Kampione e Francës pas 17 vitesh

Monaco për të tetën herë fitoi titullin kampion në Francë. Në ndeshjen e prapambetur të javës së 31-të skuadra monegaske mundi 2-0 St.Ettiene duke zyrtarizuar dhe matematikisht trofeun që në fakt do të ishte pronë e tyre dhe për çështje golavarazhi dhe në rast të dy humbjeve në dy javët e mbetura. Në “Luigji i Dytë” për skuadrën e Jardim vendosi lojtari më i lakuar i këtij viti, Mbappe, me 18-vjeçarin që realizoi një tjetër gol prej lojtari të madh duke i dhënë mundësinë skuadrës së tij të fitojë titullin e 8-të në histori.
Ndërsa fundin e lumtur e dhuroi Germain që shënoi në aksionin e fundit të ndeshjes, përpara se të niste festa e çmendur e lojtarëve. Në fakt, Raggi, Dirar dhe Germaine u shndërruan në ultras të vërtetë kur iu bashkuan tifozëve në tribunë duke iu përshtatur dhe look-ut të tyre, teksa hoqën fanellat. Një sezon i jashtëzakonshëm për Monacon, që ka thyer çdo rekord këtë sezon duke nisur nga ato të Mbappe e deri te ai i numrit më të madh të golave të shënuar ndonjëherë në histori, plot 103 deri në këto momente, 8 më shumë se rekordi i mëparshëm që mbahej nga Reims në vitet 50-të. Një vit i dominuar tërësisht nga ekipi i Jardim që shkurorëzoi PSG duke ngritur vetë lart trofeun e kampionit për t’u zyrtariuar jo vetëm si një forcë e re në futbollin francez, por dhe atë europian.

Artikulli paraprakCilat do të jenë koalicionet parazgjedhore në Kosovë
Artikulli tjetërPunësimi sezonal në SHBA, aplikimi dhe kush mund të kualifikohet për vizë