KLSH: By pass-i i Fierit, dëmi 9.4 milionë euro

Kontrolli i Lartë i Shtetit ushtroi auditim në Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), për projektet “Ndërtimi i by pass-eve të Fierit dhe Vlorës” në të cilin u konstatuan pagesa ndaj kontraktorëve privatë të dhëna në kundërshtim me kontratën e punimeve civile, keqmenaxhim i fondeve, me pasojë dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit në vlerë mbi 9.4 milionë euro, si dhe shpenzime jo në përputhje me parimet e 3E-ve (efektivitetit, eficiencës dhe ekonomicitetit) me vlerë 0.8 milionë euro.
Projektet “Ndërtimi i by pass-it të Fierit dhe by pass-it të Vlorës”, ka si qëllim ndërtimin e një by pass-i me gjatësi 22 km në qytetin e Fierit dhe ndërtimin e një by pass-i me gjatësi 29 km në qytetin e Vlorës. Për realizimin e dy projekteve qeverisë shqiptare i është ofruar ndihmë ekonomike në formë huaje nga tre donatorë të huaj, bankat BEI, BERZH, Cooperacione Italiana, si dhe grand nga Komisioni Europian dhe nga fondet IPA 2011. Qëllimi i të dy projekteve  është të përmirësohet udhëtimi kohor dhe i sigurt, në veçanti përmes trafikut, si dhe për të lehtësuar kongjestionin dhe problemet mjedisore në qytetet e Fierit dhe Vlorës.
Gjatë auditimit u konstatuan disa shkelje dhe parregullsi në lidhje me përcaktimet e bëra në kontratat e konsulencës, si dhe ato të punimeve civile, për sa i përket kryerjes së pagesave për punime të parealizuara, ndryshime të projektit të shoqëruara me rritje fiktive të çmimeve për zëra të ndryshëm punimesh, si më poshtë:
ARrSh ka lidhur dy kontrata për “Ndërtimin e by pass(it) të Fierit”, me vlerë 39,866,012 euro (pa TVSH), dhe për “Ndërtimin e by pass(it) të Vlorës”, me vlerë 35,289,872 euro (pa TVSH). Nga auditimi u konstatua se afati i punimeve nuk është përmbushur për të dyja kontratat, deri në fund të muajit gusht 2016. Palët kanë rënë dakord që të bëjnë rishikim të afatit të përfundimit dhe kanë përcaktuar datën 04.04.2016. Në fakt edhe ky afat nuk është përmbushur dhe aktualisht kontrata e punimeve është në proces. Nga ARrSH nuk është marrë asnjë masë për të përcaktuar dhe për të rënë dakord me kontraktorin për përcaktimin e një afati për përfundimin e punimeve, si dhe për hartimin e grafikut të miratuar të punimeve. Aktualisht nga data 04.04.2016 midis ARrSH dhe kontraktorit, nuk ka një marrëdhënie kontraktuale të zyrtarizuar, ku të përcaktohej se kur parashikohen të përfundojnë punimet, si dhe të përcaktohen të gjitha të drejtat e detyrimet. Një fakt tjetër paradoksal është edhe ai që kontrata e mbikëqyrjes së punimeve për by pass-in Fier është me afat deri më datë 31.12.2016, situatë kjo e cila tregon për formalitet dhe veprime fiktive, si në menaxhimin e kësaj kontrate dhe të projektit. ARrSh nuk i ka paraqitur deri më sot kompanisë zbatuese asnjë pretendim “zyrtar” në lidhje me penalitetet që kjo shoqëri duhet të paguajë si pasojë e vonesave në kryerjen e punimeve dhe të cilat sipas përllogaritjeve të grupit të auditimit të KLSH-së arrijnë deri në 4,125,346 euro.
Me shkresën nr. 6275, prot. datë 27.07.2016 hyrje në ARRSH, është përcjellë urdhër sekuestro nga shoqëri përmbarimore mbi kreditë e kontraktorit të punimeve në shumën 247,504,223 lekë, për llogari të kompanive nënkontraktuese. Ekzistenca e urdhër sekuestros paraqet risk të lartë për përfundimin e projektit, në të cilin situacioni i pagesës së ndërmjetme nr. 14 që i përket muajit dhjetor 2015 e deri në periudhën e auditimit, kontraktori nuk ka paraqitur asnjë çertifikatë për pagesë, kjo për shkak të urdhrit të sekuestros. Palët nuk kanë dhënë argumente mbi mospërfundimin e investimit dhe nga dinamika e problemeve, menaxhimi i projektit pa afate të realizimit, jashtë marrëdhënieve kontraktuale, tregon një keqmenaxhim të kontratës së punimeve dhe të projektit në tërësi.
Kontraktori ka propozuar ndryshime të projektit të miratuara nga mbikëqyrësi i punimeve (njëkohësisht projektues i veprës), Këshilli Teknik i ARrSH, ku propozimet nga kontaktori kanë tjetërsuar plotësisht projektin origjinal të tenderuar, duke e denatyruar procedurën e tenderimit.
Nga auditimi, rezultoi se raporti hidrologjik-hidraulik fillestar i vitit 2011 për projektin “Ndërtimi i by pass-it Fier”, realizuar nga projektuesi, i cili njëkohësisht është edhe mbikëqyrësi i punimeve, krahasuar me raportin hidrologjik të paraqitur nga kontraktori, në vitin 2014, janë plotësisht të njëjtë. Në raportin e vitit 2014 nuk është pasqyruar asnjë ndryshim në lidhje me situatën hidrologjike-hidraulike të projektit, dhe si rrjedhojë nuk kuptohet se kush është logjika se përse “duhej” një raport në vitin 2014 kur raportet janë thjesht kopjime dhe se i vetmi ndryshim i tyre është logo e shoqërive që e kanë paraqitur.
Projekti hidrologjik i vitit 2014, është miratuar edhe nga konsulenti/mbikëqyrësi i punimeve, dhe si rrjedhojë ka miratuar raportin e hartuar nga vetë ai (konsulenti) në vitin 2011. E gjithë kjo praktikë tregon për veprime falsifikuese, fiktive dhe tepër formale, dhe si pasojë edhe ndryshimet e kërkuara dhe të miratuara nga Këshilli Teknik i ARRSH, për këtë pjesë (hidraulike) në Variation Order/Urdhër Ndryshimi (VO) janë të pabazuara dhe kanë si qëllim vetëm rritjen e kostos së zërave të punimeve dhe të kontratës së punimeve dhe për përfitim të padrejtë të kontraktorit.
Ndryshimi i kuotave të projektit të rrugës me të njëjtin studim hidrologjik-hidraulik, tregon një menaxhim të dobët të ARrSH dhe ka krijuar risk të lartë të mundshëm për përmbytjen në disa segmente të rrugës.
Për realizimin e komponenti B “Konsulentë dhe mbikëqyrje e punimeve të by pass Fier”, më datë 21.07.2010 është firmosur kontrata ndërmjet ARRSH dhe bashkimit të operatorëve “Sintagma srl & SWS Consultin Engineering srl &Tecnic spa”, me vlerë 715,800 euro. Për këtë kontratë është bërë shtesë në shumën 527,707 euro, e cila në shumë 142,410 euro është përballuar nga Cooperacione Italiana dhe pjesa e mbetur prej 385,297 do të përballohet nga buxheti i ARRSH. Në fakt nga auditimi u konstatua se ARRSH vetëm sa ka cituar në shkresat se shtesa e kontratës në shumën 385,297 euro do të përballohet nga buxheti i shtetit, por ndërkohë nuk është marrë asnjë masë për sigurimin e këtij fondi, nuk është kërkuar, argumentuar dhe nuk është ndërmarrë asnjë praktikë për sigurimin e shtesës në Ministrinë e Financave. Pra, rezulton se është lidhur shtesa e kontratës midis palëve, pa u siguruar më parë burimi i financimit, veprim ky në kundërshtim me marrëveshjet financiare të BEI dhe BERZH dhe me Ligjin nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” dhe Ligjin nr. 9936, datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në RSH” i ndryshuar.
Propozimet e ndryshimit të projekt-preventivit të by pass Fier, të miratuara nga mbikëqyrësi dhe ARrSH me vendimin 11, kanë ndryshuar kushtet e kontratës, termat e referencës së tenderit dhe specifikimet teknike, të cilat i kanë ardhur në favor kontraktorit në përfitime për zëra të rinj punimesh dhe teknologji tjetër pune në vlerën 4,898,076 euro.
Bazuar në çertifikatën e punimeve nr. 14 (dhjetor 2015) të by pass Fier, janë çertifikuar punime të parealizuara në terren dhe të pajustifikuara bazuar dokumentacionit të zbatimit të punimeve në vlerën 333,666 euro, veprimi është në kundërshtim me pikën 12.2 të Kushteve të Përgjithshme të Kontratës “Metoda e matjeve”.

