Jashanica-Nimaga, 1 milion euro

Pasi ka shitur Liridon Latifin për një shifër rekord, Skënderbeu mendon që tani për të tjera lëvizje në merkato që pritet të sjellin përfitime të mëdha në arkat e klubit. Në periudhën e janarit klubi korçar do të tentojë të tjera lëvizje, pasi janë projektuar shitjet e Bakary Nimagës dhe Bajram Jashanicës. Këto dy emra nuk janë një risi, pasi lojtarët janë lakuar edhe më parë për largime të mundshme, por tek Skënderbeu kanë idetë e qarta duke kërkuar të mos shpërbëjnë menjëherë grupin.
Mesfushori nga Mali është përfolur edhe gjatë kësaj vere, me skuadrat ruse që kanë vëzhguar nga afër futbollistin që në muajin dhjetor do të mbushë 23 vjeç. Forma e mirë, vizioni për lojën, por mbi të gjitha mosha e re e kthejnë Nimagën si një nga më të lakuarit tek Skënderbeu. Madje numri 8 i korçarëve pavarësisht moshës së re mund të konsiderohet një futbollist me eksperiencë, duke qenë se aktivizohet me bardhekuqtë prej 5 sezonesh dhe ky që nis është i 6. Nimaga ka fituar eksperiencë edhe në kompeticionet e UEFA-s, pasi me Skënderbeun ka luajtur 22 ndeshje midis Champions Leagues dhe Europa Leagues.
Emri i Jashanicës rikthehet të lakohet pas një periudhe pauze në merkato, kjo ndoshta ndikuar nga forma e mirë që ka treguar qendërmbrojtësi nga Prishtina. Grumbullimi me kombëtaren e Kosovës në dy sfidat e fundit me Kroacinë dhe Finlandën është një tregues i qartë për formën në rritje dhe kuotat për një largim të mundshëm të 27-vjeçarit në merkaton e janarit janë rritur ndjeshëm. Madje në Korçë kanë gjetur edhe zëvendësuesin e tij, pasi në rast largimi të numrit 5 do të afrohet Amir Bilali, ish-mbrojtës i përfaqësueses së 19-vjeçarëve, i Bylisit në Kategorinë Superiore dhe tashmë aktivizohet tek Rabotnicki në Maqedoni. Nga shitja e Nimagës dhe Jashanicës, Skënderbeu pritet të përfitojë rreth 1 milion euro, pasi klubi i vlerëson futbollistët jo më pak se 500 mijë euro.

Artikulli paraprakRrëfimi i parë i Putin: Pse KGB më thirri në detyrë?
Artikulli tjetërStadiumi i Kamzës gati, Lushnja në tetor