Konkurrenca shqyrton përthithjen e Veneto Banca nga Intesa Sanpaolo

Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur se ka marrë njoftimin e thjeshtuar të përqendrimit në lidhje me një transaksion financiar që realizon shitjen dhe transferimin e disa aseteve, detyrimeve dhe marrëdhënieve ligjore të ndërmarrjeve Veneto Banca S.p.A, Banca Popolare di Venecia S.p.A tek Intesa Sanpaolo S.p.A. Intesa Sanpaolo S.p.A është një shoqëri e regjistruar në Itali dhe është shoqëria mëmë e Intesa Sanpaolo Group, një nga grupet më të mëdhenj bankare italiane. Grupi është i pranishëm në Shqipëri nëpërmjet filialit në pronësi të plotë të tij, Intesa Sanpaolo Bank Albania SHA që operon me një rrjet prej 29 degësh dhe 3 agjencish të shpërndara në vend. Transaksioni nuk përfshin ndonjë nga asetet e Banca Popolare di Venecia S.p.A në Shqipëri pasi kjo bankë nuk është prezente në Shqipëri, ndërkohë që përfshin të gjithë kapitalin e Veneto Banka Albania SHA, e cila është një filial në pronësi të plotë të Veneto Banca S.p.A. Autoriteti, në fund të njoftimit, ka ftuar palët e interesuara të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Transaksioni

Në fund të muajit qershor të këtij viti, grupi Intesa San Paolo Bank në Itali bleu pjesën e mirë (good Bank) të aktiveve të Bankave të provincës së Veneto-s. (Veneto Banca dhe BancaPopolare di Vicenza), në një lëvizje, që së bashku me dekretin e Qeverisë Italiane për likuidimin e pjesës së keqe të tyre, (bad Bank) i dha fund një krize që po vazhdonte të paktën prej dy vitesh dhe që po testonte sistemin financiar italian, të zhytur në barrën e kredive të këqija.
Menjëherë më pas, Banka e Shqipërisë njoftoi se për sektorin bankar shqiptar, kjo do të thotë që “Banka Veneto sh.a”, deri më parë e zotëruar plotësisht nga grupi bankar “Veneto Banca”, tani do të zotërohet nga grupi bankar “Intesa Sanpaolo” dhe aktiviteti i saj do të bëhet pjesë e këtij grupi bankar. Ndryshimi i aksionerit do të ruajë treguesit e mirë të bankës dhe do të përmirësojë administrimin e saj. Si edhe në raste të tjera të ngjashme, ndryshimi i aksionerit do të jetë një proces i pandjeshëm për veprimtarinë e përgjithshme, për depozituesit dhe për klientët e tjerë të bankës.
Intesa San Paolo është banka e katërt më e madhe në Shqipëri, sipas aktiveve. Në fund të vitit 2016 totali i aseteve të saj ishte rreth 1.1 miliard euro, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, apo rreth 11% të totalit të sistemit. Ashtu si në Itali, edhe në Shqipëri, Intesa Sanpaolo është nga më të shëndetshmet dhe më fitimprurëset e sistemit bankar shqiptar. Në vitin 2017, filiali i Shqipërisë raportoi një fitim prej rreth 17 milionë eurosh. Veneto Banka në Shqipëri ka një peshë të vogël në sistemin bankar vendas. Ajo renditet e 12-ta, me një total aktivesh prej 190 milionë eurosh, apo 1.8% të totalit të sistemit bankar.

Artikulli paraprakAfera me pronat, Gjiknuri pronar në Zvërnec e Karaburun
Artikulli tjetërDeficiti në energji, prodhimi bie me 26%, konsumi rritet me 7.8% në janar-qershor