Konfindustria: Të ndryshohet ligji i koncesioneve

Konfindustria do të kërkojë ndryshim të ligjit të koncesioneve për të shmangur braktisjen e projekteve nga investitorët, çka sjell pasoja për ekonominë shqiptare. Nisur nga kjo, Konfindustria do t’i kërkojë qeverisë dhe Kuvendit të përmirësojë ligjin duke vendosur konceptin e garancisë në para “cash” prej 5-10% të masës së investimit të pretenduar të fituesit. Ky propozim vjen në një kohë që në mjaft raste burime natyrore të vendit të dhëna në koncesion dhe forma të tjera ligjore, kanë shkelje të afateve kohore, deri në mosvënien fare në shfrytëzim, duke u mbajtur të bllokuara në kohë mjaft të gjatë shoqëruar deri në braktisje të plotë të projekteve.
Ndërkohë, që investitorët vonojnë dhe braktisin projektet pa asnjë kushtëzim financiar dhe pasojat më të mëdha janë për ekonominë kombëtare dhe qytetarët shqiptarë. Sipas Konfindustrisë, një ndër rastet e investimeve të braktisura është investimi i parashikuar në Gjirin e Lalzit, ku pavarësisht ngjarjes tragjike projekti i parashikuar u braktis. Vendosja e garancisë në para “cash” në ligjin e koncesioneve shihet si një domosdoshmëri për t’i paraprirë vendimmarrjes për disa projekte të mëdha të kërkuara së fundmi siç është industria portuale dhe turistike në Karpen apo Divjakë.
Ndryshimet në ligj propozohen si një nevojë për të rritur seriozitetin e projektit dhe bizneseve të afruara, si edhe është pengesë e rëndësishme për veprimet e mundshme korruptive dhe subjektive. Pak kohë më parë, edhe LSI partia e dytë në mazhorancë ka propozuar disa ndryshime ligjore, të cilat parashikojnë që për një koncesion mbi 4 vjet vendimi të merret në Kuvend dhe propozimi tjetër vendos kufirin deri në 35 vjet. Megjithëse nisma vjen nga LSI, parti e koalicionit qeverisës, ajo ende nuk ka nisur të diskutohet në Parlament.

Artikulli paraprakKoncert në vitin 2016: Për tokën, për ajrin, për ujin dhe për jetën
Artikulli tjetërFasonët kërkojnë ulje taksash