Interi në krizë!

Katastrofë për Interin! Mundet në Milano nga Cagliari me rezultatin 2-1 dhe rrëshket në klasifikim në vendin e 10-të. Rezultati i tretë negativ radhazi për zikaltërit që përpara publikut të tyre zhgënjejnë dhe një herë tjetër, duke treguar se dhe këtë vit pavarësisht lojtarëve cilësorë do të kenë një tjetër sezon me ulje-ngritje. Skuadra e De Boer dhe pse gjeti e para epërsinë me Joao Marion nuk arriti dot të fitonte në shtëpi, pasi Melchiorri me një dygolësh i dha fitoren skuadrës sarde.
Vetëm një javë pas rinovimit të kontratës, Mauro Ikardi bëhet përsëri temë dite tek Interi. Por kësaj here çështja është tepër serioze, aq sa klubi zikaltër pritet t’ia heqë shiritin e kapitenit sulmuesit argjentinas. Shkak është bërë një përplasje me tifogrupin ultras lidhur me një prapaskenë që lojtari zbulon në librin e tij autobiografik të publikuar së fundmi. Bëhet fjalë për episodin e 1 shkurtit 2015, pas përfundimit të ndeshjes së humbur nga zikaltrit 3-1 në fushën e Sasuolos.
Të dielën në “San Siro” kapiteni Ikardi u prit me fishkëllima dhe banderola fyese nga tribuna e ultrasve. “Ikardi, bastardi je ti që shpik gomarllëqe për të shitur më shumë. Mercenar i babëzitur”; “Përdor një fëmijë për t’u justifikuar dhe hedhur baltë. Nuk je burrë, nuk je kapiten, je thjesht një frikacak i fëlliqur”; 100 gola dhe 100 trofe nuk mund ta fshijnë m… që je”, ishin disa nga banderolat kundër sulmuesit, ndërkohë që pjesa tjetër e tifozëve u rreshtuan përkrah Ikardit, duke e duartrokitur. Ikardi humbi një 11-metërsh ndaj Cagliarit.
Lacio nuk përfitoi nga hapi fals i Napolit për t’u ngjitur në vendin e dytë në renditje, pasi bardhëkaltërit barazuan 1-1 në shtëpi me Bolognan, që ishte shumë pranë fitores së parë sezonale në transfertë. Skuadra emiliane shënoi që në minutën e 10-të me Helander. Lacio pavarësisht se dominoi sfidën shpërdoroi shumë raste me Immobilen, që pikërisht në të 97-ën vulosi barazimin nga pika e bardhë për bardhëkaltërit. Në ndeshjet e tjera ndërkohë, Veseli bëri debutimin e tij te Empoli, duke luajtur për 90 minuta në transfertën me Genoan.
Vendin e dytë në Serine A e mori Milani që regjistroi rezultatin e katërt pozitiv radhazi, pasi mundi 1-3 në transfertë Chievon. Kucka shënoi në fundin e pjesës së parë golin e epërsisë për kuqezinjtë, pas një goditjeje fantastike. Në fillimin e pjesës së dytë një tjetër supergol këtë herë nga Niang  pothuajse hipotekoi fitoren e Milanit.
Në të 77-ën po me një goditje nga larg u përgjigj dhe Chievo me Birsan, por në minutën e fundit kuqezinjtë përfituan dhe nga një goditje e devijuar e Baccës për të dalë me pikët maksimale nga Verona.

Artikulli paraprakReagimi i Diego Costa-s, Conte tregon “dhëmbët”
Artikulli tjetërMontela: Larg duart nga Milani