Katër organizata: Ndaleni ndërtimin e resortit në Divjakë, është shkatërrim

Organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit janë ngritur kundër ndërtimit të resortit në Divjakë. Sipas tyre, ndërtimi shkatërron ekosistemin delikat të parkut. Ja si janë shprehur ato: “PPNEA, si pjesë e grupimit të organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, shpreh shqetësimin e saj për cenimin e integritetit ekologjik që i kanoset Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta nga projektet e zhvillimit të turizmit intensiv në zonë dhe zbatimit të projekteve me pasoja shkatërrimtare për mjedisin të Bashkisë Divjakë në një konferencë të përbashkët për shtyp të mbajtur në dt. 28.05.2017 në zonën e parkut. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është shpallur territor i mbrojtur që prej vitit 1964 dhe sot zë në sipërfaqe prej 22 230 ha. Parku mbron një ekosistem unik të përbërë nga një ndërthurje lagunash, dunash ranore, tokash ligatinore dhe pyjesh bregdetare me një florë dhe faunë mjaft të pasur. Në ekosistemin e parkut gjenden pyje me pisha me moshë deri në 400-vjeçare dhe është zonë qëndrimi për miliona shpendë shtegtarë. Divjaka është i vetmi vend i folenizimit të Pelikanit Kaçurrel në Shqipëri, një simbol i parkut dhe i natyrës shqiptare. Çdo tjetërsim i shfrytëzimit të territorit të parkut përtej qëllimeve të ruajtjes në gjendjen aktuale do të ishte shkatërrimtar për ekosistemin delikat të parkut”. Olsi Nika, drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania: “Resorti i planifikuar në PK Divjakë-Karavasta bie ndesh jo vetëm me ligjet për mbrojtjen e natyrës, por gjithashtu nuk garanton zhvillimin e qëndrueshëm të zonës. Ne besojmë se turizmi masiv, sidomos në këtë Park Kombëtar, nuk është pika më e fortë e Shqipërisë. Për të qenë konkurrentë me fqinjët, Shqipëria duhet të orientohet drejt ekoturizmit. Ndërtimi i këtij qyteti të ri do të linte në harresë vetë qytetin e Divjakës dhe do të falimentonte bizneset e sapolindura në zonë”. Taulant Bino, drejtor Ekzekutiv i AOS: “Ne jemi tërësisht kundër kërtij modeli të propozuar dhe do të vijojmë përpjekjet tona me të gjitha mjetet demokratike ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare, për të mos lejuar një vendimmarrje të gabuar e të rrezikshme për të gjitha Zonat e Mbrojtura në Shqipëri”. Gabriel Schwaderer, nga Fondacioni gjerman për Ruajtjen e Natyrës, EuroNatur: “Për shkak biodiversitetit të tij të pasur, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është shpallur në vitin 1995 si Zona e Parë Ramsar në Shqipëri. Përveç kësaj, zona është listuar si kandidat për Rrjetin Emerald nga Konventa e Bernës dhe njëkohësisht zonë pilot për rrjetin Natura 2000 në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Një vendimmarrje për ndërtimin një qendre urbane në zemër të Parkut Kombëtar do të sillte fundin e zonës së mbrojtur”.

Artikulli paraprakDurrës, rreth 300 tregtarë rrezikojnë falimentimin
Artikulli tjetërTotti: Do të vazhdoj të luaj futboll