Koha që Partia Socialiste të kalojë në opozitë!

Nga Red VARAKU

Edi Rama nuk i ka fituar asnjëherë zgjedhjet parlamentare. Në vitin 2013 ai erdhi në pushtet me marrëveshje politike me LSI. Pa një marrëveshje të tillë, ai nuk do të vinte kurrë në pushtet, dhe rrezikonte dështimin si kryetar i PS, çka do t’i jepte të drejtën dinozaurëve të fjetur të kënetës socialiste ta flaknin në rrugë .

Pra, më shumë sesa fitore, 2013 ishte një dorëzim pa kushte i kauzave opozitare në emër të frikës nga dështimi dhe lakmisë për pushtet . Pasojat e kësaj marrëveshjeje, Ilir Meta po i vuan në kurriz sot e kësaj dite.

Ajo që çdo socialist idealizonte dhe mbështeste kishte dështuar, që në lindje.Sigurisht, që rotacioni i 23 qershorit 2013, do të prodhonte vetëm dështim, sepse ishte një marrëveshje e pamoralshme, bazuar vetëm në epshin dhe interesin për pushtet të z. Rama.

Në mënyrë të pamoralshme, Edi Rama hoqi dorë nga kauzat dhe akuzat për zullume dhe vjedhje, vetëm në emër të projektit të tij për të kapur shtetin dhe të gjitha pushtetet.

Ndërsa në 2017, mënyrë të paprinciptë dhe krejt kriminale , Rama erdhi në pushtet jo nga ndonjë marrëveshje politike, por nga aleanca imorale që zgjidhi të bënte me krimin e organizuar, e vërtetuar kjo edhe nga përgjimet e BILD.

Kjo është arsyeja, që prej dy vjetësh ai nuk qeveris dot më, sepse është peng i asaj marrëveshje. Kjo është edhe arsyeja pse reformën në drejtësi e drejton Ulsiu.

Kjo është arsyeja që në krye të çdo institucioni janë vendosur krijesa, që nuk kanë asnjë kontribut shoqëror dhe politik, përveç faktit se janë pjella të përdhunimit që krimi i ka bërë PS.

Ata që e kanë patur edhe motiv politik ardhjen e të majtës në pushtet, kanë arsye që të mos ndjehen krenarë, madje kanë arsye të ndjehen të fyer, kur shohin këtë trashëgimi që po lë pas rilindja. Rilindja kurrë nuk ishte dera e hapur për socialistët , por ishte dera e hapur për çdo horr, kriminel dhe batakçi.

Sigurisht që kjo nuk ka qenë ëndrra e socialistëve të ndershëm. Ata kanë mbështetur dhe do të vazhdojnë të mbështesin një qeveri, që ja për qëllim përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe mbrojtjen e dinjitetit të tyre. Por, kurrë një qeveri që cënon dinjitetin dhe moralin e shqiptarëve dhe përkeqëson jetën e tyre.

Të gjithë e kanë të qartë sot që kjo qeveri ka dështuar.

Kjo sepse, udhëheqësi i Partisë Socialiste, i dha fund betejës për një Shqipëri si të gjithë Europa, në emër të lakmisë për para dhe pushtet.

Ai zgjodhi një rrugë të lehtë dhe të shkurtër. Ai zgjodhi ëndrrën për pushtet, para sakrificës për të bërë shtet. Ai u shndërrua në arkitekt të kapjes së shtetit në emër të pushtetit.

Ai u shndërrua në frymëzues të kapjes së medies, në frymëzues të antiopozitarizmit, në arkitekt të korruptimit të klasës politike, në arkitekt të përdorimit të pushtetit për të fuqizuar klanin e tij.

Ai u shndërrua në frymëzues të luftës së paprinciptë për të dobësuar opozitën, për të gjobitur dhe nënshtruar bizneset, që dikur kishin qenë afër të djathtës.

Ai u shndërrua në ekspert të kapjes së sistemit gjyqësor, në inxhinjer të njeriut të ri të tranzicionit , i cili e konsideron shtetin si pronë private.

Përpjekja e Ramës për të rilindur të majtën, përfundoi siç shihet në një akt që ringjalli vetëm hijen e një diktatori.

Edi Rama nuk ka më asnjë shans të jetë udhëheqësi i së majtës dhe aq më tepër rilindasi i saj.

Ai është thjesht ringjallësi i fantazmave më të tradhtare të historisë, dhe pikërisht për këtë populli shqiptar e ndëshkoi rëndë me mospjesëmarrje në farzën e 30 Qershorit, përkundër presionit dhe parave që u ofruan.

Me Ramën, Partia Socialiste në votimet e 30 Qershorit kapi minimumin historik të votave.30 Qershori ishte një mesazh i qartë i shqiptarëve për PS, se populli tashmë e kishte braktisur.

Ata u shprehën qartë dhe të vendosur, që Partia Socialiste nuk ka se çfarë mund t’i ofrojë më shqiptarëve.

Ata e dhanë verdiktin e prerë se ka ardhur koha që Partia Socialiste duhet të kalojë në opozitë dhe të largojë prej saj parazitët rilindas.

Të largojë prej saj ata, që e përdorën këtë parti si mjet për të realizuar projektin e tyre dhe të etërve të tyre për para dhe pushtet.

Artikulli paraprakDenoncimi i Vokshit: Zgjedhje farsë edhe për Bordet e Universiteteve, ministrja emëron kandidatin humbës…
Artikulli tjetërMiliona euro vjedhje nga Vilma, ish-ministri: Check-upi të fshin edhe kur ke sëmundje…