Korrupsioni 50 mijë euro, sekuestrohen llogaritë e bashkëshortit të gjyqtares

Sekuestrohen llogaritë bankare të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea dhe bashkëshortit të saj, Odhise Andrea. Me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykata e Lartë vendosi sekuestro preventive mbi llogaritë bankare, në shumën 50 mijë euro, në emër të Odhise Andrea, bashkëshort i gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea. Dy bashkëshortët dyshohen se kanë kryer veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve…”.
Nga hetimi i Prokurorisë janë krijuar dyshime të arsyeshme se gjyqtarja Andrea ka marrë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, shumën prej 50 mijë euro, nga disa persona, të cilët ishin palë në një proces gjyqësor civil në Gjykatën e Lartë.
Prokuroria e Përgjithshme kërkoi nga Gjykata e Lartë vendosjen e sekuestros preventive mbi disa llogari bankare të Odhise Andreas në vlerë totale 50 mijë euro (shumë e njëjtë me atë që dyshohet se është marrë në formë korruptive). Llogaritë bankare të bllokuara gjenden në dy banka të nivelit të dytë. Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme u pranua nga ana e Gjykatës së Lartë.
Ndaj Odhise Andreas u lëshua urdhër-arresti më 16 korrik, pasi dyshimeve të arsyeshme se bashkëshorti i gjyqtares i kishte marrë 50 mijë euro më 11 korrik një shtetasi nga Saranda, i cili ishte në një proces gjyqësor në Gjykatën e Lartë për një sipërfaqe toke prej 40 hektarësh, vendimi për të cilën u mor në favor të tij më 12 korrik të këtij viti.
Prokuroria e Përgjithshme ka siguruar një bashkëpunëtor në dosjen e korrupsionit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, tashmë të pezullar nga detyra, Majlinda Andrea. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se 60-vjeçarja Eleni Lino, një nga trashëgimtarët e 40 hektarëve tokë në zonën e Butrintit, ka pranuar para Prokurorisë mënyrën e korruptimit të gjyqtares Andrea.
Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori Arben Kraja, mësohet se, 60-vjeçarja Lino ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, duke treguar me detaje të gjithë rrugën e ndjekur që nga Gjykata e Shkallës së Parë deri në atë të Gjykatës së Lartë. Ajo ka treguar se në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të Apelit, trashëgimtarët e kësaj prone nuk kishin paguar para.
Por kanë firmosur para noterit disa kontrata premtimi për sipërfaqe të caktuara toke, për personat që kanë ndikuar që vendimi të ishte në favorin e tyre. Ndërsa në Gjykatën e Lartë, Lino është shprehur se nuk kanë pranuar tokë, por donin para cash. Për këtë fakt, ajo thotë se ka kontaktuar me Petraq Dashin, bashkëshortja e të cilit është përfituese nga kjo pronë, për të kontaktuar me Odhise Andrean bashkëshortin e gjyqtares.

Artikulli paraprakBanda vazhdon të sundojë në Kavajë, Ramës i duhet firma e Rroshit për pazaret e fundit
Artikulli tjetërZjarri në Spitalin Amerikan, shkon në 4 numri i viktimave