Afera me pronat, Gjiknuri pronar në Zvërnec e Karaburun

Një nga portalet më të afërta me qeverinë ka postuar dje një denoncim të fortë për Gjiknurin, ministrin e afërt të Ramës në aferën e konsideruar si të shekullit atë të dosjes së CEZ. Portali në fakt nuk ka pasur në qendër këtë skandal, por një tjetër aferë me tokat në bregdet ku është i përfshirë direkt mnistri Gjiknuri. Bëhet fjalë për sipërfaqe të konsiderueshme tokash në Karaburun dhe Zvërnec dy perla të natyrës shqiptare tek të cilat kanë shtrirë tentakulat e tyre, ministra dhe deputetë të PS, si Gjiknuri dhe Fidel Ylli. Dosja është marrë në hetim nga Prokuroria dhe toka është sekuestruar, ndërsa kanë dalë edhe emrat që kanë përfituar këto toka me dokumenta të falsifikuara.
Kanë qenë dy lajme, në dukje të parëndësishme të emetuara nga media, referuar dhe vendimeve të organeve ligjzbatuese, ato që kanë nxjerrë në pah ndikimin e fortë të superministrit Gjiknuri në Karaburun dhe Zvërnec. Ndikim ky i përkthyer në pronësi, herë-herë të paligjshme dhe të falsifikuar, në publik e fshehur pas emrash të tjerë, por që në të vërtetë me hipotekë janë në pronësi të Gjiknurit apo xhaxhait të tij. Ku ka përfituar pronësi në Karaburun dhe Zvërnec me vlera fillestare dhe shtetërore në të dyja rastet mbi 210 milionë euro. Ndërkohë që tashmë vlera e saj është shumëfishuar, në tregun privat, sipas kërkesë-ofertës dhe jo sipas parametrave të shtetit. Kështu, Prokuroria e Vlorës ka vendosur masën e sekuestros për 89 hektarë tokë në bregdetin e Zvërnecit, me vlerë 110 milionë euro. Nga hetimet e Prokurorisë rezulton se, prona është tjetërsuar përmes një procesi zinxhir falsifikimesh në emër të personit që rezulton pronar edhe në rastin e truallit në Karaburun, sekuestruar nga Prokuroria e Vlorës rreth dy javë më parë.
Nga hetimet e Prokurorisë ka dalë dhe emri i gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi, i cili rezulton se nuk ka qenë gjyqtar në datën kur rezulton vendimi i gjykatës për njohje pronësie. Ndërkohë që media thotë me zë dhe figurë se vijon sekuestrimi i pronave në qytetin bregdetar, të cilat dyshohen se janë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme, por dhe janë vënë në pronësi në mënyrë të paligjshme.
Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar 89 hektarë tokë në zonën e Zvërnecit, me vlerë rreth 110 milionë euro sipas çmimeve zyrtare, e dyshuar se është përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Raimond Mëzi, të cilit disa ditë më parë iu sekuestruan 220 ha tokë në Karaburun me vlerë njëqind milionë euro. Skema e përdorur këtë rast sipas Prokurorisë është realizuar në të njëjtën mënyrë dhe nga të njëjtët persona, të cilët kanë regjistruar në mënyrë të paligjshme edhe 220 hektarë truall të sekuestruar tashmë, në zonën e Karaburunit.
Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka kërkuar caktimin e sekuestros preventive mbi këtë sipërfaqe, kërkesë e cila është pranuar nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Në bazë të hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, rezulton se trualli 89 hektarë në zonën e Zvërnecit është regjistruar në Hipotekën e Vlorës, në bazë të dokumentave të falsifikuar dhe nëpërmjet një procesi gjyqësor njohjeje prone, tërësisht fiktiv. Në kuadër të hetimit, Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar praktikën e njohjes dhe më tej regjistrimit të kësaj prone. Prokuroria thotë se nga aktet hetimore, rezulton se shtetasi Raimond Mëzi është njohur me vendim gjyqësor si pronar i sipërfaqes 89 hektarë, në bazë të një vendimi gjyqësor të vitit 2003, dhënë nga gjyqtari Skerdilajd Konomi. Prokuroria e Vlorës e ka konstatuar tërësisht fiktiv këtë vendim, pasi, në kohën e dhënies së vendimit, i ndjeri Konomi nuk ka qenë gjyqtar. “Nga sekuestrimi i dosjes gjyqësore, që i përket Vendimit të mësipërm nr. 2217, datë 29.12.203 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, rezulton se kjo dosje, pasi është falsifikuar është bërë pjesë e arkivit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Ky fakt provohet edhe nga sekuestrimi i numratorit civil të vitit 2003, ku duket qartë se janë shtuar në këtë libër të dhënat e vendimit të mësipërm gjyqësor. Pra, del qartë se është përdorur i njëjti mekanizëm që është përdorur për të falsifikuar dhe pastaj bërë pjesë të arkivit edhe dosjen gjyqësore, që i përket Vendimit nr. 1360, datë 29.12.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, lidhur me sipërfaqen 220 ha tokë në Karaburun, si dhe nga të njëjtët persona”.
Gjithashtu rezulton se edhe Vendimi nr. 100, datë 19.04.1996 i ish-KKKP-së Bashkia e Qytetit Vlorë, në emër të subjektit të shpronësuar Jakup Mëzi (paraardhës i Raimond Mëzi), si dhe nota e transkriptimit, në favor të shtetasit Jakup Mëzi, që janë paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, janë dokumente të falsifikuara. Po ashtu, nga hetimi i Prokurorisë provohet se pasuria e përshkruar në vendimin e mësipërm të falsifikuar është regjistruar pranë ZVRPP Vlorë nga personi nën hetim Blerina Dhrami. Nga hetimi është provuar se pas regjistrimit të pasurisë së mësipërme mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, janë kryer veprime tjetërsimi, duke kaluar e gjithë pasuria në emër të personave të tretë. Nga hetimi i deritanishëm, rezulton qartë se pasuria e paluajtshme me sipërfaqe 89 hektarë, regjistruar fillimisht në emër të shtetasit Raimond Mëzi është produkt i veprave penale të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 248 të Kodit Penal. Kjo pasuri është regjistruar mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, si dhe në kundërshtim me Ligjin Nr. 33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” e udhëzimet përkatëse. Rezulton se në lidhje me këtë pasuri janë kryer veprime juridike tjetërsimi, me qëllim fshehjen e origjinës së pasurisë, e cila është produkt i veprave penale të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 248 të Kodit Penal.

