Serbinë dhe duhet të bëhet gjithashtu edhe një rishikim i dialogut”.
Gjithashtu të premten protestues shqiptarë në qytetin perëndimor të Gjakovës, shumica familjarë të personave të vrarë nga trupat serbe gjatë konfliktit 1998-1999, qëlluan me gurë një autobus që mbante qytetarë serbë që shkonin për të festuar Krishtlindjet Ortodokse.
Hoxhaj tha se, Serbia ka lëshuar ende më shumë urdhër arreste ndërkombëtare për qytetarët kosovarë, duke u kufizuar atyre mundësinë për të udhëtuar jashtë kufijve të Kosovës. Serbia gjithashtu nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës e bashkë me aleaten e saj Rusinë po bllokojnë përpjekjet e Prishtinës për t’u anëtarësuar në OKB apo edhe në institucione të tjera ndërkombëtare.
Haradinaj, i cili doli përpara një gjykate franceze të enjten, do të mbetet në burg deri sa Serbia të dërgojë një urdhër formal ekstradimi, të cilin Gjykata do ta ekzaminojë më pas.
Serbia e akuzon Haradinajn për vrasje të serbëve në luftën e fundviteve 1990. Ai konflikt u mbyll, pasi NATO bombardoi Serbinë për 11 javë që të detyronte këtë të fundit të tërhiqte trupat që kishin vrarë më shumë se 10 000 qytetarë të kombësisë shqiptare që janë shumica e popullsisë në Kosovë, gjatë operacioneve në përgjigje të kryengritjes.
Mijëra mbështetës të partisë së Haradinajt u mblodhën të premten përballë ambasadës franceze në Prishtinë, duke mbajtur flamuj amerikanë dhe shqiptarë nën rreshje të dendura dëbore. Një banderolë thoshte: “Mos e fyeni Kosovën”.

Artikulli paraprakMuri i ri kufitar me Meksikën
Artikulli tjetërI hodhi salcë ministres Nikolla, merret në pyetje studentja Ruko