Kina vendos 300 mijë trupa në kufi me Korenë e Veriut

Gazeta e Koresë së Jugut “Chosun Ilbo” ka cituar Radion e Azisë së Lirë (RFA) në një raportim të ditës së hënë, duke theksuar se RFA kishte prova të forta se, Kina “kishte zhvendosur vitin e kaluar një tjetër bateri të mbrojtjes raketore në një divizion të armatosur në Helong, në Prefekturën Autonome Koreane”.
Burimi nga Korea e Jugut në Kinë teksa fliste për RFA theksoi gjithashtu se, Penjani kishte vëzhguar lëvizjet e mbi 300 mijë trupave në afërsi të kufirit të Koresë së Veriut si dhe bateri të mbrojtjes raketore afër rezervuarëve të Koresë së Veriut në lumenjtë Apnok dhe Duman. Bateritë parandalojnë edhe shpërthimin e rezervuarëve drejt Kinës në rast të një sulmi ajror.
Ditën e premte, gazeta shtetërore kineze “People’s Daily” raportoi se, Pekini ishte duke investuar edhe në vendosjen e stacioneve të monitorimit bërthamor në të gjithë botën, por veçanërisht në Korenë e Veriut, për të mbledhur më shpejt informacion për sulmet ajrore potenciale. Duke theksuar me kujdes se, “monitorimi nuk i dedikohet asnjë shteti në veçanti” gazeta tha se 11 stacionet e monitorimit të planifikuara do të jenë përgjegjëse për evidentimin e aktiviteteve bërthamore në vendet fqinjë, përfshirë edhe Korenë e Veriut.
Gazeta pretendon se plani i monitorimit tregon përkushtimin e Kinës kundrejt mospërhapjes bërthamore globale. Nëse analizohet bashkë me lëvizjet ushtarake në afërsi të Koresë së Veriut, ky zhvillim ngre dyshimin se çdo event ushtarak ose politik në Korenë e Veriut do të kishte një impak të madh në Kinë.
Një tjetër gazetë shtetërore, “Global Times”, i referohet fjalimit vjetor të Presidentit Donald Trump të javës së kaluar për të thënë se “rreziqet e veprimeve ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara po rriten”. Trump sinjalizoi Korenë e Veriut si vendin kryesor në botë për abuzime me të drejtat e njeriut, duke nënvizuar edhe sakrificat e shumë refugjatëve koreano-veriorë që kanë rrezikuar jetën e tyre për t’u arratisur.
Në muajin dhjetor, “Chosun Ilbo” kishte raportuar se Kina nuk po i përdor asetet e saj ushtarake për t’u përgatitur për katastrofa potenciale në Korenë e Veriut. Gazeta citoi mediat japoneze që kishin publikuar prova se Kina ishte duke ndërtuar kampe masive refugjatësh afër kufirit me Korenë e Veriut, disa madje mund të strehonin deri në gjysmë milion refugjatë. Zyrtarët thuhet se e kanë urdhëruar ndërtimin e kampeve në Jilin, i njëjti qytet ku mediat kishin publikuar guidën e mbijetesës në rast të një lufte bërthamore të shkaktuar nga Korea e Veriut.
Gazeta shtetërore “Jilin Daily” publikoi një artikull në mujain dhjetor ku këshillonte qytetarët të mbyllnin dritaret dhe dyert gjatë emergjencave dhe të bënin menjëherë dush, duke shpëlarë gojën dhe veshët, pasi të ishin ekspozuar ndaj rrezatimit. Gazeta përmendi edhe tensionet rajonale pa e fajësuar direkt Korenë e Veriut.
Ndërsa mediat shtetërore nuk flasin për frikën e qeverisë në lidhje me Korenë e Veriut, akademikët kanë bërë të qartë në dhjetor se janë të bindur që regjimit të Kim Jong Un nuk mund t’i zihet besë që do ta mbajë Kinën jashtë luftërave rajonale. “Korea e Veriut është bombë me sahat”, theksoi profesori Shi Yinhong. “Mund të arrijmë vetëm ta vonojmë shpërthimin, me shpresën se duke e vonuar, do të kemi kohë për të hequr detonatorin”.
Kina, partnerja më e madhe Koresë së Veriut në tregti, e mban pothuajse e vetme ekonominë e Kimit. Gjatë një viti të tensionuar ndërmjet Kimit dhe Presidentit Trump, i cili nuk ka humbur asnjë rast për ta sfiduar autokratin, Kina është pozicionuar përkrah Koresë së Veriut, duke rritur tregtinë me vendin komunist. Pekini i është bindur disa prej sanksioneve amerikane dhe ka detyruar bizneset në kufi me Korenë e Veriut që të kufizojnë kontaktet e tyre me regjimin.
Sipas radios së Azisë së Lirë, bizneset përgjatë kufirit janë duke u dëmtuar ndjeshëm për shkak të kontrolleve gjithnjë e më të ashpra doganore në kufi, sipas burimeve që vijnë nga njerëz të punësuar aty. Trafiku i shumicës së këtyre bizneseve nuk janë pjesë e sanksioneve, si produkte kozmetike dhe letër. RFA sugjeron se, bizneset janë inatosur së tepërmi me regjimin e Kim për shkak të sanksioneve.
Diktatori Kim Jong Un ka refuzuar çdo përpjekje nga komuniteti global për të bindur vendin që të braktisë programin bërthamor dhe ka vazhduar të testojë raketa balistike, madje ka sugjeruar se destinacioni final i raketeve janë Shtetet e Bashkuara.
Në anën tjetër të kufirit, RFA raportom se Penjani është i mbushur me ndjenjë anti Kinës ndërmjet njerëzve të zakonshëm, gjë që vërehet nëpër konferenca dhe leksione, për shkak se vendi i tyre po vuan sanksionet e reja ekonomike të imponuara nga aleati kinez. Korea e Veriut rrallëherë përballet me Kinën në platformat ndërkombëtare. Hera e fundit ka qenë në vitin 2017, kur Agjencia Qendrore e Lajmeve Koreane e akuzoi Kinën, pa e emërtuar shtetin, për aleancë me Shtetet e Bashkuara për sanksionet.

Artikulli paraprakMerkel e gatshme për “kompromise të dhimbshme”
Artikulli tjetërKu mund të luajë Pogba?