Investitorët e huaj: Klima e biznesit është përkeqësuar me Ramën

Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) konsideroi, problemet me drejtësinë, konkurrencën e pandershme, ndryshimet e shpeshta të stafit të tatimeve, korrupsionin dhe ligjet e komplikuara fiskale si faktorët themelorë që kanë përkeqësuar klimën e biznesit në vend.
FIAA i nxori këto konkluzioneve pas një anketimi në anëtarët e shoqatës dhe më pas ndërtoi një indeks nga (1 -100) ku faktorët që kishin marrë më shumë se 50 pikë konsiderohen shumë problem dhe ata të renditur me pak se 50 pikë, më pak problem.
Nga 22 elementë për të cilat bizneset janë pyetur, 8 prej tyre janë konsideruar probleme madhore.
Problemet me drejtësinë u renditen nga FIAA për të dytin vit radhazi si shqetësimi më i madh i investitorëve të huaj në Shqipëri. Në anketimin me bizneset ky faktor është vlerësuar më problematiku duke marrë 66 pikë. Konkurenca e pandershme nëpërmjet ekonomisë informale është një faktor tjetër, thotë Shoqata në të cilën janë të anëtarësuar kompanitë më të mëdha me kapital të huaj në vend. Ky shqetësim është vlerësuar me 65 pikë dhe më pas i treti ndër elementët pengues më madhor është radhitur korrupsioni, i cili është vlerësuar si problem madhor për klimën e biznesit në vend, duke marrë 60 pikë.
Ligjet e komplikuara fiskale shihet të jenë një tjetër shqetësim madhor, të cilat janë vlerësuar me 59 pikë dhe më pas shqetësimet madhore vlerësohen të jenë niveli i lartë i taksave, destabiliteti politik dhe politikat jo atraktive për investimet e huaja.
Bizneset shohin si elementë jo problematike, infrastrukturën rrugore, furnizimin me ujë, telekomunikacionin, ligjet e punësimit etj.
Kjo është goditja e radhës e investitorëve të huaj për qeverinë, pas treguesit të përkeqësuar të klimës së biznesit nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHA) dhe deklaratave të forta për largim investitorësh nga Dhoma Amerikane.

Kriza e bizneseve

Bizneset kanë ulur më tej normën e shfrytëzimit të kapaciteteve gjatë tremujorit të parë të vitit. Në një anketim të fundit, Banka e Shqipërisë referon se normat e shfrytëzimit në katër sektorët kryesorë të ekonomisë kanë rënë shumë poshtë mesatares historike, duke lajmëruar kështu një situatë jo të mbarë në rritjen afatmesme ekonomike dhe në eksportet e këtij viti. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri shënoi vlerën 69.0% në tremujorin e parë, 2.9 pikë përqindje më e ulët se mesatarja historike. Banka e Shqipërisë tregon se, bizneset e industrisë i kanë shfrytëzuar më pak kapacitetet e tyre, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2015 (me 4.6 pikë përqindje).
Kjo ecuri në sektorin e industrisë është shkak i çmimeve të ulta të naftës në tregun ndërkombëtar, çka ka nxitur kompanitë Bankers Petroleum, Albpetrol dhe koncensionarët e tjerë të naftës të mbajnë prodhimin në nivele të ulëta. Por situata duket se nuk është aspak optimiste as për sektorin e ndërtimit . Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në këtë sektor gjatë tremujorit në analizë, vijoi rënien. Aktualisht kjo normë shënon nivelin 54.7% ose 9.5 pikë përqindje më pak se mesatarja historike e saj. Në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë, kjo normë është 2.5 pikë përqindje më e ulët. Ekspertët e tregut, pohojnë se pas një përmirësimi në gjashtëmujorin e dytë të vitit, rritja e taksave në sektorin e ndërtimin (dyfishimi i taksës se ndikimit në infrastrukture nga 4 në 8% për qind, e cila vilet jo më mbi koston po mbi shitjen) ka përkeqësuar klimën e biznesit në sektor. Shumë objekte të nisura vitin që shkoi kanë pezulluar punimet për shkak të taksave të reja.
Gjithashtu norma e shfrytëzimit të kapaciteteve nga bizneset e shërbimeve rezultoi 68.0% në tremujorin e parë, duke shënuar një rënie të fortë prej 7.2 pikësh përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe prej 4.9 pikësh përqindjeje krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti shënoi rënie me 5.7 pikë përqindje, duke qëndruar në nivelin 73.5% në tremujorin e parë të vitit 2016. Bizneset rezultojnë të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre me një normë 5.2 pikë përqindje më të ulët se norma mesatare historike dhe 2.3 pikë përqindje më të ulët se norma e të njëjtës periudhë një vit më parë.

Rënia e konsumit jep alarmin për deflacionin

Në shkurt dhe mars të këtij viti inflacioni arriti pranë zeroz, përkatësisht me 0.2 dhe 0.3% (ndryshimi vjetor), duke ngjallur debatet nëse kjo tendencë reflekton një rënie të konsumit apo është për shkak të faktorëve të tjerë, si ulja e çmimeve të naftës, mbiprodhimi vendas, apo inflacioni i ulët i importuar. Gjithsesi, në një ekonomi, ku prodhimi mungon dhe që është tepër e varur nga konsumi, rënia e këtij të fundit është një sinjal negativ.
Paraja që qarkullon në ekonomi ka shënuar rritjen më të ulët të paktën që nga viti 2002, kur raporton të dhënat Banka e Shqipërisë, një tregues direkt ky i ngadalësimit të ekonomisë dhe që është reflektuar dhe në rritjen e dobët të çmimeve, duke ngjallur frikën për deflacion. Sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë, agregati M3 (paraja në qarkullim përfshirë depozitat) u rrit me 22.7 miliardë lekë në vitin 2015, nga 46 miliardë lekë vitin e mëparshëm dhe më i ulëti historik që kur raportohen të dhënat (shiko grafikun). Një nivel i përafërt zgjerimi i këtij treguesi i përket vitit 2013, kur ekonomia shënoi rritjen më të ulët pas viteve 2000, me 1.1%.

Artikulli paraprakAlcantara: Bayerni do suksesin e trefishtë
Artikulli tjetërDudek: Doja t’i jepja një grusht Benitezit