Italia e frikshme dhe me rekorde

Italia është një kundërshtar i frikshëm. Për shumë arsye. Nga fakti që është katër herë kampione e botës dhe një prej përfaqësueseve më të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Emra si Immobile e Belotti në sulm, të mbështetur nga yjet Verratti, Candreva e De Rossi në mesfushë, pa harruar legjendën Buffon që ndaj Shqipërisë do të luajë ndeshjen numër 1,000 në karrierë dhe Bonuçin e Barzaglin në mbrojtje.
Italia paraqitet në sfidën e 24 marsit ndaj Shqipërisë me një rekord të jashtëzakonshëm. 54 ndeshje pa pësuar humbje në ndeshjet kualifikuese ndërmjet kupës së botës dhe Kampionatit Europian. Ecuri e pabesueshme e “të kaltërve” që nuk humbasin në një ndeshje zyrtare kualifikuese prej më tepër se dhjetë vite. Disfata e fundit ishte ajo e 6 shtatorit 2006, kur Franca u hakmor për finalen e humbur në Botërorin e Gjermanisë. Një ndeshje që u vendos nga dy golat e realizuar nga Sidney Govou dhe nga rrjeta e Thierry Henry. Në fund Italia u mposht 1-3.
Gjatë dekadës së fundit, futbolli italian është përballur me shumë ulje dhe ngritje. Një skuadër e mësuar me emra si Baggio, Del Piero dhe Totti, që për vite me radhë vuajti mungesën e yjeve që mund të bënin diferencën. Megjithatë, me brezin aktual shpresat për një Itali të madhe janë rindezur: trajneri Ventura ka në dispozicion një skuadër me kualitet dhe të rinj premtues, që në vitet në vijim mund të jenë protagonistë absolutë. Ndoshta ky nuk ishte momenti më i mirë për Shqipërinë që të përballej me të kaltërit. Por, në një sfidë ëndrrash për të gjithë tifozët, kuqezinjtë do të provojnë që të bëjnë surprizën e madhe të premten në Palermo.
Trajneri i Italisë, Giampiero Ventura, disa ndeshje ka luajtur lojë tepër sulmuese me vetëm dy mesfushorë e katër sulmues (4-2-4), por nuk ka treguar nëse ngjashëm do të luajë edhe të premten ndaj Shqipërisë. Ai ka shtuar se do të provojë skema të ndryshme gjatë kohës sa është te azzurët.
“4-2-4 kundër Shqipërisë? Një ekip kombëtar nuk mund ta ketë vetëm një mënyrë të lojës, sepse përndryshe çdo gjë bëhet tepër regjimentale”, ka deklaruar Ventura. Ndeshja mes Italisë dhe Shqipërisë do të luhet të premten në Palermo në stadiumin “Renzo Barbera”, e cila zhvillohet nga ora 20:45, e vlefshme për kualifikueset për botërorin Rusia 2018.

Artikulli paraprakNë Itali për rezultat
Artikulli tjetërJuve, rinovim me Alegrin