Komploti është zbuluar, projekt mafioz për vetingun

Kryetari i opozitës ka denoncuar dje projetin mafioz për drejtësinë të disa diplomatëve të Tiranës për llogari të Ramës, të cilët kanë marrë peng edhe ekspertë të BE. Basha tha se, komploti është jo aq herët sa duhej, por në kohë. Ai ka paralajmëruar denoncimin e këtij projekti mafioz në zyrat e Bashkimit Europian, ku dhe do të dalin emrat dhe përgjegjësitë.
“Projekti i vetingut është një projekt mafioz, ku janë përfshirë diplomatë të lartë në Tiranë për llogari të Edi Ramës, kanë marrë peng ekspertët e BE dhe së shpejti, ora do të vijë kur do të japin përgjegjësi demokratike në një institucion demokratik, siç është BE. Por kjo ndodhi dhe ndodh vetëm për shkak të rezistencës sonë, për shkak të qëndresës suaj, për shkak të qëndresës së opozitës, që është zotuar të mos e dorëzojë drejtësinë në duart e zyrtarëve të krimit dhe zyrtarëve të korruptuar të Edi Ramës. Ndaj komploti është zbuluar jo herët sa ç’duhet, por në kohë”, tha Basha.
Kryetari i opozitës ka rrëfyer edhe skemën se si është zbuluar ky komplot që synonte kapjen e drejtësisë nga Rama “Bashkëkomplotistët e t’u janë zbuluar”, u shpreh Basha.
Kryetari i opozitës ka paralajmëruar se bashkëkomplotistët e Ramës i pret gjykimi në institucionet ndërkombëtare dhe se asgjë nuk do të mund të mbyllet apo akoma më keq që të pranohet që drejtësia t’i dorëzohet Ramës.
“Edi Rama, komploti është zbuluar, është zbuluar, jo thjesht, sepse ty nuk të zënë besë, sepse vënë pikëpyetje miqtë e t’u dhe motivet e tua, por sepse bashkë-komplotistët e t’u, janë dekonspiruar dhe i pret gjykimi në institucionet ndërkombëtare. Të gënjeu mendja se do na kompleksoje. T’i mund të kompleksosh të inkriminuarit, t’i mund të kompleksosh të korruptuarit, t’i mund të kompleksosh injorantët, por ke harruar se përballë ke që tani, brezin e ri të shqiptarëve, që nuk i komplekson dot as ti, as miqtë e t’u të korruptuar”, tha Basha.
Kryetari i PD ka sqaruar se, komploti në drejtësi ka qenë vijim i komplotit të krimit ekonomik. Kapja e drejtësisë i nevojitej Ramës për të mbuluar të gjitha aferat e korrupsionit dhe ato të krimit, çka mund të quhet e dështuar.
“Plani i Edi Ramës si kreu i kupolës së Republikës së vjetër, si autor i komplotit ekonomik kundër shqiptarëve, është shumë i thjeshtë. Atë që do të bëjë me vetingun në drejtësi, atë do të bëjë edhe me vetingun në politikë. Me vetingun në drejtësi, dëshiron të fusë në dorë, nën kontroll të gjithë aparatin e drejtësisë, me qëllim që as ai, as miqtë e tij të korruptuar, as krimi, të mos ketë asnjë ferrë nëpër këmbë.
Gjithçka është bërë me një qëllim, jo për të ndihmuar Shqipërinë për të pasur gjyqtarë e prokurorë të pavarur e të pastër, për të cilët Shqipëria ka nevojë, dhe për të cilët opozita lufton tash e dy vjet, por për t’i dorëzuar drejtësinë Edi Ramës. Ky ka qenë projekti.
Një projekt jo pro-Shqipërisë, por pro-Edi Ramës. Një projekt kundër interesave të shqiptarëve të ndershëm, kudo ku janë. Ndaj e them dhe e përsëris, se jemi këtu dhe jam këtu i vendosur të qëndrojmë këtu si digë, si pengesë totale për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë”, tha Basha.

Zyrtari me pasportë të huaj do të japë llogari

Ndonëse Basha nuk e ka përmenduar me emër është bërë e qartë për opinionin se cili mund të jetë diplomati i huaj, i cili ka manipuluar të gjithë Reformën në Drejtësi të rakorduar mes Komisioneri Hahn dhe ish-zv/ndihmës Sekretares amerikane të Shtetit, Nuland. Basha ka qenë mjaft i ashpër dhe ka paralajmëruar se diplomati me pasaportë të huaj do të japë llogari, pasi drjetësia nuk do të jepet në duart e klanit kriminal Rama-Tahiri-Shullazi.
“Tani më lejoni tju them se çfarë sistemi drejtësie do të kemi në Republikën e Re. Bazat i kemi hedhur sipas formulës Uashington-Bruksel, Nuland–Hahn dhe jo sipas formulës Rama–Tahiri–Shullazi dhe ndonjë i korruptuar me pasaportë të huaj, që s’po ia them emrin sot për kortezi, që së shpejti do të japë llogari. Formula Rama-Tahiri-Shullazi është vetingu që donte për drejtësi, jo për gjyqtarë dhe për prokurorë që luftojnë krimin dhe korrupsionin, por për gjyqtarë dhe prokurorë që t’i kontrollonte ky si manar, që të mbronin krimin dhe korrupsionin”, tha Basha.

