Italia me mungesa

Trajneri i Italisë, Giampiero Ventura, ka bërë të ditur se dy lojtarët e Juventusit, Giorgio Chiellini dhe Claudio Marchisio, nuk janë ftuar për ndeshjen me Shqipërinë, pasi sipas tij “ata nuk janë në formë”, të cilët do të mungojnë po ashtu në miqësoren me Holandën. “Do të na mungojnë Chiellini dhe Marchisio. Ata e dinë këtë shumë mirë. Ata kanë nevojë për kohë që të gjejnë formën e dikurshme”, deklaroi Ventura. Ndeshja mes Italisë dhe Shqipërisë do të luhet të premten në Palermo në stadiumin “Renzo Barbera”, e cila zhvillohet nga ora 20:45.
Asgjë nuk do të mund t’i ndalë tifozët kuqezi për të mbështetur përfaqësuesen e tyre, edhe nëse ndeshja do të luhet në cepin më të largët të Italisë. Trajneri i ta kaltërve Gian Piero Ventura, në konferencën e parë për shtyp që shënon nisjen e grumbullimit për sfidën me Shqipërinë, e bëri të qartë se lumi kuqezi i tifozëve do të mbushë edhe stadiumin “Renzo Barbera” të Palermos.
“Deri më sot, nuk i kam zgjedhur unë fushat ku luan kombëtarja, nuk kam ndërhyrë kurrë në të tilla aspekte. Isha i pranishëm në stadiumin e Gjenovës, pastaj në Marsejë, ku Shqipëria luajti kundër Francës. Tre të katërtat e stadiumeve ishin mbushur me tifozë shqiptarë. Mendoj se do ta mbushin edhe stadiumin e Palermos. Është një ndeshje historike, përballemi për herë të parë me Shqipërinë. Publiku i Palermos nuk  ka zhgënjyer kurrë”, u shpreh Ventura.
Asnjë nënvlerësim apo shpërqendrim ndaj skuadrës së De Biasit. 69-vjeçari paralajmëron se Italia e tij mund të bëjë surprizën në Rusi 2018, sigurisht nëse kualifikohet. “Kjo ndeshje me Shqipërinë na jep mundësinë që të shkojmë në Spanjë për të tentuar vendin e parë. Rezultati është shumë i rëndësishëm, por unë jam shumë i qetë dhe e kam qartë se është një takim delikat. Kemi grumbulluar shumë të rinj, për të ndërtuar një kombëtare të fortë. Problemi më i madh është kualifikimi. Nëse arrijmë të kualifikohemi, Italia mund të bëjë surprizën e madhe”, tha trajneri i Italisë.
Ventura ndër të tjera theksoi se, drejton një skuadër që kërkon t’i bëjë krenarë të gjithë italianët, ndërsa për grumbullimin e disa të rinjve, siç është portieri i tretë Meret, trajneri veteran sqaroi se po mendon edhe për të ardhmen dhe thjesht për kualifikimin e Italisë në Botëror. Lajmi i keq në ditën e parë të grumbullimit të Italisë është mbetja jashtë listës e Gabiadinit, i dëmtuar në sfidën mes Southamptonit dhe Totenhamit. Në vend të 25-vjeçarit Ventura ka thirrur Petagnan e Atalantës.

Artikulli paraprak“El Clasico” Real-Barça, më 23 prill në orën 20:45
Artikulli tjetërBarcelona rikthehet tek fitorja