Koha për Reganizim!

Pranvera Shehaj

Nuk është fenomen i rrallë adoptimi i modeleve politike, aq më tepër kur një lider kërkon të ndjekë profilin e dikujt që ka bërë epoke me pozitivizmin e injektuar në qeverisje. Politika ndërkombëtare është e ngritur mbi piramidën e aleancave, e kjo e fundit, është e ndërtuar mbi projeksionin e afërsive më së shumti ideologjike. Edhe pse në një kohë kur tronditjet ekonomike kanë theksuar racionalitetin e natyrës njerëzore, gjithsesi prezenca e arkitektes së vetë ekonomisë nuk mund të evitohet, ashtu si nuk mund të zhduket me forcë origjina e saj ideologjike.
Dhe arkitektja e një shteti, personifikuesja e pushtetit që kthehet në dritë shpëtimi për popujt, veçanërisht për ata të rrënuarit, është një dhe unike, politika. Politika është fuqia e të artikuluarit të vendimeve, është arma dy-funksionale e liderëve ashtu si është edhe shkruesja e hartës zoodiakale të kombeve. Kanë qenë të bekuar shtetet që e kanë kthyer politikën në skllave të elektoratit ashtu si kanë qenë të dënuar me vdekje popujt për të cilët politika e bëri ferrin e Dante-s një realitet tokësor.
Koha, në territore të ndryshme politike, ka shërbyer si uji i një lumi, i cili pas një stuhie katastrofike që bashkë me themelet e një trualli ka shkulur nga trupi edhe shpirtin e humanëve, vë përpara gjithçka që stuhia la si gjurmë duke lënë pas vetëm makthin e një nate të tretur në memorien e të mbeturve. Paragonizmi i kësaj stuhie kanë qenë regjimet diktatoriale dhe autoritare që kanë sunduar me egërsi amorale kombet, e që përsëri sot, vazhdojnë ta mbajnë frymën gjallë në disa shtete të arenës ndërkombëtare.
Si për ironi sarkastike të fatit në gërshetim me historinë, ndërsa disa kombe përgjysmoheshin dhe sakatoseshin nën tutelën e sozive hitleriane, disa të tjerë gjatë asaj nate nuk kishin parë asnjë stuhi, nuk ishin vrarë në errësiren mëkatare pa lënë gjurmë, nuk ishin surgjynosur në koshiencën kolektive, duke harruar veten, nuk ishin deportuar, skllavëruar apo çrrënjosur si fara të këqija të një toke djerrë. Përkundrazi, kishin kaluar një natë krejtësisht të qetë, një nga ato netë kur hëna vigjëlon simfoninë e yjeve dhe humanet jetojnë me ëndrra ndoshta edhe abstrakte për të nesërmen. Sigurisht, edhe këtu kishte pasur herë pas here ndonjë shi të butë të sajuar nga trazirat e çastit, kishte sjelleë trazira edhe ndonjë erë e provokuar nga pakënaqësia e atij populli, por gjithmonë arsyeja kishte qenë një dhe e vetme, perfeksionimi i lumturisë individuale, si e vetmja mënyrë për t’i hapur rrugën prosperitetit shoqëror.
E kush mund të ishte konkretizimi më korrekt i kësaj nate të fundit se sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mishërimi i një pavarësie të ngritur mbi vizionin e demokracisë si i vetmi shteg drejt një të nesërmeje ku sfidat e forta ekzistenciale nuk mund të trondisin lirinë e individit, e para garanci legjitime e jetës.
Pra, me pak fjalë, ja ku kthehemi sërish në atë që politikisht quhet ideologji, ose më saktë, unë do ta artikuloja si justifikim i vizionit politik apo argumentim i zgjidhjeve politike. Lideri që tregoi se ideologjia ishte prioritet i kauzave të tij politike, ishte ndoshta lideri më pozitiv i politikës së brendshme dhe të jashtme të SHBA, ai që theu barrierat  e Luftës së Ftohtë (për aq sa mund të flasim për përfundim të Luftës së Ftohtë), duke u renditur si një nga ata presidentë që ndërmorri reformat më ndikuese ekonomike.
Ishte Ronald Reagan, aktori atraktiv hollivudian, biri i një emigranti për të cilin Amerika nuk kishte qenë me plot kuptimin e fjalës “toka e premtuar”. Reagan-i u bë President i SHBA, si kandidat i republikanëve, por interesi dhe angazhimi i tij politik nisi me demokratët. Pyetjes se përse u largua nga demokratët, Regani iu përgjigj në mënyrën më të sinqertë politikisht: “Nuk u largova unë nga demokratët, por demokratët u larguan nga vizionet dhe politikat demokrate!” Ç’ka do të thotë se ideologjia demokrate diktoi zgjedhjen e tij politike, duke dëshmuar se nuk mund të jesh një lider efektiv nëse nuk beson në premtimin që artikulon, nëse nuk je i bindur në reformën që merr, nëse nuk e ke të projektuar imazhin e shtetit që dëshiron të krijosh.
