Josa: Misioni im nuk është fitorja me Partizanin

Derbi i parë pas shumë viteve për Mirel Josën, i cili po përjeton emocionet e aventurës së tij të tretë në stolin bardheblu. Skuadra e drejtuar prej tij është rikthyer në nivelet më të larta të klasifikimit pas 7 pikëve të marra në tre ndeshje dhe pret e qetë sfidën delikate të së Enjtes, pa presionin e faktit që Tirana nuk arrin të fitojë prej 10 ndeshjesh. Në konferencën e zakonshme për shtyp, Josa e vuri theksin te rëndësia e kësaj sfide, por preferoi të fkusohej te ajo që kërkon të bëjë skuadra e tij në fushën e lojës. Në këndvështrimin e Josës, Tirana dhe Partizani janë dy rivalë të drejtëpërdrejtë për titullin kampion dhe është e paevitueshme që rezultati pozitiv apo negativ të mos ndikojë në pjesën tjetër të sezonit për të dyja ekipet. Trajneri i bardhebluve nuk preferon të ciolësohet si njeriu që mund të rikthejë Tiranën në rrugën e fitores, madje këtë ai e bën të qartë duke vendosur pikat mbi “I”.
“Nuk erdha te Tirana me objektivin për të mundur thjesht Partizanin. Nëse fitojmë do të jetë një arritje e madhe. Kjo nuk është një përballje mes Josës dhe Starovës por një duel mes Tiranës dhe Partizanit. Më intereson të jemi kompaktë dhe teknikisht të mos humbasim. Duhet të tregojmë anët pozitive që kemi shfaqur deri në këto momente dhe të korrigjojmë ato që bëmë gabim në sfidën me Kukësin”, u shpreh Josa.
Atmosferë pozitive në kampin bardheblu që plotësohet edhe me lajmin se Ilion Lika do të zbresë në fushën e blertë për të mbrojtur katërkëndëshin. Një gjë të tillë e konfirmon vetë trajneri që nuk pranon të zbulojë emrin që do të zëvendësojë në mesfushë të pezulluarin Asion Daja. Në vijim, ai jep një mesazh të rëndësishëm edhe për të gjithë mbështetësit që do të jenë të pranishëm në stadium. “Jam i kënaqur me atmosferën që prodhon kjo ndeshje. Uroj të mos ketë incidente dhe gjithçka të shkojë mirë”, tha ai.
Derbi i fazës së parë prodhoi shumë emocione por jo gola. Në atë sfidë as Josa dhe as Starova nuk ishin në stolin e skuadrave, por për trajnerin e Tiranës, historia ndryshon në çdo 90 minutësh. ”Nuk është derbi mes meje e Starovës, por mes Tiranës e Partizanit. Duam fitore, por skuadra nuk duhet të humbë identitetin dhe lojën që ka shfaqur në ndeshjet e fundit”, tha Josa.
53-vjeçari shton se nuk mendon aspak për merkaton e Janarit, ndërsa ndalet të flasë edhe për skuadrën kundërshtare duke nënvizuar me diplomaci se Partizani ka një grup cilësor, por ai nuk preferoi të veçonte lojtarë të caktuar. “Partizani ka shumë lojtarë që më pëlqejnë, nuk bëj dot diferenca, por nuk i druhem asnjë lojtari. Vendos loja e skuadrave, jo individualitetet, edhe pse Partizani ka lojtarë cilësorë në çdo repart“, përfundoi Josa.

Artikulli paraprak“Vlerësoj Italinë”!
Artikulli tjetërAktori Andy Garcia: Vdiq një diktator, jo një ikonë revolucionare