Juristët: Lista e Ramës e paligjshme. Shkel të drejtat e njeriut

Juristët denoncojnë se po shkelen të drejtat e njeriut në publikimin e listës 100-emërore të lakuar në rrjetin social si të korruptuar nga ana e kryeministrit Rama. “Vendosja e burimeve të informacionit nga rrjetet sociale si provë e fajësisë bie jo vetëm në kundërshtim me të drejtën themelore të të drejtave të njeriut dhe me konventën evropiane për të drejtat e njeriut për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor, që ka të bëjë me fajësinë dhe pafajësinë, por bie në kundërshtim edhe me terrenin human ku jeton njeriu. Që do të thotë se, njeriu në mënyrë proceduriale dhe literale duhet vendosur para faktit. A është thënia në rrjetet sociale fakt? Mund të jetë indicje, por jo fakt”, thotë avokati Sokol Hazizaj. “Publikimi i të dhënave në faqet e internetit apo në çdo lloj forme tjetër publike i të dhënave ndaj këtyre personave, të cilët mund të jenë nëpunës të administratës, specialistë të thjeshtë apo funksionarë në këto institucione, jo vetëm është e paligjshme, por mund të krijojë shqetësime të panevojshme”, thotë Erida Skëndaj, drejtoreshë e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Por avokati Hazizaj e sheh këtë çështje si një anti-reformë në drejtësi përsa kohë po ndërhyhet në kompetencat e institucioneve të drejtësisë që akuzon dhe gjykon shtetasit e dyshuar. “Kur në emër të reformës përdoren nuk do të thosha shpifje, por deklarime të paprovuara, atëherë mendoj se përdorimi i tyre është anti-reformë. Sepse nga njëra anë ne përpiqemi të forcojmë institucionet e drejtësisë, nga ana tjetër u japim goditje të madhe institucioneve, sepse nuk u lëmë atyre mundësi të krijohen, formatohen, zhvillohen dhe zbatohen”, thotë Hazizaj.  Hazizaj shprehet se kjo nuk është mënyra e përshtatshme për të luftuar korrupsionin. “Në një sistem ligjor adekuat e korrekt, çdo njeri që i përmendet emri për çdo lloj arsye, veçanërisht për korrupsion të mbetur në tentativë apo veprime korruptive, do t’i drejtohej Gjykatës. Por kur Gjykata dhe vetë institucioni i akuzës përmendet si institucion i korruptuar, atëherë më thoni kush ka ngelur për t’iu drejtuar”, nënvizon Hazizaj.  Megjithatë, sipas shefes së Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në një situatë të tillë komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale siç parashikon ligji mund të japë rekomandime, por edhe gjoba administrative për shkeljen e kryer.

Në murin e kryeministrit shpallen armiqtë e popullit

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook zëdhënësja për shtyp e PD, Ina Zhupa ka reaguar ndaj listës së publikuar sot nga kryeministri Rama. “Në murin e kryeministrit shpallen armiqtë e popullit!!! Nuk mund të pranohet që kryeministri i vendit të denigrojë profesionistë të fushave të ndryshme, me një listë që e shpalli si të zezë. Denigrimi i personaliteteve të rëndësishme siç është rasti i Prof. Dr. Mentor Petrelës është prova e degradimit që po pëson një kryeministër që mendon se u bë udhëheqës suprem që vendos drejtësinë e popullit në Facebook. Mjeku Petrela është figurë e shquar, e rëndësishme e mjekësisë shqiptare dhe një vlerë që i shërben prej vitesh popullsisë së gjithë Shqipërisë. Po rikthen metodën e njohur në Shqipërinë komuniste:  “Ç’do populli bën partia, ç’do partia bën populli” dhe mendon se kështu mund të shpallë armiqtë në emër të popullit. E pamoralshme, po aq sa e papranueshme edhe e turpshme. Duhet ta refuzojmë me përbuzje. Dhe të mos harrojmë që në të tillë mentalitet vjen dita që secili nga ne mund ta gjejë veten në gjyq publik në murin e kryeministrit, teksa denigrohet dhe dënohet në emër të popullit.

Artikulli paraprakAlarmi i BSH: Kujdes nga mashtrimi financiar
Artikulli tjetërMinistrja teknike Vukaj, ndërhyn për zgjidhjen e tensioneve tregtare Shqipëri-Kosovë