Korrupsioni, lirohet ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve

Ish-zv/drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Iljaz Labi, lë qelinë e burgut pas 10 muajve izolim. Janë pesë gjyqtarë të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, të cilët vendosën ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në atë të “arrestit shtëpiak”. Bëhet e ditur se, arsyeja e ndryshimit të masës është fakti se Labi ka probleme shëndetësore dhe për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, ku ka marrë edhe statusin e të penduarit. Pasi ka qenë dëshmia e Labit, ajo që ka çuar në pranga ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto, për akuzën e “korrupsionit të zyrtarëve të lartë”.
Sipas Prokurorisë, ish-zv/drejtori Labi ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ku ka treguar të gjithë skemën e abuzimeve me tenderat e ushqimeve nga burgjet. Në dëshmi, ai ka sqaruar se ka luajtur rolin e ndërmjetësit mes kompanive fituese të tenderit të ushqimeve dhe shefit të tij tashmë i arrestuar Artur Zoto. Për këtë tender, ka thënë Labi në Prokurori, Zoto kishte kërkuar 20% të vlerës totale, por që me ndërmjetësimin e ish-zv/drejtorit kompanitë kanë paguar vetëm 10% të shumës, para të cilat Labi pretendon se ia ka dorëzuar shefit të tij, Zoto në zyrë. Me dorëzimin e parave, sipas Iljaz Labit, ish-drejtori i Përgjithshëm ka firmosur dhe shpallur fituesit e tenderit të ushqimeve. Nga ana tjetër, vetë Zoto pas arretimit ka mohuar përfshirjen në afera korruptive, duke akuzuar ish-vartësin e tij Labi për mashtrim.
Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj Iljaz Labit dhe përfaqësuesve të kompanive fituese të tenderit të ushqimeve ka nisur dhe ndodhet në fillesat e tij. Ndërsa për ish-drejtorin e Përgjithshëm, Zoto hetimet po vazhdojnë të veçuara nga të dyshuarit e tjerë.
Zoto që u dorëhoq nga detyra pak kohë më parë, dyshohet se është i përfshirë në korrupsionin me tenderat e ushqimeve, për të cilat u arrestua zv/drejtori i burgjeve Iljaz Labi. Një seri bisedash të përgjuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë ngritur dyshime të forta për implikimin në aferat korruptive në tenderat e ushqimit në burgje, dhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Artur Zoto. Në dosjen hetimore, ndodhen dhjetëra procesverbalë me biseda të transkiptuara, të cilat tregojnë se drejtori Zoto, tashmë i dorëhequr ka qenë në dijeni të këtyre aferave korruptive, dhe se Iljaz Labi nuk bënte asnjë hap, pa miratimin e Zotos. Ndaj këtij të fundit prokuroria nuk lëshoi asnjë urdhër-arresti. Por dy ditë pas operacionit të arrestimit të zvendësit të tij, Iljaz Labi dhe katër biznesmenëve Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani e Nexhmi Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka dhënë dorëheqjen, duke e justifikuar largimin se ishin motivet personale dhe familjare të tij, që e çonin në largimin nga kjo detyrë.

Artikulli paraprakPërballja vazhdon deri në fitoren e plotë
Artikulli tjetërZjarr në Komisariatin e Policisë Kavajë