BB: 1.4 milionë ushtria e të mjerëve në Shqipëri

Shqipëria është zhytur në mjerim. Ushtria e të varfërve në vend është sot më e madhja, që nga rënia e komunizmit. Banka Botërore thotë se 46.2 për qind e familjeve shqiptare ose 1.4 milionë qytetarë shqiptarë janë në kufijtë e ekzistencës. Pavarësisht se më shumë se 150 mijë shqiptarë kanë lënë vendin gjatë tre viteve të fundit, qeveria e korruptuar ka rekrutuar qindra mijëra shqiptarë të tjerë në ushtrinë e të varfërve. Shqipëria i është rikthyer rekordit të zi të mjerimit, nga i cili u mendua se u largua një herë e përgjithmonë, kur institucionet ndërkombëtare financiare pesë vjet më parë na kualifikuan si vend me të ardhura të mesme të larta.
Fytyra e vërtetë e një qeverie është ndjeshmëria që tregon ndaj të varfërve. Kryeministri Edi Rama dhe qeveria e drejtuar prej tij jo vetëm që nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të ulur varfërinë në vend, por i kanë shpallur të varfërit dhe të papunët si dembelë, të sëmurë mendorë, të paaftë dhe armiq të qeverisë. Ndërsa nuk ofron asnjë alternativë për gjysmën e popullit të vet, politikat ndëshkuese të zbatuara nga qeveria e tij, përmes taksave të larta, faturave të dhunshme të alternuara me korrupsionin galopant qeveritar kanë bërë që qindra mijëra familje shqiptare të mos kenë sot as mjetet më minimale të jetesës. Statistikat e qeverisë dhe propaganda e pushtetit na tregojnë si një popull të lumtur, pavarësisht se gjysma e shqiptarëve nuk kanë para për të blerë edhe bukë thatë.
Kur erdhi në pushtet deklaroi, se në Shqipëri janë 1 milion të varfër, por statistikat ndërkombëtare tregojnë se sot kemi 1.5 milionë të tillë dhe janë më të pashpresë se kurrë. Nisur nga parashikimet e zymta të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Europian, rënia e ritmeve të rritjes ekonomike të Shqipërisë në 2 për qind për këtë vit, nënkupton më pak vende pune, më pak investime, më pak të ardhura dhe të paktën edhe 50 mijë qytetarë të tjerë që do të futen në listat e të mjerëve.
Prej tre vitesh në Shqipëri janë aplikuar vetëm masa antiekonomike dhe sociale. Taksat janë dyfishuar, shërbimet publike janë bërë më të shtrenjta, fondet e ndihmës sociale janë ulur, duke i bërë të aksesueshme për një numër gjithnjë e më të vogël varfanjakësh. Detyrimi me policë, me gjykata, burg dhe pranga për të paguar faturat e energjisë elektrike ka rënduar edhe më gjendjen ekonomike të 50 për qind të familjeve shqiptare.
Nisur nga rënia e ndjeshme e fuqisë blerëse në Shqipëri, që reflektohet në rënien e inflacionit në minimumin historik, ose deflacion, pra në shifra negative nënkupton automatikisht se shifra prej 46.2 për qind e shqiptarëve që jetojnë me më pak se 5 dollarë në muaj duhet marrë me rezerva. Pa frikë numri i shqiptarëve që vuajnë për bukën e gojës në këtë vend shkon në më shumë se 65 për qind. Në një situatë kur qeveria ka ndaluar investimet publike, ka përkeqësuar llogaritë kombëtare me një borxh nga më të lartët në histori, skemat korruptive të koncesioneve kanë bërë që qindra milionë Euro të buxhetit të shkojnë në xhepat e kryeministrit, ministrave, familjarëve dhe klientëve të tyre.
Institucionet ndërkombëtare që kanë përsëritur shqetësimin e tyre për mënyrën se si jepen koncesionet në Shqipëri, në mënyrë diplomatike kanë dalë haptazi kundër skemave të korrupsionit, që kanë bërë që pasuritë publike dhe financat e shqiptarëve të shkojnë në xhepat e një grupi të vogël oligarkësh që përdorin parajsat fiskale për të fshehur fitimet e tyre marramendëse.
Në një studim të mëparshëm, Banka Botërore ka llogaritur që ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë nën 6 për qind nuk bëjnë asgjë për të ngushtuar hendekun mes ekonomisë shqiptare dhe asaj europiane. Përkundrazi, e mbajnë edhe më larg Shqipërinë nga Europa, të paktën edhe për 50 vitet e ardhshme.
Kjo qeveri ka shumë ngjashmëri me ato të komunizmit, por sa i takon mungesës së vizionit për zhvillimin ekonomik dhe politikave shtrënguese dhe represive i ngjan qeverisë së Adil Çarçanit. Paaftësia për të ndërmarrë reforma, mungesa e politikave zhvilluese, goditja brutale ndaj inisiativës së lirë, korrupsioni dhe kriminaliteti i lartë po i vë shqiptarët gjithnjë e më shumë në një luftë frontale me qeverinë. Revolucioni që po provokon ky kryeministër dhe kjo qeveri do të shpërthejë shumë shpejt. Të mjerët dhe të revoltuarit janë përditë përballë dyerve të pushtetit, mjerë banda në pushtet, kur ata t’ua shqyejnë dyert dhe t’i marrin zvarrë rrugëve. E pashmangshme!

Artikulli paraprakRrëfimi i korrierit: Tonelatat e drogës të Ndonit të Këlcyrës
Artikulli tjetërKoha për Reganizim!