135 mijë biznese paralajmërojnë protesta deri në grevë urie

Nga vendosja e TVSH-së pritet të preken rreth 135 mijë biznese. Shoqata e Bizneseve të Vogla paralajmëron protesta e madje dhe grevë urie nëse do të miratohet vendosja e TVSH-së për këto subjekte. Albert Nasto, kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël thotë se përfshirja në TVSH do t’i çonte drejt falimentit, pasi do të rriste kostot. Nasto paralajmëron se një masë e tillë do të ndikojë edhe në rritje çmimesh. Por për ekspertët e ekonomisë, vendosja e TVSH-së është e domosdoshme për të shmangur evazionin, ndërsa apelojnë për miradministrim. Sotiraq Dhamo pranon se vendosja e TVSH-së mund të ndikojë në falimentin e një numri të vogël biznesesh. Bizneset e vogla kundërshtojnë vendosjen e TVSH-së me argumentin se do t’i rriten kosot dhe kjo do t’i çojë drejt falimentit. Albert Nasto, kryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël, paralajmëron se do të protestojnë nëse një vendim i tillë do të hyjë në fuqi. “Që nga protesta, greva, mbyllje dyqanesh, greva urie. Së pari do t’i kërkojmë qeverisë, kryeministrit shqiptar në rradhë të parë të mendohet mirë, sepse kjo është një reformë, një ndryshim sistemi nga më të fortët në Shqipëri, ose nga më të rrezikshmet për ne që do të çojë në mbyllje të mijëra bizneseve”, thotë Albert Nasto. Pavarësisht se ekspertët e vlerësojnë përfshirjen e biznesit të vogël në TVSH edhe ata e pranojnë mundësinë e falimentit të disa subjekteve, ndërsa bëjnë apel për miradministrim. “Nëse një biznes i vogël me xhiro diku tek 3.5-4 milionë lekë ka një marzh 1-1.5 milionë lekë, afërsisht në vit do të duhet të paguajë 20% të kësaj shifre, 200-250 mijë lekë në buxhetin e shtetit. Kjo do të ulë marzhin e tyre. Nëse ky 20% do të sjellë apo jo falimentim të bizneseve të vogla, numri i këtyre do jetë mjaft i vogël, nëse qeveria do të marrë dhe masat që ta administrojë në mënyrë të përshtatshme”, shprehet Sotiraq Dhamo. Bizneset paralajmërojnë se do të ketë rritje të çmimeve për një sërë produktesh. “Në 1 mijë lekë të vjetra duhet të shtojmë 200 lekë të vjetra. Duhet të shtosh 200, 300 ose 400 lekë kjo varet nga tregu. Por që do të rriten çmimet”, thotë Nasto. Por sipas ekspertëve një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë, pasi çmimet vendosen nga tregu. “Nëse do të rriten çmimet do t’i rrisin të gjitha ato biznese të vogla që aktualisht i kanë më pak, sepse konkurojnë bizneset që janë me TVSH, TVSH nuk e deklarojnë. Këta mund ta rrisin çmimin, por do ta rrisin deri në nivelin e çmimit të tregut jo më shumë. Se nuk e rrisin dot më shumë dhe po të duan”, thotë Dhamo.

Artikulli paraprakAnketimi, 31% e bizneseve: Klima për investime është përkeqësuar
Artikulli tjetërKiE: Reforma Zgjedhore dhe çdo reformë tjetër me konsensusin e opozitës