Izolohen fshatrat në Tropojë, përmbytje e mungesë energjie

Përmbytjet nga shirat e kanë izoluar komunikimin e qytetit të Bajram Currit me fshatrat në Tropojë. Deputetja e PD, Mimoza Hajdarmataj shkruan në një postim në Facebook se, me dhjetëra familje nuk furnizohen me energji elektrike dhe disa rrugë janë bërë të pakalueshme nga rrëshkitjet. “Eshtë emergjente ndërhyrja e OSSHE me grupe punonjësish për riparimin e dëmtimeve në rrjet. Gjithashtu, nevojitet që Bashkia të ndërhyjë me të gjitha kapacitetet e mundshme si dhe mbështetje nga Tirana për të mos e izoluar Tropojën në këto ditë moti të vështirë”, shprehet Hajdarmataj.
Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në disa rrethe të vendit. Gjirokastra u zgjua mëngjesin e djeshëm e mbuluar nga uji. Reshjet e dendura të shiut e bënë të pamundur qarkullimin në disa lagje të saj, si dhe në akset që të çojnë drejt qytetit. Bllokim të qarkullimit pati edhe në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë, ku uji arriti në 50 centimetra. E njëjta panoramë ishte edhe në rrugën që të çon për në fshatin Arshi Lengo.
Problematike situata ishte edhe në Shkodër. Ndonëse nuk u shënuan përmbytje, era e fortë arriti të thyejë disa pemë, ndërsa në argjinaturën e lumit Kir, pati gërryerje dhe niveli i ujit u rrit ndjeshëm.
Ndërsa në Burrel, Vlorë e Kukës që prej mbrëmjes së të dielës pati ndërprerje të energjisë elektrike, e cila u rikthye paraditen e sotme. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë thotë se po ndjek nga afër situatën e krijuar në rrjetin elektrik si pasojë e motit të keq në mbarë vendin. Sipas OSHEE-së janë riparuar defektet në pjesën dërrmuese të tyre kryesisht në Veri të vendit dhe në rajonin e Vlorës.

Artikulli paraprakFshesa greke, kthehen dhjetëra emigrantë edhe në Kapshticë
Artikulli tjetërGrabitje me armë në Kurbin