Inzagi në stolin e kombëtares?

Një tjetër emër i njohur nga shkolla italiane e futbollit del në skenë për postin vakant të trajnerit të Shqipërisë. Bëhet fjalë për Filipo Inzagin, ish-sulmuesin e famshëm të Milanit që aktualisht drejton skuadrën e Venezias në Serie B. Lajmi bëhet i ditur nga Gianluca di Marzio, eksperti i “Sky”, veçanërisht i mirinformuar për çështjet e merkatos dhe gjithmonë e më shumë në korent edhe në çështjet që kanë lidhje me futbollin shqiptar. Normalisht në FSHF nuk mund të përmendin emra e as bëjnë konfirmime duke qenë në proces seleksionimi e tratativash, ndërkohë që informacionet nga Italia, aty ku janë përqendruar edhe sondazhet për trajnerin, por edhe postin e drejtorit teknik nuk mungojnë. Në website-n e tij Di Marzio informon se Federata shqiptare e Futbollit po mendon për Pippo Inzagin si pasuesin e mundshëm të De Biasit. Vetë ish-sulmuesi për momentin është duke reflektuar dhe më pas do të marrë një vendim nëse është i gatshëm të lërë Serie B dhe Venezian, për të filluar një aventurë si trajner i kombëtares shqiptare.
Në të njëjtin artikull shtohet se për rolin e drejtorit teknik të kombëtares, i cili do të menaxhojë edhe sektorin e të rinjve janë bërë sondazhe për Giancarlo Camolese, ish-trajner i skuadrave si Torino, Pro Vercello apo Livrono që sezonin e kaluar ka drejtuar Chiasso-n, emri i të cilit është përmendur nga “Sky Sport Italia” edhe si trajner i mundshëm i kuqezinjve, Massimo Morgia trajner që marsin e kaluar dha dorëheqjen nga skuadra e Aquila Calcio në Lega Pro dhe Massimo Piscedda përgjegjes teknik i kombëtares B të Italisë. Një tjetër emër i njohur për opinionin futbollistik në Shqipëri që është kandiduar për stolin e kuqezinjve është dhe ish-interisti Walter Zenga.

Artikulli paraprakKamëz, 60 investime në 6 muaj drejt përfundimit me fondet e Bashkisë
Artikulli tjetërTramexani kërkon Fejzullahun te Sioni