KE: Shqipëria me nivelin më të ulët të subvencioneve për bujqësinë në rajon

Teksa sektori i bujqësisë kontribuon në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit me rreth 20 për qind dhe aktivizon 44 për qind të të punësuarve në vend merr mbështetjen më të ulët nga fondet e buxhetit të shtetit krahasuar me të gjitha vendet e rajonit. Në një analizë të posaçme që Komisioni Europian ka bërë për zhvillimin e bujqësisë në Ballkanin Perëndimor ka gjetur se, qeveria shqiptare ofron mbështetje të ulët për bujqësisë në raport me vendet e tjera të rajonit, sidomos për subvencionet e drejtpërdrejta për prodhuesit.
Analiza tregoi se shumica e vendeve në rajon po tregojnë një trend rritës të fondeve për masat direkte të mbështetjes së prodhuesve në vitet e fundit. Në vitin 2014, subvencionet direkte ndaj prodhuesve nga më pak se 3 euro në Shqipëri arritën 145 euro në Maqedoni. Sasi të ngjashme për hektar janë regjistruar në Kosovë (45 euro), Bosnje dhe Hercegovinë (31 euro) dhe Malin e Zi (25 euro).
Në Serbi, masat e drejtpërdrejta të subvencioneve arritën në rreth 80 euro për hektar. Krahasuar me shifrat e vitit 2012, në vitin 2014 mbështetja direkte e prodhuesve u rrit ndjeshëm në Kosovë, por në Maqedoni dhe Serbi ishte pak më e lartë se në Shqipëri dhe në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa ajo u zvogëlua pak në Malin e Zi. Shqipëria i ka shumë të ulëta subvencionet për prodhuesit bujqësorë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit dhe kjo po e bën vendin tonë jo konkurrues në kushtet e hapjes së tregut.
Shqipëria është bërë pjesë e krijimit të një tregu të përbashkët ballkanik, çka do të thotë se deri në vitin 2023 vendet e rajonit do të kenë krijuar tregun e përbashkët njësoj si vendet e BE-së. Mirëpo mungesa e subvencioneve për bujqësinë do t’i bëjë prodhimet bujqësore dhe disa industri që lidhen me përpunimin e këtyre prodhimeve jo konkurruese. Aktualisht është vënë në vështirësi industria e përpunimit të miellit, e cila dy vitet e fundit ka pësuar rënie të aktivitetit për shkak të importit me çmim të lirë të miellit nga Serbia dhe Kosova.

Artikulli paraprakAplikimi për Lotarinë Amerikane do të nisë më 3 tetor 2017
Artikulli tjetërMashtrimi me ushqimet nga kompanitë e mëdha