Kapllani largohet nga FSV Frankfurt

Përfundon pas 4 sezonesh aventura e Edmond Kapllanit me FSV Frankfurtin. Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare ishte në skadencë kontrate dhe me rrëzimin e FSV Frankfurtit në Bundesligën e tretë drejtuesit e klubit gjerman nuk i ofruan rinovimin e kontratës 33-vjeçarit. Në këtë mënyrë Kapllani tashmë është një futbollist i lirë dhe duhet të gjejë një ekip të ri për të vazhduar karrierën. Lajmi për largimin e sulmuesit shqiptar nga FSV Frankfurti u publikua nga mediat gjermane. Këto të fundit kanë arritur t’i shkëputin edhe një intervistë të shkurtër, Kapllanit i cili është shfaqur shumë i zhgënjyer, pasi priste që drejtuesit e klubit tek i cili ai luante prej 4 vitesh t’i ofronin zgjatjen e bashkëpunimit.
Në kontratën që Edmond Kapllani kishte me FSV Frankfurtin ekzistonte një klauzolë për rinovimin e saj me një tjetër sezon, por skuadra gjermane vendosi për të kundërtën. Fakti që drejtuesit e klubit rinovuan edhe për dy vite të tjera marrëveshjen me sulmuesin 35-vjeçar Mortiz Voltz, la edhe më tepër të zhgënjyer Kapllanin, me 33-vjeçarin që për mediat gjermane u shpreh se të gjithë vepruan pas shpinës së tij. Kapllani dëshironte të qëndronte ende te FSV Frankfurti, por diçka e tillë nuk do të jetë më e mundur. Në këto 4 sezone me FSV Frankfurtin bomberi durrsak ka arritur të zhvillojë në total 108 ndeshje, duke shënuar dhe 40 gola.

Artikulli paraprak“The Economist”: Shqipëria, vend i korruptuar dhe i vështirë për investime
Artikulli tjetërHysaj në garë për lojtarin e ri më të mirë