Zyrtare, qeveria 2.8 miliardë vjedhje në tre vite

Kryetari i opozitës, Basha ka bërë publike shifrat e  abuzimeve dhe vjedhjeve nga qeveria dhe administratat gjatë tre viteve në qeveri të Ramës. Shifrat janë alarmante dhe jashtë çdo imagjinate. Shifrat nuk kanë në fakt autorësinë e opozitës, por ato kanë autorësinë e institucioneve të shtetit shqiptar, çka nënkupton se ato janë tërësisht zyrtare. Janë plot 2.8 miliardë euro që nuk kanë shkuar për investime, por nga nga xhepat e qytetarëve kanë përfunduar në xhepat e Ramës dhe klientelës së tij.
“Ju kam thënë shpesh dhe bashkë kemi ndarë se republika e vjetër është një komplot kundër qytetarit shqiptar. Një komplot ekonomik, një komplot politik, një komplot kundër lirive dhe të drejtave të shqiptarëve. Këtë e kemi ilustruar dhe e keni ilustruar me padrejtësitë që përjetoni në jetën e përditshme, pikërisht nga ato institucione, të cilat ekzistojnë në letër dhe paguhen me para për të mbrojtur qytetarët nga padrejtësitë.
Sot dua të ndajmë së bashku disa shifra zyrtare të republikës së vjetër, që vërtetojnë sa i thellë dhe sa i madh është komploti ekonomik kundër qytetarëve shqiptarë.
Shifrat zyrtare, të fondeve zyrtare, të shpërdoruara, të vjedhura në periudhën 2014, 2015, 2016; tre vite të qeverisjes Rama, a dini sa janë të marra sëbashku?! Plot 2.8 miliardë euro.
2.8 miliardë euro. Le ta marrim për frymë popullsie, në një vend që sot ka më pak se 2.8 milionë banorë, ka 2 milionë 740 mijë sipas regjistrit civil, sepse të tjerët janë larguar, kemi mbi 300 mijë që janë larguar në këto tre vite. Pra, le ta bëjmë matematikën, i bie 1 mijë euro për frymë, jo për familje. Llogaritini vetë sa anëtarë familje keni dhe llogaritni se sa para, republika e vjetër, ky komplot ekonomik ka arritur t’ju zhvasë mesatarisht, vetëm përmes abuzimeve të fondeve publike. Pa llogaritur koncesionet, pasuritë publike të shqiptarëve dhe paratë e drogës dhe krimit të organizuar, por vetëm përmes taksave dhe kredive shtetërore, pra fondeve publike ju ka vjedhur 1 mijë euro për frymë”, tha Basha.

1 mijë euro vjedhje çdo shqiptari

Basha ka bërë një llogari të thjeshtë të shumës që i është vjedhur çdo shqiptari nga fondi prej 2.8 miliardë lekësh.
“Sa anëtarë ke në familje zotëri që po tund kokën? 5 anëtarë, 5 mijë euro. Si mund ta kuptojnë më mirë shqiptarët këtë komplot ekonomik që është drejtuar ndaj çdo shqiptari? Se kjo nuk i ndan shqiptarët në të djathtë dhe në të majtë. Sepse ju siguroj që kjo vjedhje shtrihet në xhepat e çdo shqiptari, demokrat apo socialist, apo i çfarëdo bindje politike qoftë. Komploti ekonomik i republikës së vjetër ju ka vjedhur në tre vite 1 mijë euro për frymë vetëm nga taksat tuaja.
Këtë ju e shihni kudo, mjerimi ekonomik, rënia e fuqisë blerëse, shëndetësia në ditët e saj më të zeza, çmimet e rritura apo më mirë të themi tarifat e rritura në arsim, çmimet e rritura të energjisë, të naftës janë pjesë e kësaj vjedhjeje, e bëjnë këtë vjedhjeje edhe më të thellë, edhe më të madhe.
Po ku shkojnë këto para? Kush i vjedh këto para? Mos vallë shkojnë në xhepat e anëtarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë? Si mendoni ju? Jo, nuk shkojnë në xhepat e anëtarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë, por shkojnë në xhepat dhe kontot bankare të një grushti njerëzish, të një grushti pushtetarësh, të një grushti oligarkësh të lidhur me ta dhe një grushti kriminelësh që përbëjnë sëbashku kupolën e komplotit kundër qytetarëve shqiptarë. Këta janë përfituesit e drejtpërdrejtë dhe në fakt janë autorët e komplotit. Këta janë republika e vjetër me interesa miliarda euro për të humbur në qoftë se humbin këtë betejë”, tha Basha.

Artikulli paraprakKapen 6 ton drogë në Skrapar, Prokuroria zbulon laboratorin
Artikulli tjetërQeveria teknike dhe zgjedhjet në tryezën e punës të Pense