Çfarë u konstatua nga auditimi?

Nga auditimi i KLSH u konstatua se kompania konsulente e by pass Fier, nuk ka plotësuar dhe dorëzuar në ARRSH ose në Drejtorinë e Tatimeve, formularët për shmangien e tatimit të dyfishtë, në zbatim të marrëveshjes bilaterale për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal duke shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 92,386 euro.
Nga auditimi për by pass-in e Vlorës u konstatua se progresi i punimeve ka ecur me ritme shumë të ulëta. Situatën e dëshmojnë dhe shifrat e realizimit, ku realizimi fizik është në masën 5.6%, realizimi financiar në masën 14% dhe realizimi kohor në masën 60%, pra tregues të cilët janë në përpjesëtim të zhdrejtë me njëri-tjetrin dhe për rrjedhojë ka rritur riskun e mospërfundimit të tij (projektit) brenda afatit të përcaktuar.
Sa më sipër, në analizë të të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve të kryera, KLSH arriti në konluzionin se ato janë kryer me qëllimin e favorizimit të kontraktonit duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit. Në zbatim të përcaktimeve të bëra në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenin 15/gj të Ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH i ka përcjellë organit të Prokurorisë kallëzimin penal nr. 817/13, datë 04.01.2017, ndaj z. E.N., në cilësinë e përgjegjësit të Sektorit të Zhvillimit të Projekteve të Huaja dhe të Brendshme në ARRSH (pa përjashtuar këtu edhe përgjegjësinë e personave të tjerë vendimmarrës në këtë institucion), me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Artikulli paraprakÇmimi i energjisë për bizneset do rritet me 35%
Artikulli tjetërPër Erionin dhe trustin TNM