Juventusi, “ultimatum” për Pogba

Fitimi i titullit kampion në Itali për Juventusin është kthyer në diçka normale. Këtë fakt e vërteton dhe dominimi i bardhezinjve për 5 vite radhazi. Vëmendja e drejtuesve të “Zonjës së Vjetër” tashmë është kthyer nga trofeu i Champions League dhe për ta arritur këtë objektiv skuadra ka nevojë për përforcime cilësore. Trajneri i Juventusit, Masililiano Alegri dhe drejtori i përgjithshëm i bardhezinjve Beppe Marrota do të takohen për të firmosur kontratën e re të teknikut livornez, por dhe për të diskutuar mbi merkaton. Paul Pogba është kryefjala në kampin torinez.
Largimi i tij nuk është një opsion dhe për ta mbajtur atë, kampionët e Italisë janë të gatshëm t’i ofrojnë francezit një rritje page, por nëse mesfushori dëshiron largimin atij do t’i duhet të njoftojë klubin brenda këtyre 15-20 ditëve. Më pas, në listën e lojtarëve, që kërkohen të mbeten në Torino është sulmuesi Alvaro Morata, i cili është dhënë në formë huazimi tek Juventusi. Kontrata e spanjollit është me të drejtë riblerje nga ana e klubit të Real Madrid. Beppe Marotta duket se ka ndërmend t’i ofrojë Florentino Perezit 25 milionë euro, për ta mbajtur Moratën, por me shumë gjasa oferta pritet të refuzohet. E njëtja situatë është edhe për kolumbianin Juan Cuadrado, i huazuar nga skuadra e Chelsea.
Trajneri i ri “Bluve të Londrës”, Antonio Conte do të bëjë të pamundurën për ta rikthyer atë në “Stanford Bridge”. Në frontin e afrimeve Andre Gomez i Valencias është vënë në qendër të vëmendjes. Vlera e kartonit të mesfushorit kap shifrën e 30 milionë eurove. Shkodran Mustafi shihet si një alternativë e mirë në repartin e prapavijës. 24-vjeçari mund të aktivizohet në qendër të mbrojtjes, por edhe në krahë. Vlera e kartonit të shqiptarit është 15 milionë euro. Një pafundësi emrash në listën e dëshirave të Juventusit, por përpara se të nisë puna për afrimin e ndonjërit prejt tyre, si fillim duhet blinduar Alegri dhe më pas të nisin tratativat.

Artikulli paraprakRevolucion te Interi
Artikulli tjetërDemarkacioni me Malin e Zi, vendimtar për liberalizimin e vizave