Kaosi tjetër, tani për Master

Myqerem TAFAJ

MAS tallet me studentët që aplikojnë për studimet Master. Kaosi me pranimet e maturantëve në studimet universitare, do të pasohet, siç duket, me një kaos tjetër, atë të pranimeve në ciklin e dytë të studimeve universitare Master. Ky kaos do të shkaktojë vitin që vjen një eksod masiv të maturantëve dhe studentëve më të mirë të vendit drejt universiteteve jashtë vendit.
Shihni udhëzimin në link. Mban datën e djeshme, 7 tetor dhe thotë që aplikimet në universitetet publike fillojnë më datën 7 tetor! A nuk është kjo tallje dhe arrogancë? Si mund të sillet një ministër dhe një qeveri me kaq arrogancë me maturantët, studentët dhe familjet e tyre? Si mund të lëshohet udhëzimi për pranimin e studentëve në studimet Master vetëm 10 ditë pune përpara datës 20 tetor, datën kur fillon viti akademik!
Studentët nuk dinë asgjë të saktë sa kuota janë dhe sa janë tarifat. Universitetet nuk janë njoftuar. Bankat sot dhe nesër nuk punojnë për të paguar tarifën e regjistrimit. Praktikisht janë lënë në dispozicion vetëm 2-3 ditë për regjistrimet! Kush guxon të tallet kaq keq me studentët? Çfarë do të thotë dhe kujt i intereson i gjithë ky terr me pranimet edhe në studimet e nivelit Master?
Udhëzimi nuk thotë asgjë për kriterin e gjuhës së huaj për kandidatët që aplikojnë për studimet “Master i Shkencave”!! Çfarë fshihet pas kësaj? Apo ministrja do të thotë prapë “nuk dimë gjë, e dinë vetë universitetet”!?
Kaosi me pranimet e maturantëve në studimet universitare, do të pasohet, siç duket, me një kaos tjetër, atë të pranimeve në ciklin e dytë të studimeve universitare Master.
Sot protestuan me të drejtë maturantët që edhe në fazën e dytë nuk kanë fituar degë në përputhje me rezultatet që kanë arritur. Me dy fazat që parashikon udhëzimi i lëshuar mbrëmë grup nga MAS do të penalizohen mijëra maturantë me rezultate të mira dhe shumë të mira, sepse nuk do të kenë mundësi që të pranohen në degët ku u takonte sipas rezutlateve të arritura. A nuk është ky një diskriminim i rëndë për këta mijëra maturantë?
A e mendon kjo qeveri se çfarë pasojash të rënda do të ketë ky kaos në pranimet e studentëve në këtë vit akademik? Mosbesim total, i cili do të detyrojë maturantët dhe prindërit e tyre të mendojnë vetëm për një rrugë: largim nga vendi për të studiuar jashtë dhe për të mos u kthyer më në Shqipëri. Edhe këtë vit, janë rreth 10 mijë maturantë (ose 25% e numrit total të maturantëve) që kanë aplikuar për studime jashtë vendit. Ky kaos në pranimet në universitete do t’i shkaktojë vendit një eksod të ri masiv të të shkolluarve, madje të më të mirëve.

Artikulli paraprakTahiri, magazinë me drogë te Pusi i Mezinit
Artikulli tjetërMë shumë se sondazh