Islami-Bushatit: Ti je rrugaç

Një tjetër përplasje ka ndodhur ditën e djeshme në komisionet e Kuvendit të Shqipërisë, ku është duke u diskutuar buxheti i vitit 2017. Fodullëku dhe mënyrat se si ministrat e qeverisë Rama janë paraqitur para deputetëve ka sjellë edhe reagimet e këtyre të fundit.
Deputeti i PD-së, Kastriot Islami gjatë ditës së djeshme ka pasur një përplasje me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, përplasje që ka përfunduar me fjalë të rënda.
Siç raportojnë gazetarët që kanë qenë të pranishëm në komision, mësohet se Islami i ka thënë Bushatit se gjuha e përdorur nga ai, nuk i përket një ministri, por një rrugaçi.
Ministri Bushati ishte në mbledhje për të folur për buxhetin 2017 për institucionin që drejton, kur Islami është shprehur “të ndalohet gjuha rrugaçe e ministrit”. Menjëherë pas Islamit ka reaguar edhe deputeti tjetër demokrat, Aldo Bumçi, i cili e ka quajtur Bushatin ministër mashtrues dhe gënjeshtar, “njeri i skandaleve”.
Islami dhe Bumçi e kanë akuzuar Bushatin se ka futur në krizë edhe marrëdhëniet me Kosovën.
Tensionet u rritën ndjeshëm mes palëve, teksa kryetarja e komisionit, Arta Dade, i ka quajtur të papranueshme gjuhën e përdorur nga dy ish-ministrat e Jashtëm.
Shkak i fyerjes ka qenë deklarata e Bushatit, i cili tha se nuk mund të flitet që të jepet 30% e buxhetit për dikasterin e tij. Kjo solli dhe reagimin e ashpër të Islamit.
Kastriot Islami: Flet me gjuhë rrugaçësh. Ti je rrugaç, nuk duhet të jesh ministër.
Arta Dade: Nuk lejoj këtë gjuhë, do konsultohem me rregulloren.
Ditmir Bushati: Të merren masa për gjuhën e përdorur nga Islami.

Artikulli paraprakShpërthen dhe në Elbasan revolta kundër plehrave
Artikulli tjetërNjeriu i Ballës ndërton dy kate pa leje në Tiranë