Një lider nuk mund të jetë kurrë demokrat, socialist, republikan apo socialdemokrat i suksesshëm nëse profili i tij politik nuk mishëron në asnjë detaj ideologjik. Kjo do të ishte ekzaktësisht e njëjta gjë si të predikosh një fè duke qenë ateist apo si t’i lutesh Zotit duke qenë satanist. Nuk mund të flasësh në emër të grupit politik që ndërton nëse nuk  je promotor i vizionit të tij, në të kundërt rrezikon tendencialisht të shndërrohesh në një përdorues të mirë të kauzës  politike me të vetmin qëllim, pushtetin pa asnjë funksion kombëtar.
Arsyeja se përse e sjell shembullin e Ronald Reagan si një nga përfaqësuesit më të denjë të politikës amerikane është në funksion të dhënies së një mesazhi esencialisht të rëndësishëm për politikën e brendshme në Shqipëri.  Nëse ka një lider që mund të merret si model, është profili i tij për arsye të aplikimit radikal të parimeve republikane në një kohë ekonomikisht të vështirë për SHBA-në.
Edhe pse aspak paragon i SHBA, Shqipëria është në një stad politik që imponon si zgjidhje unikale forcimin e një opozite reganiste, e cila të mund të adaptojë vizionin e pastër demokratik të tij në ambientin socio-politik shqiptar. Zgjedhjet e ardhshme nuk mund të zhvillohen në të njëjtën simfoni të kësaj faze para-demokratike, ashtu si nuk mund të jenë sërish sfondi ku programet politike pa asnjë ideologji ose më saktë me një ideologji tendencialisht unidimensionale, i shpërndahen shqiptarëve si broshura të reklamimit të premtimeve thellësisht abstrakte dhe të papajtueshme me aktualitetin dhe potencialin e Shqipërisë.
Eshtë koha kur reformimi i opozitës të ridimensionojë bazën e saj demokratike, duke hedhur ide për një program politik jo i bazuar mbi preferencën e mundshme të shqiptarëve, por besnik i principeve eko-politike të demokratëeve. Nuk mund të jetë instrument i suksesit politik ofrimi i një programi i ngritur mbi parashikimin për atë ç’ka mund të tërheqë më shumë elektoratin.
Situata ekonomike, sociale dhe klima politike është në një debulesë të pa rekuperueshme, e cila lehtësisht mund të shndërrohet në subjekt të një ndryshimi favorizues për opozitën me anë të një platforme politike jo më të përshtatur me preferencat mazhoritare të shqiptarëve, por e aplikuar ekzaktësisht sipas principeve demokrate. Ajo që zgjon koshiencën e elektoratit duhet të jetë theksi i supremacisë së reformave demokrate, prioriteti i platformës së djathtë si manifest i një progresi, i cili garantohet si rezultat i ndërthurjes së lirisë së gjithkujt për gjithçka me bashkëpunimin për drejtësinë dhe meritokracinë.
Shqiptarëve u duhet bërë e qartë se nuk ekziston asnjë shtet i mirëqenies i ngritur mbi perceptimin kolektiv, ç’ka nënkupton se individi dhe liria e tij për ta ndërtuar të nesërmen sipas vizionit dhe mundësive personale është kushti qendror për të arritur një progres shoqëror eksponencial. Shqiptarët duhet të kuptojnë se taksimi progresiv, ashtu siç do të thoshte Reagan-i, është vrasësi numër një i aftësive ekonomike të secilit ashtu siç është edhe zhdukje e konkurrencës duke demoralizuar arritjet imprenditoriale të sipermarrësve. Si rrjedhim, për një shtet ekonomikisht të fuqishëm, taksimi i drejtë do të ishte ai i sheshtë në masën jo më tepër se 10%, një zgjidhje që e lejoi Reagan-in të ulte në një kohë rekord inflacionin galopant. Shqiptarët duhet të mësohen të besojnë se një ekonomi që funksionon nuk mund të premtojë më tepër asistenca sociale sesa vende pune, ashtu siç nuk mundet t’i garantojë çdo individi një jetesë që vetëm punësimi arrin ta sigurojë.
Një tjetër mekanizëm që opozita duhet të ngrejë fortësisht kundrejt filozofisë ekonomike të qeverisë aktuale është prioriteti i iniciativës së lirë private, si e vetmja filozofi kapitaliste e aftë të shumëfishojë numrin e të punësuarve. Një shtet ekonomikisht deficitar, me një borxh publik alarmant, nuk mund të aplikojë taksa disfatuese ndaj biznesit të mesëm dhe atij të vogël, për sa kohë qëe nuk ka potencialin ekonomik t’i garantojë nënshtetasve të tij nevojat minimale të jetesës duke zëvendësuar denjësisht kontributin e këtyre bizneseve.
