Kërkesat për mallra dhe shërbime bien në pikiatë, s’ka para

Bizneset kanë pohuar në një anketim për Bankën e Shqipërisë se kërkesa për mallra dhe shërbime ka pësuar rënie të fortë në tremujorin e parë të 2016. Bizneset përfaqësuese të katër sektorëve kryesore, industrisë, ndërtimit, shërbimeve dhe tregtisë kanë pohuar për një rënie mesatare me 10 për qind të kërkesës konsumatore. Kjo është tkurrja më e madhe që nga tremujori i fundit i vitit 2013.
Bizneset e sektorit të ndërtimit kanë pohuar rënien më të fortë të kërkesës me mbi 30 për qind në tremujorin e parë. Rënie domethënëse të kërkesës kanë raportuar edhe sektori i industrisë dhe shërbimeve. Ekspertët shpjegojnë se, tremujori i parë i çdo viti karakterizohet me rënie të kërkesës me tremujorët e tjerë për shkak të një pauze që ka konsumi pas festave të funditvitit, por me 2016 rënia ka qenë më e madhe se zakonisht.
Kjo situatë është reflektuar edhe çmimet e ulëta të mallrave dhe shërbimeve. Sipas të dhënave të të INSTAT inflacioni në muajt e parë të këtij viti ka qenë më shumë afër zeros së njëshit. Kërkesa e dobët konsumatore për mallra po ushtron presion për çmime të ulëta.
Kjo situatë po sjell efekte negative në të gjithë zinxhirin e ekonomisë, sidomos në shfrytëzimin nën potenciale të kapaciteteve të biznesit, e cila lajmëron për një perspektivë të dobët në rritjen e punësimit.
Paraja që qarkullon në ekonomi ka shënuar rritjen më të ulët të paktën që nga viti 2002, kur raporton të dhënat Banka e Shqipërisë, një tregues direkt ky i ngadalësimit të ekonomisë dhe që është reflektuar dhe në rritjen e dobët të çmimeve, duke ngjallur frikën për deflacion.

Artikulli paraprakRoma, Françesko Totti pranë rinovimit
Artikulli tjetërMbështetja për TAP dhe SHBA shkatërroi paktin mes Rusisë e Greqisë