Kina lë në baltë Korenë e Veriut

Kina thotë se do të mbështesë Kombet e Bashkuara në marrjen e masave të mëtejshme kundër Koresë së Veriut në përgjigje të provës së fundit bërthamore.
“Duke pasur parasysh zhvillimet e reja në gadishullin korean”, tha të enjten ministri i Jashtëm, Wang Yi gjatë një konference shtypi në Pekin, “Këshilli i Sigurimit duhet të përgjigjet më tej dhe të marrë masat e nevojshme” për të zgjidhur krizën.
Por zoti Wang theksoi gjithashtu se, “sanksionet dhe presioni” duhet të bëhen krah për krah me “dialogun dhe negociatat” me Phenianin. Kina është aleati më i madh diplomatik dhe ekonomik i Koresë së Veriut dhe pretendon se sanksionet më të forta kundër Phenianit nuk do të jenë të mjaftueshme për të ulur tensionet në gadishullin korean.
Të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti amerikan, Donald Trump tha: “do të shohim se çfarë do të ndodhë”, kur u pyet nëse ai do të miratojë veprime ushtarake kundër Koresë së Veriut, duke shtuar se, “kjo nuk është zgjedhja e parë”. Presidenti Trump foli pas një bisede telefonike me Presidentin e Kinës, Xi Jinping.
I pyetur nga “Zëri i Amerikës” për çfarë bisedoi me udhëheqësin kinez lidhur me Korenë e Veriut, zoti Trump u përgjigj se, “Presidenti Xi kërkon të bëjë diçka për Korenë e Veriut”, por nuk është e qartë “nëse ai do të jetë në gjendje apo jo”.
Trump e cilësoi bisedën e tij me Presidentin Xi “si shumë, shumë miqësore”, duke shtuar se, “ishte një telefonatë shumë e mirë dhe zgjati shumë”.

Qëndrimi i Rusisë
Rusia është duke mbështetur gjithnjë e më shumë një strategji të kontrollit të armëve, për ta pranuar Korenë e Veriut si një shtet bërthamor, duke mos u pajtuar me Shtetet e Bashkuara dhe deri në njëfarë pike edhe me Kinën, që mbështesin vendosjen e sanksioneve për ta detyruar Phenianin të ulet në bisedime për çarmatim bërthamor.
Ndërsa u takua me presidentin koreanojugor në Vladivostok, presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje përsëri të enjten për dialog në zgjidhjen e krizës bërthamore me Korenë e Veriut dhe tha se nxitja e histerisë ushtarake rreth krizës së Koresë së Veriut ishte kundërproduktive dhe mund të shkaktojë një katastrofë globale. Ai tha gjithashtu se nuk është e mundur të zgjidhet kriza e Koresë së Veriut vetëm me sanksione dhe presion.
Duke u bërë jehonë komenteve të udhëheqësit rus, Alexander Nikitin, kreu i një institucioni akademik që drejtohet nga Ministria e Jashtme ruse, tha në një forum ndërkombëtar të mbrojtjes në Seul të enjten, se ka ardhur koha të ndalim kërkesën për një “çmilitarizim bërthamor të menjëhershëm për Korenë e Veriut dhe të ndjekim bisedime realiste të kontrollit të verifikueshëm të armëve”.
“Sanksionet, kufizimi i furnizimeve ushqimore dhe karburantit, nuk janë një metodë që do ta sjellë Korenë e Veriut në tryezën e bisedimeve”, tha zoti Nikitin që drejton Qendrën për Sigurinë Euro-Atlantike në Institutin Shtetëror të Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Akademiku rus sugjeroi trajtimin e Koresë së Veriut njësoj si Indinë dhe Pakistanin, dy vende ndaj të cilave u anashkaluan sanksionet nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2001, edhe pse ato testuan hapur armë bërthamore dhe refuzuan të nënshkruanin Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Sipas këtij traktati, vetëm Shtetet e Bashkuara, Rusia, Britania, Franca dhe Kina janë të lejuara të kenë armë bërthamore.

Kërkesa për sanksione të reja
Shtetet e Bashkuara kanë qarkulluar tek vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, një projektrezolutë për sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut, duke kërkuar votimin e saj të hënën.
Projektrezoluta, që arriti të sigurohej nga “Zëri i Amerikës”, bën thirrje për embargo të naftës, benzinës dhe gazit të lëngshëm ndaj Koresë së Veriut.
Pheniani importon gati të gjithë naftën dhe gazin nga Kina dhe pa të, ekspertët thonë se ekonomia do të bllokohej shumë shpejt.
Projektrezoluta synon gjithashtu të ndërpresë eksportet e tekstileve të Koresë së Veriut që i sjellin vendit qindra miliona dollarë të ardhura në vit.
Ajo kërkon gjithashtu të forcojë kufizimet mbi mundësitë e Koresë së Veriut për të dërguar qytetarët e saj për të punuar në vende të huaja, që zakonisht iu kërkohet të dërgojnë pagat e tyre tek qeveria e Phenianit.
Presidenti rus, Vladimir Putin është bashkuar me Kinën në kundërshtimin e sanksioneve për Veriun, duke këmbëngulur se negociatat janë e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjen. Të dy vendet kanë bërë thirrje për një kompromis që kërkon që Pheniani të heqë dorë nga programi i armëve, në këmbim të dhënies fund të manovrave të përbashkëta ushtarake vjetore mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.

 

SHBA-Koreja e Jugut përfundojnë instalimin e sistemit të mbrojtjes nga raketat
Ndërkohë, në Korenë e Jugut përfundoi të enjten instalimi i një sistemi të debatueshëm të mbrojtjes nga raketat, sistem i prodhimit amerikan, që synon mbrojtjen nga një goditje e mundshme nga Koreja e Veriut. Një autokolonë kamionësh transportoi katër raketahedhës që përbëjnë Sistemin e Mbrojtjes Ajrore në Lartësi (THAAD) në një fushë të vjetër golfi në qytetin jugor të Seongjut, ku do t’u shtohen dy raketahedhësve që tashmë janë operacionalë. Autokolona, e shoqëruar nga 8,000 policë, u desh të kalonte përmes një turme prej 400 demonstruesish, të cilët kishin organizuar një protestë duke u ulur në rrugën që të çonte për në vendin e vendosjes së sistemit të mbrojtjes nga raketat.
Banorët dhe aktivistët kanë ngritur shqetësime lidhur me zërat për rreziqe shëndetësore për shkak të radarëve të fuqishëm të sistemit dhe mundësisë që qyteti të bëhet një objekt i sulmeve nga Koreja e Veriut.
Kina dhe Rusia gjithashtu e kundërshtojnë vendosjen e sistemit THAAD në Korenë e Jugut, duke përmendur shqetësimet e tyre të sigurisë kombëtare. Pekini paraqiti një protestë zyrtare në Seul të enjten mbi komponentët shtesë të sistemit THAAD.

Artikulli paraprakDollari në pikën më të ulët nga viti 2004
Artikulli tjetërTë ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike