Kerry: Vrasja e deputetes britanike, sulm kundër gjithë demokratëve

Vrasja e deputetes britanike, Jo Cox, gjatë fushatës së referendumit mbi Bashkimin Evropian është një sulm kundër gjithë përkrahësve të demokracisë, deklaroi sot sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry. “Shpreh dhimbjet e mia më të thella kur shoh se një parlamentare e re, që dukshëm ishte një grua e re me shumë talent, është vrarë duke ushtruar funksionin e saj në rrethin e saj. Është një sulm kundër të gjithë atyre për të cilët demokracia ka interes dhe që kanë besim në të”, theksoi ai. Vrasja e Xho Koks, një deputete laburiste pro BE-së, 41-vjeçare, e vrarë me plumba dhe e qëlluar me thikë në Birstall, tronditi fushatën e referendumit mbi qëndrimin në Bashkimin Evropian duke e kthyer në një dramë, një javë larg votimit. Vrasja e deputetes çoi në pezullimin e fushatës për referendumin e javës së ardhshme mbi anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Xho Koks u sulmua teksa përgatitej të mbante një takim me zgjedhësit në Birstall. Mediat britanike bënë të ditur se ajo është qëlluar me armë dhe me thikë. Policia e “West Yorkshire” bëri të ditur se ka arrestuar agresorin 52-vjeçar, ndërsa janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe arma e zjarrit si dhe arma e ftohtë. Motivet e veprimit të tij mbeten mister, por nga sa është raportuar, agresori ka thirrur “Britania duhet të dalë jashtë BE-së” gjatë aktit kriminal. “E gjithë Partia Laburiste dhe familja e madhe e mbështetësve të saj, por më shumë sesa kaq edhe i gjithë vendi, kanë mbetur të shokuar nga vrasja e tmerrshme dhe e pabesueshme e Koks”, tha kreu i laburistëve, Xheremi Korbi në një deklaratë me shkrim. Kryeministri britanik, David Cameron tha se vrasja e Koks, e cila ishte e martuar dhe kishte dy fëmijë, ndërkohë që kishte punuar edhe për fushatën presidenciale të vitit 2008 të Barak Obamës në Shtetet e Bashkuara, ishte një tragjedi. “Kemi humbur një yll të madh në rritje”, tha kryeministri konservator në një deklaratë.

Artikulli paraprakReferendumi duhet të shtyhet
Artikulli tjetërSi u planifikua vrasja e deputetes Jo Cox