Kërcënohet akademiku Artan Fuga: Më thanë mbyll gojën ose ik!

Pak orë pas bërjes publike të një letre që akadamiku Artan Fuga i kishte dërguar drejtorit të Akademisë së Shkencave ku rendiste problemet e këtij institucioni, që sipas Fugës po shkon drejt degradimit, në adresën e tij mbërrin një mesazh kërcënues. Gjatë muajit shtator pritet të zhvillohen zgjedhjet për Kryesinë e re të Akademisë së Shkencave.
Akademiku i njohur Artan Fuga ka shprehur kritika për mënyrën se si po zhvillohen zgjedhjet, duke kërkuar reformim të kësaj Akademie, duke theksuar se ajo është futur në ngërç institucional.
Fuga thotë se, i kanë kërkuar të pushojë, apo të mbyllë gojën ose të ikë! “Dhe anonimsi, i cili mund të jetë kushdo, edhe një nga rruga, por kurrsesi një akademik, aktivizohet me shpifje qesharake si edhe me thirrjen: Ti që kërkon transformim në Akademinë e Shkencave largoju që andej! Mos fol në publik. Hesht! Ja kërkesa agresive: ose prano kalbëzimin, dhe merr atë honorar, ose ikkkkkk!”, shkruan akademiku i njohur.
Mesazhi i publikuar nga Fuga
Pseudonimsi anonims kërcënon: Pusho ose ik!
Pseudonimsat me dosje, sigurisht, pa kurajo qytetare se intelektualë nuk mund të jenë, u djeg fort bërja publike nga ana ime e faktit se në 4 shtator Akademia e Shkencave, detyrimet e mia ndaj së cilës janë respektuar deri në një, po shkon drejt zgjedhjeve të kryesisë:
– pa bërë bilancin e saj publikisht për mënyrën sesi ka drejtuar këto katër vite, raport të hapur për publikun dhe elitën universitare të vendit. Atje do të shihej se në çfarë ngërçi institucional e funksional e kanë futur Akademinë e Shkencave, këtë të mirë publike që mund të ishte një xhevair në kurorën e kombit.
– zgjedhje pa debat sepse kanë ndaluar debatin para procesit të votimit.
– pa bërë transparencën e figurës të akademikut në lidhje me ish sigurimin e shtetit dhe policinë e fshehtë.
– pa e lejuar Akademinë të paraqesi platformën e saj në mbështetje të përpjekjeve deri tani të sabotuara, reformim i kërkuar nga ana e ekzekutivit, pra për një reformim tërësor të Akademisë dhe të gjithë sistemit të kërkimit shkencor në vend.
– zgjedhje pa kandidatura rivale dhe konkurrenciale.
– me interpretime ligjore krejt subjektive dhe pa marrë konsulencën juridike nga ana e organeve të specializuara.
– pa rishikuar sipas parashikimit rregulloren e brendshme të Akademisë që të hapte rrugë dinamizimi.
– duke shkelur çdo praktikë dhe duke vendosur në poste administrative përtej moshës 68 vjeç që në asnjë universitet publik nuk lejohet.
– dhe gjithçka brenda një rrotacioni prej disa vitesh e më shumë se një dekadë ku kryetari bëhet nënkryetar dhe nënkryetari bëhet kryetar.
Dhe anonimsi, i cili mund të jetë kushdo, edhe një rruga, por kurrsesi një akademik, aktivizohet me shpifje qesharake si edhe me thirrjen: Ti që kërkon transformim në Akademinë e Shkencave largoju që andej! Mos fol në publik. Hesht! Ja kërkesa agresive: ose prano kalbëzimin, dhe merr atë honorar, ose ikkkkkk!

Berisha: Ultimatumi ndaj akademikut Fuga, mesazh i narko-shtetit për të gjithë intelektualët

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ndaj kërcënimeve që i janë bërë akademikut Artan Fuga. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, ultimatumi ndaj akademikut Artan Fuga është mesazhi i narko-shtetit për mbarë intelektualët e vendit: Konformohuni ose Largohuni!
“Të dashur miq, Akademiku Artan Fuga ka informuar dje publikun se atë, pas një letre që i ka dërguar Akademisë së Shkencave, e kanë kërcënuar me ultimatumin mafioz: “Hesht ose and ik”! Profesor Artan Fuga është sot zëri më i fuqishëm dhe më i pavarur i botës akademike të vendit që ndanë karrierën e tij akademike mes universiteteve të Tiranës dhe Parisit. Ai, me veprimtarinë, editorialet, publicistikën, në përmbushje të misionit të intelektualit është një avokat i fuqishëm dhe i pamposhtur e i pavarur i interesit publik!
Ultimatumi stalinist mafioz kundër tij është ultimatum ndaj mbarë intelektualëve të vërtetë të këtij vendi, të cilët ose duhet të ulin kokën dhe të heshtin ose duhet të qërohen. Kësaj radhe, ky ultimatum nuk u dha nëpërmjet Shullazit për garën për një post, por u dha për fjalën e lirë, shprehjen e lirë të mendimit, për lirinë akademike, dhe, ata që e porositën këtë janë xhelatë të vërtetë të lirisë së shprehjes së mendimit, janë armiq të egër të intelektualit avokat dhe rolit e misionit të tij.
Një ultimatum i tillë i pashembullt nuk mund të jetë, pavarësisht nga gjurmët, vepër e Akademisë as dhe e stafit të Universitetit “Kristaq Rama”, me të cilet Prof Fuga ka patur polemika dhe kundërshtira.
Ky ultimatum, sipas frymës duket se është vepër e Noriegës dhe zyrës së tij.
Duke shprehur solidaritetin tim të plotë me Profesor Artan Fugën dhe dënuar me ashpërsinë më të madhe ultimatumin stalinist, mafioz të pushtetit ndaj tij, i bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të hetojë me përparësi këtë krim të shëmtuar, këtë akt të rëndë ndaj botës intelektuale dhe demokracisë, sikundër paralajmëroj Edi Ramën se heshtja jote ndaj këtij kërcënimi stalinisto-mafioz dëshmon se t’i vet nuk je dorë jashtë, por duket se qendron si porositës i këtij ultimatumi, dhe se për çdo cenim të Prof. Fuges do te pergjigjesh personalisht me çdo gje qe meriton!”, shkruan Berisha.

Artikulli paraprakApartamenti 271 mijë euro i Damianit
Artikulli tjetërZjarri në pyjet e Pukës rrezikon të djegë rrëqebullin e Ballkanit