Jahmir Hyka: Nuk ka më ndeshje të lehta

Pak ditë më parë, trajneri  Gianni De Biasi e cilësoi ndeshjen e radhës ndaj Lihtenshtejnit si më të rëndësishmen për Shqipërinë, pasi kuqezinjtë do të kenë përballë një nga tre skuadrat që dëshirojnë të lënë prapa në grupin G kualifikues të Botërorit, Rusi 2018-të. Në të njëjtën linjë me numrin 1 të stolit qëndron edhe Jahmir Hyka. 28-vjeçari, i cili në shtator u rikthye në kombëtare pas një mungese të gjatë nuk e nënvlerëson aspak Lihtenshtejnin edhe pse ka besim se Shqipëria do të largohet me 3 pikë nga Vaduzi. “Duhet t’i japim të drejtë trajnerit. Tashmë nuk ka më ndeshje të lehta, pasi diferencat midis skuadrave janë të vogla. Gjithsesi unë mendoj se, nëse dalim në lojën tonë do ta kalojmë me sukses këtë ndeshje”, u shpreh Hyka.
Jahmir Hyka që nga viti 2011 luan në Zvicër me skuadrën e Lucernës dhe i njeh mirë disa nga futbollistët e përfaqësueses së Lihtenshtejnit. Në vijim, mesfushori me tipare sulmuese i bëri një analizë më të detajuar kundërshtarit të radhës, ndërsa foli edhe për stadiumin, ku do të zhvillohet ndeshja.
“Disa nga lojtarët e Lihtenshtejnit që luajnë në Zvicër, unë i njoh shumë mirë, pasi jam përballur shpesh me ta. Ata nuk është se zotërojnë kualitete të veçanta, megjithatë nëse jep shpirtin në fushë, çdo skuadër mund të të vendosë në vështirësi. Përsa i përket stadiumit, është një stadium i vogël, por fusha është e mirë dhe të lejon të luash futboll”, tha ai.
Në 2008-ën në një miqësore ndaj Lihtenshtejnit, Jahmir Hyka shënoi golin e tij të parë me Shqipërinë. 28-vjeçari e kujton me nostalgji atë finalizim, por objektivi i Hykës është të shënojë një tjetër gol me përfaqësuesen kuqezi, pikërisht ndaj Lihtenshtejnit. “Ka qenë një ndeshje e veçantë, pasi shënova golin tim të parë me kombëtaren, një gol shumë i shpejtë ai. Nuk do ta harroj kurrë atë sfidë, por tashmë i përket të shkuarës. Unë dua pse jo të realizoj sërish një gol në ndeshjen e radhës”, përfundoi Hyka.

Artikulli paraprakÇani rikthehet pas tre vitesh në Kombëtare
Artikulli tjetërDështon reforma territoriale, 60 njësitë e reja shpenzuan 35% më shumë për paga se 360 njësitë