Ajo që duhet të parashtrohet me gjithë forcën politike nga ana e opozitës, janë pasojat shokuese të disa reformave, të cilat të diktuara nga institucionet ndërkombëtare, sigurisht që kanë qenë në funksion të përmirësimit të situatës ekonomike, por të cilat duhet të përshtaten me karakterin dhe fizionominë e shteteve të ndryshme pa u aplikuar si prerje standarde. Vetë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, kanë qenë objekt i kritikave të politikave ekonomike ndërkombëtare, për arsye të ofrimit të modeleve standarde të cilat shokojnë ekonomitë e vendeve në zhvillim.
Deflacioni aktual në Shqipëri, fenomeni pa asnjë lloj zgjidhjeje afatshkurtër ekonomike, ka ardhur si pasojë e rënies së sasisë së parasë në qarkullim, duke shkatërruar fuqinë blerëse të shqiptarëve e si rrjedhojë, duke provokuar falimentimin e bizneseve.
Opozita duhet të hedhë në tryezë një shpjegim të kthjelleët për cilindo, një shpjegim të faktit se shërbimet e një shteti nuk mund të jenë kurrsesi “falas”, për sa kohë që shteti i mirëqenies për definicion, nuk është absolutisht asgjë më tepër se sa thjesht administrator efiçent i të ardhurave të nënshtetasve të tij, të cilët përmes një sistemi të drejtë dhe tëe kontrolluar, kontribuojnë për cilësinë e shërbimeve shëndetësore, arsimore, ligjore dhe sociale. Duhet të theksohet se dinjitetin për të kritikuar cilësinë e një shërbimi, nuk ta jep perceptimi i shërbimit shtetëror si donacion, por kontributi yt qytetar për ta përfituar. Kjo evidenton faktin se përse një “mjeksi falas” është përrallë nga e kaluara, e cila nuk është e aplikuar në asnjë vend që mund të merret si referent zhvillimi.
Këto janë disa nga dimensionet e karakterit ekonomik, në të cilat opozita duhet të derdhë gjithë energjitë e saj duke korrigjuar me vendosmëri pretendimin për një mungesë të së djathtës. Më tepër impakt do të kishin aspektet e karakterit social, theksimi se shkelja e të drejtës së individit fillon nga mostrajtimi i barabartë si i aftë dhe si kontribues i denjë i shoqërisë.
Tendenca për t’i konsideruar shqiptarët si invalidë me të vetmin motiv për të ngritur në piedestal natyrën heroike të një qeverie populiste nuk është në paralelizëm me principet demokratike. Shteti nuk dhuron asgjë për askënd sepse nuk ka fuqinë reale për të bërë një donacion të tillë. Shteti ofron dhe përgjigjet për gjithçka nëse qytetarët e tij, janë të lirë për t’u rritur financiarisht dhe për të kërkuar përmirësimin e shërbimit të shtetit.
Nëse mazhoranca aktuale pretendon të jetë votuar për një program të majtë, nuk ka asnjë motiv që justifikon arrogancën dhe represionin ndaj Shoqërisë Civile si mekanizëm i zhdukjes së zërit të kundërshtisë, i cili drejtpërdrejt cenon integritetin dhe reputacionin e një qeverisjeje. E aq më tepër nuk mund të justifikohet prononcimi krenar për një mungesë të sindikatave nga një force politike që pretendon të ketë kandiduar me frymën e majtë.
Natyrisht që është e pamundur të shtrosh në dimensionin e një artikulli një vizion politik të aplikuar në fusha të ndryshme të pushtetit, aq më tepër kur bëhet fjalë për vizionin e djathtë, i ardhur si produkt i dinamizmit të shoqërive perëndimore të ngritura mbi parimet e demokracisë. Megjithatë, mesazhi në vetvete duhet të ritheksojë se është çasti i duhur për një opozitë reganiste, e cila nëse vepron me shpejtësi në aktualitetin eko-politik shqiptar, do të fitojë pa dyshim mundësinë e projektimit të zhvillimit mbi një plan multidimensional, por tërësisht të ngritur mbi parimet e së djathtës së vërtetë, e asaj të djathte që në vend të lëmoshës sociale ofron konkurrencë, në vend të klientelizmit ofron meritokraci, në vend të taksave goditëse ofron uniformitet, në vend të defiçencës së shërbimeve “falas” ofron shërbime të denja të merituara. Eshtë koha për atë të djathtë që nuk i sheh më shqiptarët si invalidë në masë, si vend infinitivisht në zhvillim, por që i hedh në arenën e testimit të aftësive dhe potencialit për një progres urgjent.
Pranvera Shehaj – Studente në degën  “Shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare”, pranë  “Università degli Studi di Trento”, Itali

Artikulli paraprakBB: 1.4 milionë ushtria e të mjerëve në Shqipëri
Artikulli tjetërÇfarë nuk u tha për helikopterin e rrëzuar?