Januzaj: Zgjodha Belgjikën sepse ndihem belg!

 

Tabloidi britanik “Daily Mail” i kushton faqen e parë sulmuesit me origjinë shqiptare, Adnan Januzaj, karriera e të cilit vazhdon të jetë në dishezë pas eksperiencave të dështuara te Man. United dhe Borussia Dortmund. Tashmë, Januzaj i lënë jashtë edhe nga kombëtarja e Belgjikës, ka nisur një rrugë të re në Spanjë me Real Sociedad, aty ku kërkon të ringrihet pasi vitet kalojnë dhe ish-talenti i “Djajve të Kuq” nuk ka më kohë për të humbur. Një hapësirë të madhe, “Daily Mail” i kushton edhe çështjes së kombëtares pasi Januzaj edhe pse me gjak shqiptar, zgjodhi të përfaqësonte Belgjikën duke refuzuar fanellën kuqezi.
Tabloidi britanik thekson se, Januzaj kishte në tryezë 5 alternativa, por zgjodhi Belgjikën dhe për këtë vendim e ka një përgjigje. “Kam lindur në Belgjikë, jam rritur atje dhe kjo është arsyeja pse zgjodha atë kombëtare. Unë jam pjesë e komunitetit belg. Me kombëtaren shkoi gjithçka mirë vitin e parë, por me kalimin e muajve gjithçka u bë më e vështirë”, thekson 22-vjeçari i lindur në Bruksel që e nisi karrierën me të rinjtë e Anderlechtit. Në vijim të intervistës, ai thekson se një nga periudhat më të errëta të karrierës së tij ishte edhe ajo kur Man. United e drejtonte Van Gaal. Sipas sulmuesit, trajneri holandez kishte metoda të pazakonta trajnimi dhe ky fakt e pengoi shumë në rritjen e tij profesionale.

Artikulli paraprakBekim Balaj kthehet në fushë
Artikulli tjetërAjeti sërish në formacionin e javës