KiE: Reforma Zgjedhore dhe çdo reformë tjetër me konsensusin e opozitës

Këshilli i Europës kërkon dialog dhe konsensus për realizimin e Reformës Zgjedhore. Shefi i Zyrës së KE-së në Shqipëri kërkoi nga partitë politike zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, por edhe OSBE/ODHIR. Deklaratat u bënë në workshopin me temë “Struktura e mbikëqyrjes së financimit të partive politike dhe të fushatave zgjedhore”. Këshilli i Europës do të mbështesë Shqipërinë në realizimin e Reformës Zgjedhore, por kërkon nga partitë politike implementimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/OHIR dhe Komisionit të Venecias. Në workshopin e zhvilluar me temë “Struktura e mbikëqyrjes së financimit të partive politike dhe të fushatave zgjedhore”, shefi i zyrës së KE-së, Claus Neukirch, kërkoi që reformat të zhvillohen nën frymën e dialogut dhe kompromisit. Claus Neukirch: Dëshirojmë të shohim një proces reformash të ushqyer nga dialogu dhe kompromisi, duke marrë parasysh rekomandimet e Këshillit të Evropës, OSBE-ODHIR dhe Komisionit të Venecias. Përkundër ndryshimeve ligjore të paraqitura në maj pas marrëveshjes politike, rekomandimet duhet të zbatohen plotësisht. Këshilli i Evropës është shumë i përkushtuar për të mbështetur Reformën Zgjedhore. Ne do të kontribuojmë në forcimin e legjislacionit për Partinë Politike dhe Financave të Fushatave Zgjedhore. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, parashtroi nevojën e përmirësimit të kuadrit ligjor për financimin e partive politike, ndërsa siguroi se rekomandimet e Këshillit të Europës dhe OSBE-ODIHR janë prioritet i institucionit që drejton. “Sigurisht, që ne që jemi mbledhur këtu nuk mund të na lënë indiferent, por, së pari, nuk duhet të lënë indiferent ata që në fushatë hidhnin “gurë” mbi njëri-tjetrin, partitë politike. Tani nuk është koha për të hedhur “gurë”. Tani është koha për të ndërtuar “mur”. Tani “muratorët” e reformës nuk mund ta konsiderojnë përmirësimin rrënjësor të kuadrit ligjor për financimin, çështje të dorës së dytë. Tani është koha që lidershipi politik të tregojë shtetari dhe ta deklarojë reformën e financimit dhe transparencën e fondeve e të shpenzimeve çështje prioritare. Cilësia e reformës së ardhshme zgjedhore, përfundoi Klement Zguri, matësin e vet e ka tek transparenca financiare, por edhe shpenzimet e fushatës që do të pasqyrojë”.

Artikulli paraprak135 mijë biznese paralajmërojnë protesta deri në grevë urie
Artikulli tjetërBiznesi i vogël, ilegali i radhës që duhet zhdukur