KLSH: Dëmi ekonomik për 2016 kap shifrën e 534 milionë eurove

Dëmi ekonomik që iu shkaktua shtetit shqiptar nga parregullsi të mëdha dhe shkelje financiare në të ardhurat publike, shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ të performancës së subjekteve të audituara kap shifrën prej 73 miliardë lekë ose 534 milionë euro. Ky dëm ekonomik është bërë publik në Vlorë nga kreu i KLSH, Bujar Leskaj gjatë analizës vjetore të këtij institucioni.  “Auditimet e vitit 2016, KLSH ka zbuluar dëm ekonomik, parregullsi financiare, parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat publike dhe shpenzimet e kryera, në nivelin 25.5 miliardë lekë ose 188 milionë euro. Duke kërkuar shpërblimin e dëmit për arkëtimin e parave në arkën e shtetit në masën 97%. Së dyti, shkeljet e disiplinës financiare të performancën së subjekteve të audituara si në të ardhura dhe në shpenzime, në vlerën prej 46.8 miliardë lekë, ose rreth 345 mln euro. Në total janë konstatuar shkelje në shumën 72.3 miliardë lekë ose afërsisht 534 milionë euro. Shifra që duhet të bëjë të mendojë thellësisht cilindo qeveritar ose drejtues institucionesh”. Bujar Leskaj pohoi se këto shifra të KLSH, duhet të venë në lëvizje institucionet përgjegjëse dhe qeverinë. “Këto shifra, së pari, duhet të ndërgjegjësojnë qeveritarët tanë dhe së dyti, ne si auditues të na ndërgjegjësojnë për sfidat e mëdha që na presin në disiplinimin e financave publike dhe harxhimin me efektshmëri dhe eficencë të parasë së taksapaguesve shqiptarë”, tha Leskaj. Kreu i KLSH saktësoi se, institucioni që ai drejton do të vijojë të adresojë çdo shkelje dhe abuzim me fondet publike. Vetëm raporti i auditimeve për periudhën janar-qershor të vitit 2016 ka zbuluar një dëm ekonomik në nivelin e 4 miliardë lekëve, kurse shkeljet e disiplinës financiare në masën 33.7 miliardë lekë. Nga këto të fundit, 31.9 miliardë janë shkelje me efekt negativ tek performanca e institucioneve në fushën e të ardhurave dhe 1.8 miliardë lekë në fushën e shpenzimeve.

Artikulli paraprakBasha me të përndjekurit: Të hapet dosja e Havzi Nelës
Artikulli tjetërMalltezi: Sheshi “Skënderbej” po betonizohet pa asnjë leje dhe pa asnjë plan