Rajmond Mëzi, një ish-punëtor varrezash dhe i këputur del pronar tokash

Raimond Mëzi, një 55-vjeçar nga Vlora që ka punuar për vite të tëra në varrezat e qytetit dhe që jeton në një shtëpi të varfër në lagjen “Partizani” është sipas hetimit 1-vjeçar të Prokurorisë, përfituesi kryesor i tokës së tjetërsuar në bregdet. Mëzi akuzohet si autor i falsifikimit të dy dosjeve gjyqësore dhe dokumenteve shoqëruese me qëllim përfitimin e 309 hektarëve tokë-vepër të cilën sipas Prokurorisë e ka kryer në bashkëpunim me avokatin e tij, Enkes Hysendhima, arkivisten e Gjykatës së Vlorës, Donika Besimaj dhe punonjësen e Hipotekës, Blerina Dhrami. Ai është regjistruar si pronar i 220 hektarëve tokë në Karaburun dhe 89 hektarëve të tjerë në vendin e quajtur Shën Velash në Zvërnec, prona që sipas Prokurorisë kanë një vlerë tregu prej 210 milionë eurosh. Në zemër të falsifikimit të pronësisë qëndrojnë dy procese të pandodhura gjyqësore. Vendimi i parë gjyqësor që njeh Mëzin si pronar të tokës në Karaburun mban datën 29 dhjetor 2000, i nënshkruar nga gjyqtari Thoma Nika. Ndërsa vendimi i dytë gjyqësor që i njeh atij pronësinë e 89 hektarëve në Zvërnec mban datën 29 dhjetor 2003 dhe firmën e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i vrarë në një atentat me tritol në vitin 2011. Pas dhjetëra ekspertimeve grafike dhe dëshmive përkatëse, Prokuroria e Vlorës ka arritur në përfundimin se proceset gjyqësore nuk kanë ndodhur asnjëherë, firmat e gjyqtarëve janë falsifikuar dhe se dosjet përkatëse janë krijuar me dokumente të falsifikuara dhe janë futur në arkivën e Gjykatës së Vlorës nga personi përgjegjës i Arkivës, Donika Besimaj.

