Kapen 1.3 tonë drogë në Itali, 24 orë pas emërimit të Qibinit

Emërimi i Besmir Qibinit, njeriut të Tahirit, drejtor i Kufirit në Policinë e Vlorës, ka dhënë efektet e para në trafikun e drogës drejt Italisë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit pas emërimit të Qibinit, policia italiane ka sekuetruar 1.3 ton drogë të nisur nga brigjet e Vlorës.
Pas sekuestrimit të 800 kg kanabis ditën e dielë, dje Guardia Di Finanza sekuestroi përsëri 500 kg drogë në ujërat e detit Adriatik, ndërsa në pranga kanë përfunduar dy transportuesit nga Vlora. Sipas mediave italiane, operacioni nga deti dhe ajri u zhvillua në brigjet e Sao-s, në Leçe, ndërsa ngarkesa me lëndë narkotike ishte nisur nga brigjet e Vlorës.
Mediat italiane shkruajnë se të dy trafikantët në bord u përpoqën të iknin, duke hedhur jashtë varkës, (7 metër e gjatë dhe me motor të fuqishëm), drogën, por ata u arrestuan. Kontrabandistët, identiteti i të cilëve nuk dihet, të moshave 30 dhe 48 vjeç, të dy nga Vlora, akuzohen për posedim dhe trafikim ndërkombëtar të drogës. Marijuana e nxjerr nga deti ishte paketuar në 28 pako me madhësi të ndryshme, me një peshë totale prej 506 kg.
Po ashtu, bëhet e ditur se nëse droga do të kishte dalë në treg për shitje, ajo kapte vlerën e 5 milionë eurove. Ky është operacioni i dytë i zhvilluar nga Guardia Di Finanza në të njëjtën zonë brenda 48 orëve. Guardia di Finanza kapi një skaf me 800 kg hashash dhe arrestoi një skafist shqiptar dhe dy italianë. Policia shqiptare nuk dha asnjë lajm dje për bashkëpunim me Guardia di Finanzan për sekuestrimin e drogës shqiptare ashtu siç ka bërë rëndom në rastet e tjera, por është përgënjeshtruar nga autoritetet italiane.

Mediat italiane: Trafiku i drogës shqiptare nuk ka të ndalur

Mediat italiane shkruajnë se, tonelata me drogë vijnë papushim nga Shqipëria në Itali përmes Adriatikut. Një skaf me drogë që vinte nga Shqipëria u diktua të dielën në gjirin e San Cataldo-s. Operacioni, sipas tyre, është finalizuar nga reparti operativ aeronaval i Guardia di Finanza në Bari dhe Taranto, që po kryen funksionet e qendrës së koordinimit lokal të misionit Frontex.
Skafi u kap 20 milje larg bregut. Ai kishte një gjatësi prej 8 metrash dhe një motor të fuqishëm (225 kuaj fuqi). Skafistët  F.O. 47 vjeç dhe D.L di 58 vjeç të dy nga Brindisi dhe A.Q. 31 vjeç nga Vlora u arrestuan.
Nëse do të kishte përfunduar në treg, sasia e drogës do t’i kishte siguruar 7 milionë euro organizatës kriminale. Pas arrestimit, policia italiane ka kërkuar bashkëpunimin e policisë shqiptare për të kryer hetime të tjera mbi të arrestuarit dhe personat e tjerë me të cilët dyshohet se janë të lidhur.

Vetëm në Pulja, 5 ton hashash në dy javë

Vetëm në Pulja, Guardia di Finanza ka sekuestruar 5 ton hashash në këto ditë të para të vitit 2017, ndërsa në vitin 2016 numërohen 20 ton. Por pikërisht shpeshtësia e këtyre operacioneve tregon përmasat kriminale të zhvillimit të krimit midis bregdetit shqiptar dhe atij të Pulias Jugore, e cila sfidon kontrollet e pajisjeve në det, e cila gjithashtu ka funksione edhe për të gjurmuar trafikun e klandestinëve.
Elementi i dytë që gjen konfirmim të mëtejshëm në shërbimin e kryer dje nga burimet aerodetare të Guardia di Financas, është përfshirja e plotë në narkotrafik që përdor ngushticën e Otrantos të pjesës së Brindisit, të përdorur nga klanet shqiptare që dërgojnë në Itali marijuanën e punuar në malet e Vlorës, ku fshatra të tërë janë të përfshirë në kultivimin e cannabis indica dhe përpunimin e mëvonshëm për të marrë marijuanë dhe hashash.
Pra, ka një kriminalitet, që pas më shumë se 15 vjetësh që nga shkatërrimi i ekipeve kontrabandiste midis Brindizit dhe Monopolit me “Operacionin pranverë”, rishfaqet gjithnjë e më i shumtë në rrugët e vjetra të Durrësit dhe Vlorës të përdorur për kontrabandën e cigareve, dhe si është përmendur tashmë, edhe në rolin e partnerëve të mafias shqiptare.

Trafiku i drogës nga Shqipëria vijon edhe drejt Greqisë

Trafiku i narkotikëve në drejtim Greqisë u shtua gjatë janarit, ndërsa policia greke ka bllokuar disa qindra kilogramë marijuanë. Trafikantët grekë dhe shqiptarë kanë riaktivizuar lidhjet e vjetra dhe po ndjekin mënyra të ndryshme për të futur sasitë e narkotikëve në brendësi të territorit grek me automjete, “korrierë” nga kufiri tokësor, madje edhe me kafshë pune.
Të dielën në mbrëmje u bllokua në kufi me Greqinë, 45 kilogramë marijuanë që po transportohej drejt Greqisë. Lënda narkotike ishte fshehur në një automjet ku ishte krijuar një zonë e posaçme për të fshehur marijuanën. Ndërkohë, një i ri është vënë në pranga nga policia e Korçës pasi u kap duke transportuar një sasi të konsiderueshme lënde narkotike për në Greqi. Aldo Neli, 29 vjeç, banues në Zallher-Tiranë është arrestuar sepse sipas policisë po dërgonte në Selanik një sasi prej 30 kilogramësh, kanabis sativa.
Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë kontrollit të detajuar, të ushtruar në vijën e dytë nga shërbimet e Policisë Kufitare, (në dalje të Republikës së Shqipërisë) automjetit tip “Audi” A6 me targa AA960PN, të cilin ky i ri drejtonte, në një vend të modifikuar midis sediljes së prapme dhe bagazhit, u gjetën dhe sekuestruan 31 pako të mbështjella me letër natriban, me peshë 30 kilogramë lëndë e dyshuar si narkotike kanabis sativa.
Nga veprimet hetimore të kryera, si edhe marrja e deklarimeve rezulton se shtetasi i mësipërm kishte si destinacion qytetin e Selanikut/Greqi. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën penale: “Trafikimi i narkotikëve”.

R.POLISI

Artikulli paraprakMaskat terror në Tiranë, lidhin rojen dhe grabisin një fabrikë
Artikulli tjetërBlushi: Pazar me shkarkimin e Manjanit për Presidentin