Me koncesionin e rrugës së “Arbrit”, borxhi publik u rrit me 2.1% brenda ditës!

Jorida TABAKU

Projekti i shumëpërfolur i 1 miliard eurove që do të bazohet mbi strategjinë e PPP-ve ka nisur përmes dy investimeve të mëdha për buxhetin dhe infrastrukturën e transportit. Bëhet fjalë për rrugën e “Arbrit” dhe për Aeroportin e Vlorës, projekte të mëdha për të cilat nuk ka pasur as një studim real fizibilitetit dhe fatkeqësisht as një procedurë ligjore tenderimi. Fatkeqësisht qeveria po përdor nevojën dhe domosdoshmërinë e banorëve të Dibrës, por edhe paaftësinë e saj për të dalë jashtë kostumit korruptiv për të ndërtuar këtë vepër infrastrukturore me vlerë dhe jetike.
Përmes një procedure që nuk ka qenë konform ligjit dhe me hije të mëdha dyshimi, qeveria i ka akorduar një kompanie me vlerë kapitali 400 mln lekë një projekt me vlerë të përllogaritur 250 mld lekë. Mirëpo procedura e tenderimit ka pasur vetëm një ofertë dhe kjo ngre hije të mëdha dyshimi aq më tepër kur vlera e projektit kalon me qindra herë vlerën e kapitalit të kësaj kompanie. Aktualisht, niveli i kredive nga bankat e nivelit të dytë është i ulët dhe nuk ka pësuar rritje si pasojë e investimeve në ekonomi. Pyetja që normalisht secili prej nesh shtron është se çfarë ka tjetër në kontratën e nënshkruar të qeverisë përpos pagesës me këste për 13 vite të kësaj rruge?
Sakaq, buxheti i shtetit duket se do të zbrazë për 13 vite thuajse 20 mld lekë në vit në xhepin e kompanisë, duke rritur me 2.1 përqind borxhin publik të Shqipërisë vetëm nga ky projekt. Për këtë detyrim qeveria shqiptare nuk ka rezervuar asnjë fond në buxhetin e këtij viti dhe kur opozita i kërkoi ministrit të Financave që të përllogariste këto investime në buxhet si borxh, u përball me refuzimin e kësaj kërkese. Mirëpo sot me këtë kontratë të nënshkruar shqiptarëve do t’u rritet borxhi publik me 250 mld lekë dhe gjasat janë që ky borxh të vazhdojë të rritet, duke e rënduar edhe më buxhetin e shtetit.
Fatkeqësisht, qeveria po keqpërdor buxhetin e shtetit dhe po krijon një amulli mashtruese me shifrat në buxhet. Ajo po përpiqet të manipulojë dhe fshehë të dhënat financiare, duke promovuar projekte që megjithëse janë kontraktuar e detyrimi ka lindur nuk llogariten në borxhin publik, duke rënduar pambarimisht buxhetin e vendit. Në një ekonomi me një rritje kaq të ngadaltë dhe me një tregues të kredive kaq të ulët, duket e dyshimtë rruga përmes së cilës kompanitë do të financojnë këto ndërtime kolosale. Pa folur pastaj për avantazhin ekonomik dhe financiar të ndjekur nga qeveria për të sponsorizuar këto rrugë me një borxh të rritur minimalisht me 2,1% nga një projekt i vetëm.

Artikulli paraprakHiguain: “E prisja tripletën”!
Artikulli tjetërA do të blejë Linda edhe Tirana Bank, ‘SeeNews’ të dhëna të reja