Prokuroria e detyruar “ngre” nivelin e hetimit…!

Prokuroria ka hetuar gjithashtu regjistrimin e dy pronave në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, ku rezulton se është përdorur aplikimi i një personi tjetër për të krijuar dokumente të reja të falsifikuara-përgjëgjësi që i ngarkohet të pandehurës Blerina Dhrami. Zanafilla e falsifikimeve të njëpasnjëshme ngrihet mbi një Vendim të vitit 1996 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit në Vlorë, sipas së cilës Jakup Mëzit-baba i Raimond Mëzit i njihet një sipërfaqe prej 6600 metrash katrorë tokë. Mbi këtë dokument është prodhuar një tjetër i falsifikuar, që presupozon se familja Mëzi zotëron 220 hektarë. Në dëshminë e tij për Prokurorinë, Raimond Mëzi hedh poshtë akuzën se ai është përfituesi i 309 hektarëve tokë në Karaburun dhe Zvërnec. Mëzi ka deklaruar në Prokurori se nuk kishte dijeni për vendimin e falsifikuar të KKKP Vlorë që e bën atë pronar të 220 hektarëve tokë, ndërsa mohon të ketë ngritur padi në Gjykatën e Vlorës apo të ketë bërë aplikim për regjistrimin e tokës në Hipotekë. “Sipas tij, aplikimi mund të jetë bërë nga avokati i tij, Enkes Hysendhima, pasi ky i fundit duke vepruar në emrin e tij, ka shitur disa prona në Karaburun dhe i ka dhënë shumën prej 4 milionë lekësh me këste, si çmim për shitjen e kësaj prone”, citohet të ketë dëshmuar Mëzi në kërkesën për gjykim.
Mëzi ka pranuar në Prokurori se ka nënshkruar kontratatë që mbajnë firmën e tij, por ai ka shtuar se nuk ka asnjë dijeni mbi përmbajtjen e tyre, pasi ka nënshkruar në fletë të bardhë. “Ky shtetas ka deklaruar se është paraqitur tre herë pranë zyrës së noteres [Belona Seraj] dhe ka nënshkruar në të tre rastet fletë të bardha bosh. Pranë zyrës së noteres, ai është dërguar nga i pandehuri Enkes Hysendhima, i cili i ka telefonuar në të tre rastet që të paraqitej para noteres për të nënshkruar”, thuhet në kërkesën për gjykim.

Xhaxhai i ministrit, Thoma Gjiknuri, pronar në Karaburun dhe Zvërnec

Në kërkesën për gjykim të Prokurorisë dhe kontratat e shitjes tregojnë, se Mëzi u regjistrua si pronar në fund të vitit 2012 edhe pse nuk aplikoi asnjëherë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive. Menjëherë pas këtij akti, pronat u ndanë në sipërfaqe më të vogla dhe u shkëmbyen apo u shitën me pjesë. Në 2 tetor 2014, në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë pasuria prej 220 hektarësh është ndarë në dy sipërfaqe, njëra 90 hektarë dhe tjetra 130 hektarë.
Një javë më pas, më 10 tetor 2014, përfaqësuesi me prokurë i Raimond Mëzit, avokati Enkes Hysendhima ka firmosur kontratën e shitjes së 90 hektarëve tokë në Karaburun me kompanitë “House of Arts” dhe “Digitalnetworks”-kontratë me vlerë 180 000 euro.
“House of Arts” është një kompani organizimi eventesh e deputetit socialist, Fidel Ylli, por që administrohet nga personi i besuar, Elida Heba.
Ndërsa “Digitalnetworks” zotërohet nga biznesmeni Gerian Kuka, njëherazi konsull nderi i El Salvadorit në Shqipëri. Pas shitjes së 90 hektarëve për 180 mijë euro, pjesa e mbetur prej 130 hektarësh në Karaburun i kalon përmes një kontrate shkëmbimi Artur Shehut, një personazh kontrovers i viteve të tranzicionit në Vlorë, i cili jeton prej dy dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në vjeshtën e vitit 2014, kur kulmuan transaksionet mbi 220 hektarët në Karaburun, Pullumb Petritaj dhe Enkes Hysendhima janë bërë ortakë në një shoqëri aksionere për ndërmjetësime dhe transaksione të pasurive të paluajtshme.
Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Bizneseve, kompania “Land and Property Development” u themelua më 27 tetor 2014 me një kapital fillestar prej 3.5 milionë lekësh. Kompania me administrator Pullumb Petritaj rezulton të jetë ende aktive. Petritaj dhe Hysendhima zotërojnë nga 33% të aksioneve, ndërsa 34 për qind e aksioneve zotërohen nga biznesmeni Gent Prizreni. Transaksioni është kryer më 4 dhjetor 2014, ndërsa kontrata e shkëmbimit mban firmat e Enkes Hysendhimës, përfaqësues me prokurë i Raimond Mëzit dhe Pullumb Petritajt, përfaqësues i Artur Shehut në të gjitha veprimet ligjore. Sipas Prokurorisë, përmes kontratës me nr: 1081 rep dhe nr: 613/1 kol Mëzi shkëmbeu 130 hektarë tokë në Karaburun me një sipërfaqe prej 19.9 hektarësh në pronësi të Artur Shehut. Pasi u bë pronar i 130 hektarëve në Karaburun, Artur Shehu përmes përfaqësuesit të tij me prokurë, Petritaj e ka ndarë pronën në 4 pjesë përgjatë periudhës mars-tetor 2015.
Në mars të vitit 2015, pesë hektarë i janë shitur biznesmenit Arian Laçi me një vlerë prej 9 milionë e 850 mijë lekësh. Ndërsa në janar 2016, Pullumb Petritaj ka firmosur gjithashtu shitjen e 20 hektarëve tokë te biznesmeni vlonjat Thodhori Gjiknuri dhe gruaja e tij për 39 milionë e 600 mijë lekësh. Përveç 130 hektarëve në Karaburun, Artur Shehu rezulton të jetë përfituesi kryesor edhe i sipërfaqes prej 89 hektarësh në Zvërnec, të cilën e ka përfituar gjithashtu përmes kontratës së shkëmbimit. Të gjitha kontratat për tokën në Zvërnec janë firmosur sërish nga përfaqësuesi Petritaj. Humbja e shumave të mëdha të parave për blerjen e tokave në bregdet ka zemëruar përfaqësuesit e kompanisë “House of Arts” dhe biznesmenin Thodhori Gjiknuri. Ata thanë se janë viktima të falsifikimeve dhe kanë paralajmëruar veprime të tjera ligjore kundër personave që u shitën pasuritë. “Në këto transaksione kemi humbur shuma të konsiderueshme parash, ndaj sigurisht që do ta ndjekim çështjen ligjërisht, pasi jemi viktima të kësaj skeme falsifikimi”, tha Elida Heba. Njësoj si Heba, edhe ndërtuesi Gjiknuri është duke pritur përfundimin e hetimeve për të ngritur padinë e tij. “Unë do të padis ata që më shitën këtë pronë. Por sigurisht që përgjegjësi duhet të mbajnë dhe ata përfaqësues së institucioneve shtetërore, të cilët çertifikojnë dokumentet zyrtare”, tha Gjiknuri. Pra, një lëmsh falsifikimesh, për përfitime të mëdha në zonën më të begatë turistike të bregdetit shqiptar kanë prapa superministrin Damian Gjiknuri, i cili përmes xhaxhait të tij përvetëson prona në bregdet. Të përzier në këto afera janë nivelet më të larta të politikës, por dhe të Prokurorisë dhe Gjykatës.

Në artikull janë përdorur edhe dokumente të botuara te rrjeti investigativ BIRN

Artikulli paraprakJo diktaturës! Antikomunistët tubim – proteste në ditën hapjes së Kuvendit
Artikulli tjetërKonkurrenca shqyrton përthithjen e Veneto Banca nga Intesa Sanpaolo